​ Haradinaj: S’i frikësohem Speciales

Aktuale October 31, 2016 - 08:02

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ka thënë se nuk do të prodhojë asnjë rezultat Rezoluta e miratuar në Kuvend për mbrojtjen e ish luftëtarëve të UÇK-së. Ai tha se duhet t’i bëhet me dije bashkësisë ndërkombëtare që të merret kryesisht me krimet e Serbisë që ka bërë në Kosovë, e jo me ish krerët e UÇK-së. Ndërsa, teksa ka folur për Gjykatën Speciale, Haradinaj ka thënë se nuk i frikësohet asaj, pasi që ka qenë ushtar i mirë sipas traditës shqiptare

Konfirmimi i gjykimit ndaj Grupit të Drenicës nga Gjykata e Apelit i ka shqetësuar ish luftëtarët e UÇK-së që janë përfshirë në politikë, duke e konsideruar këtë vendim të drejtësisë si jo të drejtë.

Ish-komandanti i UÇK-së në rrafshin e Dukagjinit, Daut Haradinaj në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se UÇK-ja nuk ka asgjë për të fshehur sepse ka bërë një luftë të pastër për çlirim.

Por, Rezoluta e miratuar në Kuvendin e Kosovës gjatë javës së kaluar për grupin e Drenicës, sipas tij, nuk do të prodhojë kurrfarë rezultati.

Haradinaj ka folur edhe për Gjykatën Speciale, të cilës ka thënë se nuk i frikësohet meqë ka qenë ushtar i mirë dhe sipas traditës.

Duke folur për zhvillimet aktuale, deputeti Haradinaj ka thënë se Demarkacioni ka përfunduar dhe se nuk ka asnjë shans të kalojë, derisa zgjedhjet sipas tij janë zgjidhja e vetme për vendin.

Deputeti Haradinaj e ka quajtur në interes të të gjithëve krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, prandaj Listës Serbe e cila po e pengon këtë, duhet t’i bëhet e qartë se nëse nuk e përkrah, atëherë edhe diskriminimet pozitive siç janë vendet e rezervuara duhet t’u sanksionohen.

Zëri: Z. Haradinaj javën që shkoi, Gjykata e Apelit vërtetoi dënimin për ish krerët e UÇK-së të cilët janë dënuar për krime lufte. Si e keni parë ju këtë dënim?

Haradinaj: Në përgjithësi ne kemi besuar në drejtësi dhe ka qenë dëshmi e qartë e krejt luftëtarëve të UÇK-së pas luftës se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me drejtësinë. Kjo është vërtetuar jo në një rast, por në shumë raste, qoftë me tribunalin e Hagës, qoftë në Kosovë që UÇK-ja nuk ka asgjë për të fshehur dhe ka qenë në gatishmëri për të bashkëpunuar. Kësaj radhe lë shumë për të dëshiruar sepse nuk është shumë e qartë se çfarë baze është përdorur për t’iu dhënë një shqiptim në kuptimin e fajësisë. Gjithsesi, ju e patë një debat që u zhvillua të enjten, pati një diskutim dhe deputetët të gjithë me unanimitet shprehën një papajtueshmëri me këtë dënim.

Zëri: A ju ka ndihmuar debati i zhvilluar në Kuvend, sepse pati edhe kritika se seanca e Kuvendit nuk do t’ju ndihmojë, madje është ndërhyrje në drejtësi?

Haradinaj: Po, ne kryesisht u munduam që të mos kemi interferenca në drejtësi dhe nuk mendoj që ka pasur. Kryesisht ka pasur vërejtje në transparencë dhe këtu mendoj që ka qenë fokusi kryesor. Gjithsesi edhe drejtësia duhet ta kuptojë që duhet të jetë në emër të popullit dhe përderisa është në emër të popullit duhet të jetë transparente, do të thotë duhet të jetë drejtësi. Në këtë rast ka vërejtje që nuk ka qenë shumë e qartë çfarë vendimi është marrë.

Zëri: Thatë që UÇK nuk ka asgjë për të fshehur, atëherë pse po bëhet gjithë kjo përndjekje dhe gjithë këto dënime për ish krerët e UÇK-së?

Haradinaj: Nuk do të kisha thënë pse është bërë sepse Kosova është shtet i ri dhe është në tendencat e zhvillimit të saj dhe atëherë gjithsesi se Kosova e ka parë të arsyeshme që të jetë bashkëpunuese në raport me drejtësinë ndërkombëtare. Por, edhe drejtësia ndërkombëtare duhet ta kuptojë se çka është tepër, është tepër. Sepse Kosova është shtet dhe po ndërton kapacitetet e veta dhe ajo duhet t’i trajtojë të gjitha temat që kanë të bëjnë edhe me drejtësinë qoftë ajo me luftën apo pasluftën pse jo. Por, mos harroni edhe një fakt që mbi 12 mijë qytetarë të Kosovës janë vrarë dhe nuk ka një gjykim në raport me Serbinë apo Serbia nuk është ndëshkuar për krimet që ka shkaktuar, ndërsa Kosova nuk ka zonë operative të luftës që nuk ka pasur procese ndërkombëtare të drejtësisë në raport me luftën.

Zëri: A po ndërrohen rolet ku Serbia po del viktima?

Haradinaj: Unë nuk e di pse, sepse po të dinim, atëherë Sterio Spase nuk e kishte shkruar librin “Pse”, por megjithatë ky është një realitet që po e shohim hapur dhe unë besoj shumë se edhe seanca e mbajtur do t’i vetëdijesojë shumë dhe do të kontribuojë që edhe faktorët relevant të kenë kujdes në këtë situatë. Të merren edhe me krimet dhe masakrat të shumëfishta që ka shkaktuar Serbia në Kosovë.

Zëri: Si e vlerësoni Rezolutën e miratuar pas debatit disa orësh në Kuvendin e Kosovës dhe çfarë do të prodhojë si e tillë?

Haradinaj: Nuk shoh që do të prodhojë ndonjë gjë, përpos që jep një sensibilizim në raport me opinionin dhe që ka një afat kohor për hartimin e ligjit, për mbrojtjen e vlerave të luftës. Edhe pse mendoj që ende nuk e kam idenë se çka nënkupton kjo Rezolutë. Por, gjithsesi, nuk deshëm të jemi kundër, megjithëse kemi vërejtje dhe besoj se do të gjendet rruga më e mirë që edhe djemtë e Drenicës të jenë të lirë shpejt.

Zëri: A mendoni se përmes këtyre dënimeve po tentohet që të eliminohen ish-krerët e UÇK-së nga jeta politike?

Haradinaj: Nga jeta politike të eliminon vetëm qytetari atëherë kur nuk të jep besimin.

S’frikësohem nga Specialja, kam qenë ushtar i mirë

Zëri: Z. Haradinaj, shpejt pritet që Gjykata Speciale të nisë punën me ngritjen e aktakuzave të para, a i frikësoheni ju?

Haradinaj: Unë mendoj që Gjykata Speciale është duke u formuar, por mos harroni se Kosova ka pasur rreth 50 mijë luftëtarë dhe nuk besoj që ka vend në Hagë për 50 mijë. do të mbesin mjaftueshëm edhe në Kosovë.

Zëri: A do ta dëmtojë imazhin e Kosovës?

Haradinaj: Nuk është themeluar për të mirën e UÇK-së as të Kosovës, por gjithsesi që ne do të përpiqemi si Kosovë për të fituar drejtësinë sikurse deri tash, në shumicën e rasteve.

Zëri: A frikësoheni ju personalisht?

Hardinaj: S’kam arsye. Kam qenë luftëtar shumë i mirë dhe shumë i ndershëm, me tradita dhe me vlera qoftë familjare dhe kombëtare.

Demarkacioni nuk kalon, ka marrë fund kjo

Zëri: Z. Haradinaj, çështja e Demarkacionit vazhdon të jetë aktuale tash e një vit, herë pas here ka takime të liderëve, a po shkon kjo çështje drejt zgjidhjes apo jo?

Haradinaj: Demarkacionin, ne kemi thënë edhe pothuaj shumica e deputetëve, por edhe vetë Veseli (kryeparlamentari) e ka thënë që në kohën e bllokut LDK ishte kundër kësaj marrëveshje. Me një fjalë, po pajtohen që është e gabueshme ajo marrëveshje dhe qëndrimi ynë është i palëkundur, rinegocimi është e vetmja zgjidhje.

Zëri: Besoni se do të rinegociohet?

Haradinaj: Po përderisa nuk ka vullnet në Kuvendin e Kosovës t’i jepet besimi atëherë nuk ka rrugë tjetër, ose rinegocimi ose do të shkojë në arbitrazh.

Zëri: Por, Demarkacioni është kushti kryesor për liberalizimin e vizave, si të tejkalohet kjo që qytetarëve t’iu mundësohet lëvizja e lirë në zonën Schengen?

Haradinaj: Ata po kërkojnë zgjidhjen e kësaj teme dhe zgjidhja është edhe rinegocimi. Por, nëse kapërcehet ky kusht dhe është i vetmi siç po thonë ata, atëherë ky kusht plotësohet. Por nëse kanë kushte tjera në raport me Qeverinë, atëherë duhet t’i bëjnë publike BE-ja. Por, në rast se është ky kusht atëherë ky në një farë forme merr zgjidhje, sepse zgjidhja është edhe rinegocimi, zgjidhje është edhe arbitrazhi. Kjo pengesë kapërcehet.

Zgjedhjet janë zgjidhje e situatës

Zëri: Zgjidhje a mund të jenë edhe zgjedhjet, pasi po përmenden kohëve të fundit?

Haradinaj: Edhe zgjedhjet mund të jenë zgjidhje, pse jo, edhe Kosova mendoj që ka nevojë për zgjedhje në qoftë se në këto rrethana nuk është duke funksionuar shteti, institucionet e Kosovës nuk janë shumë funksionale. Por, prapë se prapë kjo ju takon liderëve politik.

Zëri: A jeni të gatshëm ju si parti?

Haradinaj: Nuk është e thënë a jemi ne të gatshëm, sepse kjo nuk varet prej një subjekti politik a është i gatshëm. Por për ne edhe zgjedhjet janë zgjidhje.

Zëri: A mund të kemi këtë vit zgjedhje?

Haradinaj: Për ne kanë qenë dy gjëra të rëndësishme që mendojmë se i kemi penguar të realizohen. E para ka qenë Zajednica, e cila shkoi në Gjykatën Kushtetuese dhe u rrëzua thuajse me plot 23 Nene. Dhe e dyta ishte Demarkacioni që pothuaj shumica e deputetëve në Kuvendin e Kosovës e kanë kuptuar që është gabim. Të dyja këto ne i kemi realizuar. Se çfarë epilogu do të marrin proceset në perspektivë është tepër e parëndësishme. Nëse do të ketë zgjedhje pse jo, do të marrim pjesë në zgjedhje.

Zëri: A do të jeni në një koalicion me PDK-në pas zgjedhjeve?

Haradinaj: Epilogu në zgjedhje na jep vendin të gjithëve. Me rëndësi është që është dëshmuar që ky koalicion nuk është duke demonstruar sepse në fillim është folur me numra, duke thënë se i kemi numrat, por në rastin e fundit kur ishte Demarkacioni me 1 shtator që vërtetoi se jo çdo herë numrat që janë në letër janë edhe në sallë. Për mua është e parëndësishme se si do të procedohet pas zgjedhjeve. Ne shkojmë në zgjedhje me bindjen që do t’i fitojmë zgjedhjet.

Zëri: Z. Haradinaj, ka me shumë se dy vite që po flitet për themelimin e FAK-ut, pse u bë gjithë kjo zvarritje, a po varet kryekëput nga Lista Serbe?

Haradinaj: Themelimi i FAK-ut nuk po varet pak, por po varet komplet nga Lista Serbe e cila e kushtëzon Qeverinë e Kosovës. Unë e kam përsëritur me dhjetëra herë se deputetët e Kuvendit të shumicës shqiptare dhe komuniteteve tjera në Kuvend janë të gatshme në çdo kohë për të dhënë mandatin, por një lajm i mirë në tërë këtë histori është që kapacitetet e FSK-së janë po thuaj të njëqindpërqind dhe në ditën e parë kur do të ndodhë transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura ata janë të gatshëm ta marrin misionin e ri. Kjo varet tash kryekëput prej liderëve politik të koalicionit. Mirëpo, tash duhet të rritet presioni në Beograd dhe BE që formimi i Forcave të Armatosura nuk do të ketë kurrfarë rreziku, por garanton sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Ne këtë rast duhet t’i bëhet me dije edhe Listës Serbe që në rast se ata nuk janë të gatshëm atëherë edhe vendet e rezervuara dhe të gjitha këto privilegje apo diskriminime pozitive do t’iu sanksionohen.