Matoshi: Kosova, një komb i ri

Aktuale October 30, 2016 - 08:11

Njohësi i çështjeve politike në Kosovë, Halil Matoshi ka vlerësuar se deklaratat rreth bashkimit Kosovë-Shqipëri bëhen vetëm për interesa politike dhe si të tilla janë tërësisht boshe.

Në një intervistë dhënë për Gazetën “Zëri”, Matoshi ka konsideruar se nuk duhet humbur kohë duke u marrë me të tilla deklarata.

Ndërkaq ka thënë se kombi kosovar, sikurse ai shqiptar, është krijuar me intervenimin e Perëndimit.

Pavarësisht kësaj, sipas Matoshit, Serbia i njeh si komb vetëm shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, por jo edhe ata të Kosovës.

“Politika serbe i njeh si komb vetëm shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, ndërkaq, shqiptarët e Kosovës i sheh si pakicë etnike”, ka deklaruar ai. Tutje, Matoshi ka thënë se kombi kosovar e ka në pronësi të vet shtetin kosovar.

Ndërkohë, gjatë intervistës për “Zërin”, ai ka theksuar se tani Kosova përbën një komb të ri.

Zëri: Cili është identiteti i kosovarëve dhe a kanë ata pos trungut etnik dhe gjuhësor të përbashkët edhe histori të përbashkët me Shqipërinë?

Matoshi: Identitetet janë të shumëfishta dhe të shndërrueshme. Amin Malouf, identitetin etnik e quan të ngurtë, vrastar. Mirëpo identiteti supraetnik kosovar mund të zbërthehet në një shumësi identitetesh, jo vetëm atë gjuhësor dhe historik. Ndër tjera kombi kosovar është krijuar me intervenimin e Perëndimit. Njëjtë sikur edhe kombi shqiptar. Shumë faktorë autokton e kanë ndihmuar kombkrijimin në Kosovë - të tilla si përvoja paraprake demokratike, niveli i zhvillimit ekonomik, dhe homogjeniteti social - mund të ndikojnë në lehtësinë apo vështirësinë e ndërtimit të kombit, por përcaktuesi më i rëndësishëm i kontrollueshëm duket të jetë niveli i përpjekjeve ndërkombëtare, matur në trupat, të hollat dhe kohën. Nocioni “kosovar” si identitet subetnik është shumë më i pranueshëm edhe për pakicat etnike që t’i bashkohen kombit të vullnetit.

Zëri: A po ndërtohet kombi kosovar, apo shqiptarët e Kosovës pas pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008) po e forcojnë identitetin e një kombi unik shqiptar?

Matoshi: Kosova tashmë është një komb i ri. Komb i dalë nga konflikti. Kosova është ngjizur në komb gjatë tërë shekullit 20, kurse më 17 shkurt e ka shpallur shtetin kombëtar, ndërsa maturimi i kombit do të bëhet me marrjen e karriges në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB.)

Jo vetëm Kosova porse asnjë shtet në botë nuk ka arritur që t’i përputhë kufijtë etnik me ata shtetëror. Dhe t’i “shuajë” problemet me pakicat etnike. Asnjë shtet shumëetnik perëndimor – thotë Anthny D. Smith - nuk mund të thuhet se i ka “zgjidhur” problemet etnike, shtetet me traditë të gjatë demokratike deri tani kanë qenë në gjendje t’i lehtësojnë problemet etnike, të krijojnë një mitologji dhe simbolizëm politik gjithëpërfshirës dhe të formësojnë një sistem vlerash të përbashkëta e kujtimesh politike për të gjitha etnitë e tyre përbërëse.

Zëri: A e ka krijuar kombi unik shqiptar shtetin kosovar apo shteti kosovar po e konstrukton politikisht kombin kosovar?

Matoshi: Patriotizmi dhe nacionalizmi shqiptar që nga epoka e kombkrijimit (1878 – 1925) nuk është transformuar në fuqi kohezive për mirëqenie, industrializim e modernizim, perëndimorizim, porse ka mbetur aty ku ishte: nacionalizëm defansiv, me premisa primitive, fetare e ideologjike (kryesisht të majta), si pasojë e dhunës dhe izolimit enverist. Së këndejmi, ky nacionalizëm nuk është transformuar në patriotizëm ligjor/kushtetues që garanton vepra të mëdha të përbashkëta sot dhe nesër, porse ka mbetur i tillë, etnonacionalizëm verbal që përplas grupet e ndryshme të shoqërisë mes veti, partitë politike, pra edhe institucionet e shtetit. Pak janë ata atdhetarë të vërtetë shqiptar sot, që mund ta kuptojnë kontekstin e të qenit patriot kushtetues kosovar sot, që është thjesht zëvendësim i patriotizmit shqiptar që nga ndarja dhe zaptimi i hapësirës jetike shqiptare, më 1913. Patriotizmi shqiptar që nga Lidhja e Prizrenit e deri tek pavarësia e Shqipërisë më 1912 dhe të gjitha përpjekjet e shqiptarëve etnikë për liri nën tre Jugosllavitë, sot duhet transformuar në kosovarizëm.

Zëri: Pse shqiptarët e mendojnë etninë dhe flasin për kombin dhe a ka bazë ideja e bashkimit në kombin dhe shtetin unik shqiptar apo kjo është vetëm një deklaratë politike për nevoja votash?

Matoshi: Përkatësia etnike e shumicës së koosovarëve është shqipatre, sëkëndejmi shqiptarët janë titullar të kombit kosovar. ETNIA është një konstantë. Kombi i shtetit (të gjitha kombet e botës janë artificiale – politikisht të konstruktueme - pra te panatyrshme) është ai kosovar, pra ENTITETI juridik-politik dhe subjekt i të Drejtës Ndërkombëtare, ngase kombi është një variabel. Kombi kosovar mund të bëhet shumë-etnik nese pos grupeve tjera etnike qe pothuajse e kanë pranuar kombin e vullnetit edhe serbët e pranojnë vullnetshëm të jenë lojal ndaj shtetit, përkatësisht nëse duan të bëhen pjesë integrale e kombit unik kosovar. Etnia shqiptare si shumice absolute ne Kosove (Dardania ose Arbnia e Eperme) është titullare e kombit kosovar dhe e ka ne pronësi te veten shtetin kosovar, Me qenë shqiptar i Kosovës e jo kosovar si entitet juridik-politik dmth. Me qenë një pakicë etnike në një shtet të huej (nën Serbi sipas qefit të Memorandumit 2 të Akademisë serbe të arteve dhe shkencave. Me qenë kosovar – sot nënkuptohet se je "Njësi e rritur" dmth. komb sovran dhe i merr përgjegjësitë që të takojnë si qytetar i lirë.

Zëri: Në këtë moment politik edhe ekonomik, a do të ishte më i mirë një bashkim i Kosovës me Shqipërinë apo dy shtetet të vazhdojnë rrugën e tyre si të pavarura?

Matoshi: Aktualisht ideja e bashkimit me Shqipëri është vetëm deklaratë boshe politike për të sjellë vota, kur dihet se me “Pakon Ahtisaari” në qendër të pavarësimit janë bërë të qarta tre parimet e panegociueshme: 1. Nuk ka ndarje të Kosovës; 2. Nuk ka bashkim me një shtet tjetër dhe 3. Nuk ka kthim në situatën e para vitit 1988. Kushtetuta e Kosovës është derivat i Pakos.

Prandaj, kosovarët nuk duhet të shpenzojnë kohë e energji kot në deklarata për konsum të brendshëm politik. Ndërsa e ardhmja e largët është çështje profetësh, jo sociologësh. Për këtë po ua kujtoj deklaratën e Chrystopher Hill. “Kam punuar në Shqipëri dhe më vonë kur bisedoja me negociatorin e Kosovës, një gjë e kuptova më mirë se të tjerët, Shqipëria nuk donte të ishte një vend me Kosovën; e kuptova se ishin dy vende me të ardhmen e vet. Asnjëherë nuk shqetësohesha si të huajt e tjerë mbi krijimin e Shqipërisë së Madhe.”