PDK-së i rrezikohet Drenica

Aktuale October 29, 2016 - 08:06

Partia Demokratike e Kosovës(PDK) rrezikon që ta humbë bastionin kryesor që nga paslufta, Drenicën, nëse figurat kryesore politike nga ky rajon nuk e mbështesin në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe parlamentare.

Një rrëshqitje e tillë e votave nga partia më e madhe në vend, në bastionin më të fuqishëm të PDK-së, sipas analistëve politik, mund të ndodhë pas vendimit të fundit të Gjykatës së Apelit me të cilin u vërtetohet dënimi për krime lufte  ish- komandantit të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, ish- deputetit të PDK-së Fadil Demaku dhe tre vëllëzerve të tij, Nexhat, Jahir e Zeqir Demaku.

Pas këtij vendimi të Gjykatës, Fadil Demaku ka dhënë dorëheqje nga posti i deputetit, ndërsa vëllai i tij, Nexhati, nga pozita e kryetarit të Komunës së Drenasit, me ç’rast kjo e fundit do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Vendimi i fundit i Gjykatës është përcjellë me pakënaqësi nga familjarët e të dënuarëve. Madje, sipas një njoftimi në rrjetin social “Facebook”, bashkëshortja e Sylejman Selimit, Kimete Selimi ka shkruar se do të dëshironte që ish-kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, i cili aktualisht është president i Kosovës, t’i bashkohej shokëve të tij në burg.

Gjykata e Apelit ende nuk ka marrë vendim për grupin “Drenica 1”, proces në të cilin  është edhe kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku. Në qoftë se edhe ndaj tij vërtetohet dënimi, atëherë edhe komuna e Skënderajt do të shkojë në zgjedhje. 

 Haxhiu: Kemi kuadro të mjaftueshme

Pavarësisht përballjes me drejtësinë të figurave kryesore të PDK-së nga rajoni i Drenicës, deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu, thotë për “Zëri” se do ta përballojnë edhe këtë sfidë, dhe, siç thotë ai, janë të gatshëm për zgjedhje kurdo që ato mbahen, meqë sipas tij, PDK ka kuadro të mjaftueshme. “Rëndësia e gjithë kësaj padrejtësie është që të pafajshmit të mos jenë të dënuar.

Normalisht, deputeti Fadil Demaku dhe vëllai i tij Nexhat Demaku janë dorëhqur nga funksionet publike. Por PDK do të punojë si parti shtetformuese dhe më e madhja që ky vend e ky popull të sundohet prej së vërtetës, prej ligjit dhe parimeve. Ka kuadro të mjaftueshme dhe është gatshme për sfida dhe për zgjedhje kurdo që ato organziohen”, ka theksuar Haxhiu, duke shtuar se janë të kalitur me sfida të tilla.

“Ne e fituam luftën, do ta fitojmë edhe paqen, sepse jemi kalitur në sfida dhe vështirësi. E vërteta dhe e drejta do të ngadhënjejë dhe ajo është në anë e UÇK-së, djemëve dhe vashave më të mirë të popullit”, është shprehur ai, derisa e ka quajtur aktgjykim kundër drejtësisë vendimin e apelit ku ua vërteton dënimin Grupit të Drenicës 2. “Në mungesë të argumenteve, aktgjykimin e Apelit në rastin të emërtuar si “Drenica 2” e konsdieroj aktgjykim kundër drejtesisë, kundër të vërtetës dhe viktimizim të ushtarëve dhe komandantëve të pafajshëm. Me fjalë të tjera padrejtesia, shpifja, fabrikimi, falsifikimi, gënjeshtra e kanë mbuluar të vërtetën, drejtesinë dhe pafajësinë e komandantëve dhe ushtarëve të pastër si liria e Kosovës”, ka thënë me tutje deputeti i PDK-së.

  Burjani: PDK-ja po dëmtohet në Drenicë

Analisti politik Blerim Burjani ka vlerësuar se dënimet e fundit kanë dëmtuar jashtëzakonisht shumë PDK-në, në këtë rajon. “Mendoj që PDK është duke u dëmtuar në masë të madhe edhe nga rasti Drenica 2, tani pritet edhe me Drenica 1. Por, po vazhdon ta humbë ndikimin e vet në pjesën e përgjithshme që bëhet brenda shtetit tonë, duke ia shtuar edhe aferat tjera”, ka thënë Burjani për “Zëri”.

Madje, sipas tij, edhe aferat tjera si ajo e Pronto 2 kanë ndikuar në uljen e përkrahjes. Mirëpo, sipas tij, dëmtimi edhe më i madh do të jetë nga Gjykata Speciale, meqë mendohet se nga kjo parti do të jenë një numër i madh që do të jenë të akuzuar nga kjo Gjykatë. “Realisht edhe Pronto 2 nga e cila janë nën hetim edhe pesë zyrtarë të lartë të kësaj partie e qet në një pozitë jashtëzakonisht të rëndë këtë subjekt politik. Por, ky subjekt do të dëmtohet edhe më shumë me Gjykatën Speciale, sepse priten aktakuzat e para gjatë fundit të këtij viti apo fillimi i vitit të ardhshëm, prandaj ky subjekt politik është në një telashe të madhe”, ka vlerësuar ai.

 Spahiu: PDK s’ka konkurrencë në Drenicë

Por, ndryshe mendon analisti tjetër politik Nexhmedin Spahiu, sipas të cilit nuk e kanë dëmtuar PDK-në këto dënime, meqë nuk ka parti tjera të interesuara për të marrë elektorat në Drenicë. “Unë nuk po e shoh që ndonjë parti tjetër është e interesuar të fitojë elektorat në Drenicë. Para se të ndodhin dënimet tjera, nuk ka pasur parti politike që kanë qenë të interesuara që të kenë elektorat në Drenicë. Për shembull LDK  dhe AAK s’kanë qenë të interesuara, Vetëvendosja deri diku, por as ajo jo shumë.

Prandaj, as pas dënimeve nuk shoh rrezik, meqë nuk ka të interesuar që të peshkojnë elektorat në Drenicë”, është shprehur Spahiu për “Zëri”, ndonëse vetëm Drenasin e sheh të rrezikuar nga Nisma, edhe pse jo shumë. Ai vlerëson se edhe pse ende nuk ka dalë vendimi për Drenica 1, ku është i dënuar në shkallën e parë kryetari i Skënderajt Sami Lushtaku, Spahiu mendon se pavarësisht edhe nëse i vërtetohet dënimi, cilido kandidat i PDK-së mund të fitojë atje. “Ndoshta në Drenas mund të përfitojë Nisma nga kjo situatë, por nuk besoj, ndërsa në Skenderaj nuk po shihet që ka ndonjë parti  të interesuar që të përfitojë nga kjo situatë. Karizma e Sami Lushtakut ka qenë e padiskutueshme, por mendoj që cilindo kandidat që ta ketë PDK-ja do të dalë fitues, edhe në këto rrethana politike prapë PDK-ja do të dalë fituese në Skenderaj”, ka shtuar ai.