Sulmet me armë e plaçkitjet, përditshmëri në veri

Aktuale October 30, 2016 - 07:52

Sulmet me armë zjarri, plagosjet, plaçkitjet nën kërcënim të armëve dhe grabitjet janë bërë të përditshme në pjesën veriore të Mitrovicës.

Vetëm gjatë kësaj jave në atë pjesë kanë ndodhur disa raste të plaçkitjes nën kërcënim të armëve.

Një familje shqiptare në lagjen “Kroi i Vitakut” është sulmuar me armë zjarri, me ç’rast një anëtar i kësaj familjeje ka marrë plagë nga plumbat, ndërsa një rast tjetër ka ndodhur në “Lagjen e Boshnjakëve”, kur dy serbë kanë sulmuar me thikë një të ri boshnjak.

Në lagjen “Kroi i Vitakut”, të premten është sulmuar me armë familja e vëllezërve Barani, Eminit, Esatit dhe Ekremit.

Nga ky sulm ka mbetur i plagosur Ekrem Barani, i cili ka marrë plagë në kokë nga plumbat e shkrepur nga kallashnikovi.

Qendra Rajonale e KMDLNJ në Mitrovicë ka reaguar ashpër për këtë rast, duke e cilësuar atë si të qellimshëm e me synim të frikësimit të shqiptarëve të veriut.

“Bandat kriminale në lagjen “Kroi i Vitakut” sulmuan me breshëri plumbash disa shtëpi në “Qendra 1”, me ç’rast plumbat goditen ballkonet, shtëpitë dhe oborret e vëllezërve Emin, Esat dhe Ekrem Barani, ndësa një plumb e goditi në kokë Ekrem (Halim) Baranin, baba i katër fëmijëve, i cili është detyruar ta kërkojë ndihmën e mjekut, në Spitalin Rajonal në jug të Mitrovicës”, thuhet në reagimin e QR të KMDLNJ në Mitrovicë.

E nëpërmes të një komunikate për medie KMDLNJ e Mtrovociës ka kërkuar nga organet e sigurisë, përkatësisht Policia e Kosovës, Policia e EULEX-it, karabinierët italianë, të cilët vazhdimisht kujdestarojnë matanë urës kryesore së lumit Ibër, përkatësisht shumë afër lagjes prej nga erdhën plumbat, si dhe nga paqeruajtësit, të cilët janë të thirrur për siguri të qytetarëve, që sa më pare t’i kapin akterët dhe t’i nxjerrin para drejtësisë në mënyrë që t’u jepet dënimi i merituar.

“Duhet të ceket se jo rrallë në pjesën e okupuar të Mitrovicës, natën e ditën dhe në çdo kohë dëgjohen të shtëna nga armë të ndryshme automatike dhe jo rrallë plumbat godasin çatitë e shtëpive të lagjeve “Ilirida” dhe “Qendra 1”, thuhet mes tjerash në komunikatën e KMDLNJ në Mitrovicë.

Në anën tjetër, për këtë rast, i cili ka shqetësuar shqiptarët e pjesës veriore të Mitrovicës, Policia e Kosovës në veri nuk ka dhënë asnjë hollësi.

Gjatë kësaj jave, një incident i njejtë, me ç’rast një 19-vjeçar ka marrë plagë me thikë ka ndodhur në “Lagjen e Boshnjakëve” në veri të Mitrovicës.

Dy të rinj serbë kanë sulmuar me thikë një 19-vjeçar boshnjak, i cili menjëherë është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e veriut. Policia ka thenë se dy sulmuesit e boshnjakut janë arrestuar, ndërsa njërit prej tyre i është caktuar masa e mbajtjes në polici.

Gjithashtu, gjatë kësaj jave, një vjedhje ka ndodhur në rrugën “Serdar Vukotiq”, me ç’rast një serbi i janë marrë me forcë 25 mijë dinarë, apo rreth 200 euro. Në të njejtin vend, një femër, me mashtrim ia ka marrë një personi 50 euro dhe menjëherë pas grabitjes ka ikur me veturë nga vendi i ngjarjes.

Rasti i fundit i plaçkitjes ka ndodhur në rrugën “Anka Spajiq”, kur një femre serbe i është grabitur me force zinxhiri i arit që mbante në gjoks.

Ajo paraprakisht ishte sulmuar me njëlloj spreji, i ngjajshëm me atë që përdor policia dhe kur viktima ishte paaftësuaar për t’u mbrojtur, atëherë grarbitësit ia kishin nxjerrë nga qafa zinxhirin e arit. Ky rast i ka paraprirë një grabitjeje tjetër, kur një qytetari i ishte marrë me forcë telefoni mobil.

Me gjithë këto raste të shumta, komandanti i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq, në një prononocim për medie pak ditë më përpara ka thenë se rastet e dhunës dhe veprat penale kanë shënuar rënie, ndërkohë gjendjen e përgjithshme në veri e ka cilësuar të qetë dhe stabile.