Sperma në Kosovë shitet për 200 euro

Aktuale October 28, 2016 - 08:14

Në emër të mbulimit të shpenzimeve spitalet private paguajnë deri në 200 euro personat, të cilët dhurojnë spermë. Kjo shumë së paku konfirmohet në njërin spital në Prishtinë, derisa burimet thonë se pagesat shkojnë edhe më lart. Konfirmohet se studentët janë ata që nuk hezitojnë ta ofrojnë spermën si “donacion”

(Vazhdon nga numri i kaluar)

Deri në 200 euro paguhen personat, të cilët janë të gatshëm të deponojnë spermën me qëllim që ajo të përdoret për frytnim të asistuar mjekësor.

Kjo shumë nuk është një pagesë për materialet që dhurojnë, por bëhet në emër të shpenzimeve të donatorit.

Këtë e ka konfirmuar drejtori i spitalit “Lindja”, Dërgut Aliu, pasi është pyetur nga gazetari i “Zërit” lidhur me procedurat për fekondimin e asistuar mjekësor.

Gjithë kjo pasi është hartuar një raport nga ana e Komisionit për Frytnimin e Asistuar Mjekësor (KFAM), që ka të gjetura alarmante lidhur me kryerjen e procedurave IVF në spitalet e licencuara në Kosovë për këtë punë.   

Aliu ka thënë se në klinikën e tij Komisioni vetëm se ka bërë vizitën, por nuk ka bërë asnjë informatë kthyese. “Ne nuk kemi parë atë raport”, ka thënë ai.

Por, ai nuk ka hezituar të konfirmojë se gjetja e donatorëve në Kosovë është një problem në vete.

“Tash momentalisht ligji kërkon që donatorët të jenë anonimë”, ka thënë Aliu, derisa më herët, sipas tij, dhurimin e spermës dhe qelizave kanë mundur ta bëjnë vetëm familjarët për të afërmit e tyre.

200 euro pagesë e spermës në emër të shpenzimeve

Aliu ka thënë se si sektor privat po punojnë në krijimin e bankave ku kryhet marrja e spermës dhe e qelizave, si dhe të bëhet ruajtja e tyre.

“Ata me u pagu nuk paguhen, veç paguhen në emër të shpenzimeve – diku 200 euro”, ka thënë ai, duke folur për koston e mbulimit të shpenzimeve. Po kaq kushton edhe deponimi i materialeve.  

Aliu ka thënë se vendet fqinjë kanë bërë zgjidhje tjera. “Shqipëria dhe këto shtetet përreth importojnë prej Danimarkës”, ka thënë ai duke bërë me dije se aty janë detajet si të gjatësisë, dukjes, sëmundjeve dhe profesionit të dhuruesit.

“Këtu bëhen do teste të analizave”, ka thënë doktori Aliu.

Ai ka konfirmuar se janë kryesisht studentët dhurues të spermës. “Më tepër janë studentë”, ka thënë ai.

E zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë kërkuar që për gjithçka në lidhje me të gjeturat e KFAM-t t’i referohemi raportit.

 “Të gjitha përgjigjet i keni në raport dhe referojuni atij. Në emër të tij do të mundë të përgjigjej udhëheqësja e tij”, ka thënë Faik Hoti, drejtor për Informim në Ministri të Shëndetësisë dhe anëtar i KFAM-it.

Myrvete Paçarada, kryetare e KFAM-it, ka thënë për “Zërin” se raportin ia kanë përcjellë ministrit të Shëndetësisë Imet Rrahmanit, dhe se tashmë po presin që Ministria të reagojë duke kërkuar respektimin e rekomandimeve të dala nga raporti.

Ndërkohë, në raport jepen edhe detaje për të gjeturat në secilin spital veç e veç.

Sipas raportit, në Spitalin Special për Gjinekologji, Infertilitet dhe Endokrinologji “Klinika Amerikane”, doktori Behar Kusari ka njoftuar Komisionin se pacientët para se t'i nënshtrohen procedurave të IVF-së informohen për të drejtat e tyre, pasojat e mundshme, plotësohen 4 formularë dhe merret pëlqimi. 

Ndërkohë, ky spital sipas raportit brenda muajit realizon prej 20 deri në 25 IVF apo 300 deri në 350 cikle të fekondimit artificial në vit.

“Në mënyrë specifike, anëtarët e Komisionit ia kanë rikujtuar menaxhmentit të spitalit se secila procedurë e IVF-së te gratë e moshës mbi 45 vjeçe duhet kryer vetëm me leje përkatëse të KFAM-it, ndërkohë që është e ndaluar përzgjedhja e gjinisë”, thuhet në raportin që e ka në posedim gazeta.

 Spitalet kërkojnë t’u lejohet import nga bankat e spermës

Ndërkohë që ky spital për gjashtëmujorin 2016 ka raportuar vetëm një rast për procedurë të kryer mbi moshën 45-vjeçare.

Në vizitën e bërë në “Deutche-Frauenklinik” Komisioni është pritur nga drejtori, Naim Shabani, i cili ka theksuar se spitali ndonëse është i licencuar për të ofruar shërbimet e IVF-së nuk ka filluar me procedura të tilla. “Tash për tash, ky spital i ka rezervat e veta rreth IVF-procedurave, kështu që nuk ka filluar fare me këtë shërbim”, citohet Shabani në raportin e KFAM-it.

Në Spitalin “Bahçeci” prej më shumë se dy vjetësh kanë konfirmuar se kryejnë procedurat e IVF-së. Sipas menaxhmentit, spitali “Bahçeci” kryen prej 300-400 procedura të fekondimit artificial mjekësor në vit.

“Donacioni është i lejuar në Kosovë. Sipas ligjit nuk ka kufizime në baza fetare, nacionale apo racore. Por për të importuar qeliza vezë apo spermë është e ndaluar”, ka thënë për “Zërin” Minire Sadriu, zyrtare për marrëdhënie me publikun.

Sipas saj, menaxhmenti i spitalit “Bahçeci” ka provuar të kontaktojë me zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë dhe t’u kërkojë atyre që t’i ndërrojnë disa nene në UA 06/2013. “Sepse nuk është i lehtë realizimi i gjithë këtyre rregullave që donatori dhe pranuesi të mos njihen në mes vete, të mos kenë marrëdhënie financiare dhe këto palë të mos jenë në kontakt në të ardhmen në një shtet të vogël si Kosova. Për këtë arsye kemi kërkuar që të lejohet importimi nga bankat e spermës dhe vezëve nga jashtë, por deri më tash ne nuk kemi realizuar asnjë import apo donacion në spitalin tonë”, ka thënë ajo.

“Ne po planifikojmë të fillojmë me donacion dhe Komisioni e ka përmendur që spitalet po e aplikojnë donacionin pa raportime, në formë jashtëligjore dhe fshehurazi”, ka thënë Sadriu. Ajo ka shtuar se Protokolli i Donacionit është i qartë dhe se spitali “Bahçeci” ka thënë se po punon që të krijojë një bankë për spermë dhe qeliza vezë sipas rregulloreve dhe ligjeve në Kosovë.

Në anën tjetër, spitali i përgjithshëm “American Hospital Kosova” ka raportuar se ka në procedurë të IVF-së 12 raste, dy prej të cilave mbi 45 vjeç që përmenden në raportin e KFAM-it.