Liderët e Kosovës injorohen nga homologët botërorë

Aktuale October 28, 2016 - 08:04

Presidentin e Kosovës, kryeministrin dhe kryeparlamentarin po refuzojnë t’i takojnë homologët e tyre ndërkombëtarë. Në “gishta të duarve” mund të numërohen pritjet e këtyre tre liderëve jashtë vendit. Derisa nga drejtuesit e institucioneve vendore mungesën e vizitave e arsyetojnë me zhvillimet e brendshme politike, përfaqësuesit e opozitës thonë se “liderët e lidhur me krimin askush s’i takon”

Lidershipi kosovar vazhdon të përballet me izolim ndërkombëtar.
Pritjet e organizuara shtetërore për presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Isa Mustafa, si dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli nga homologët e tyre ndërkombëtarë mund të numërohen në “gishtat e duarve”. Kjo për faktin se mënyra e qeverisjes së tyre në Kosovë nuk po i bind liderët botërorë se duhet pritur në zyrat e tyre tre liderët kryesorë të vendit.
Derisa drejtuesit e tri institucioneve qendrore të Kosovës mungesën e mjaftueshme të vizitave zyrtare jashtë shtetit e arsyetojnë me zhvillimet e brendshme politike, përfaqësues të opozitës, si dhe analistët politikë thonë se është i qartë injorimi që u bëhet udhëheqësve kosovarë nga homologët e tyre evropianë dhe botërorë. Dhe ky “izolim”, sipas tyre, po ndikon keq në imazhin e Kosovës.

Thaçi e takoi Nishanin

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili që nga 7 prilli i këtij viti ka marrë detyrën e të parit të shtetit, nuk ka realizuar ndonjë vizitë të rëndësishme tek homologët e tij ndërkombëtarë. Thaçi më 3 tetor të këtij viti ka takuar homologun e tij në Shqipëri, Bujar Nishanin.
Presidenti Thaçi ka marrë pjesë edhe në disa aktivitete të tjera nëpër vende të ndryshme, ku edhe është takuar me presidentë apo kryeministra, mirëpo nuk ka pasur ndonjë pritje shtetërore tjetër deri më sot.

 Veseli anuloi vizitat për shkak të dhunës në Kuvend

Edhe ish-bashkëpartiaku i Thaçit, Kadri Veseli, i cili gati qe dy vjet është në krye të Kuvendit të Kosovës, po ashtu ka realizuar pak vizita jashtë shtetit.
Bashkëpunëtorët e Veselit thonë për “Zërin” se i pari i Kuvendit ka preferuar që në këtë situatë të mos largohet shumë nga vendi. Megjithatë, sipas tyre, Veseli ka zhvilluar takime me homologët belgë, gjermanë, me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Britanisë së Madhe, John Bercow, kryeparlamentarin Meta dhe dhjetëra takime të tjera të nivelit të lartë që ka pasur Veseli e “pasurojnë”. “Për shkak të gjendjes së krijuar vitin e kaluar në Kuvend, ku opozita në vazhdimësi ka bllokuar seancat me gaz lotsjellës dhe me sulme tjera, kryeparlamentari Veseli nuk ka preferuar që të largohet shumë nga vendi dhe nuk i ka realizuar të gjitha ftesat për vizita”, thuhet në përgjigjen e kabinetit të kryeparlamentarit Veseli për “Zërin”. Megjithatë, ata thonë se tani që gjendja është qetësuar dhe Kuvendi i është kthyer normalitetit, kryeparlamentari Veseli ka konfirmuar disa vizita të rëndësishme jashtë Kosovës, me ftesa nga homologët e tij brenda dhe jashtë Evropës. “Vizitën e radhës jashtë vendit kryeparlamentari Veseli do ta ketë javën e ardhshme në Hungari, ndërsa disa vizita të tjera do të realizohen deri në fund të vitit”, thuhet në përgjigjen e kësaj zyre.

 Vizitat e Mustafës dhe shtyrja e takimeve

Nga Zyra për Informim e kryeministrit Isa Mustafa kanë thënë se ky i fundit brenda mandatit të tij ka pasur afër 115 vizita të nivelit të lartë, duke përfshirë këtu ato me mbi 10 kryeministra, mbi 10 presidentë, 1 mbret, 5 kryetarë parlamentesh, etj. Në Qeveri janë shprehur të kënaqur me aktivitetet e kryeministrit sa u përket takimeve zyrtare gjatë mandatit të tij. “Kryeministri Isa Mustafa ka takuar liderët kryesorë të shumë vendeve të botës, duke përfshirë pritjen nga presidenti amerikan Barack Obama, vizitën zyrtare te kancelarja gjermane Angela Merkel, pritjen e presidentit të Francës Francois Hollande, takimet me dhjetëra homologë nga vendet e rajonit, Evropës dhe më gjerë, drejtuesit më të lartë të BE-së, sekretarët e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe të NATO-s në selitë e tyre e shumë personalitete të tjera kryesore politike e shtetërore”, thuhet në përgjigjen që Zyra për Komunikim i ka dhënë gazetës “Zëri”.

Megjithatë, ata zbulojnë se shumë prej takimeve dhe pritjeve shtetërore të organizuara kryeministri është dashur t’i shtyjë për një kohë tjetër për shkak të fokusimit në zhvillimin e brendshëm të vendit. “Kryeministri Mustafa po ashtu ka ftesa për vizita në disa vende të botës, por që për shkak të agjendës, si dhe fokusimit në zhvillimin e brendshëm të vendit ato do t’i realizojë në kohë të caktuara, varësisht prej prioriteteve dhe zhvillimeve në Kosovë dhe në vendet pritëse”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Komunikim.

 Opozita: Askush nuk e takon Thaçin, Veselin dhe Mustafën, janë të lidhur me krimin

Opozita kosovare mendon se autoriteti i tre liderëve kosovarë është i kontestuar edhe jashtë vendit. Sipas tyre, ata janë figura që jorrallëherë janë lidhur edhe me krimin dhe kjo është një prej arsyeve pse edhe nuk u janë bërë pritje të shpeshta. “S'duhet harruar se secili nga tre liderët, Thaçi, Mustafa e Veseli, duke qenë figura që perceptohen të lidhura me krimin e organizuar dhe korrupsionin, më shumë janë përqendruar që ta pastrojnë imazhin e tyre brenda vendit”, ka thënë Zgjim Hyseni, anëtar i Kryesisë në Lëvizjen “Vetëvendosje”. “Ajo çfarë i ka sjellë Kosovës ky triumvirat famëkeq, bën që edhe imazhi i Kosovës në botë sot të jetë katastrofal, çfarë bën që në vendet e rajonit dhe më gjerë të mos ketë kurrfarë bashkëpunimi serioz e dobiprurës, e madje as takime”, ka thënë Hyseni, duke shtuar. “Homologët e tyre nga rajoni dhe me gjerë sigurisht që nuk kanë interes të takojnë liderë të një vendi që për çdo vit prin për papunësi dhe krim e korrupsion. Prandaj, mungojnë takimet bilaterale të tyre. Kjo treshe po e izolon Kosovën në çdo aspekt”, ka thënë Hyseni.
Ndërsa Muharrem Nitaj, anëtar i Kryesisë së AAK-së, ka thënë se autoriteti i udhëheqësve të Kosovës në raport me shtetet e tjera lë shumë për të dëshiruar. “Në një situatë të tillë kanë mbetur duke zhvilluar takime me kryeministrin dhe presidentin shqiptar. Nuk më kujtohet kur ndonjëri nga udhëheqësit e Kosovës, posaçërisht presidenti dhe kryeministri, kanë realizuar një vizitë të rëndësishme diku”, ka thënë Nitaj. Ai ka përfunduar duke thënë se me gjasë autoriteti i tyre, i kontestuar brenda në Kosovë, ka reflektuar edhe jashtë.

 Tahiri: Kosova, e izoluar ndërkombëtarisht

Politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se moszhvillimi i takimeve në mes të krerëve shtetërorë të Kosovës dhe vendeve të tjera do të ndikojë negativisht për Kosovën. “Do të ndikojë negativisht sepse Kosova po humb hapin në integrimet evropiane, po humb në forcimin e subjektivitetit dhe sovranitetit”, ka deklaruar ai për “Zërin”. Sipas Tahirit,  Kosova është izoluar ndërkombëtarisht si pasojë e bllokimit të procesit integrues. “Kosova në fakt ka rënë në izolim ndërkombëtar për shkak të bllokadës së procesit të integrimeve evropiane, edhe për shkak të mosrealizimit të Demarkacionit e Asociacionit, sepse kanë marrë obligime ndërkombëtare”, është shprehur ai. Kurse arsyeja tjetër, sipas tij, ka të bëjë me hapjen e krizave ndërkombëtare e problemeve evropiane sikurse është Brexit-i i Britanisë.

Më tutje ai ka konsideruar se shteti i Kosovës mbetet i parëndësishëm karshi këtyre problemeve. “Kosova e humb rëndësinë e vet në çështje që duhet të zgjidhen në arenën ndërkombëtare dhe këta të tre nëse nuk e zënë hapin tash, domethënë mbesin mbrapa”, ka potencuar Tahiri.

Liderët kosovarë po injorohen nga homologët e tyre

Ndërkaq analisti politik, Imer Mushkolaj, ka thënë se ka injorim të krerëve shtetërorë nga bashkësia ndërkombëtare sa u takon takimeve bilaterale në mes të Kosovës dhe vendeve të tjera. “Ka një injorim të udhëheqësve kosovarë nga homologët e tyre evropianë dhe botërorë. Mënyra sesi këta po qeverisin nuk i bind udhëheqësit botërorë se duhet të takohen me ta”, ka deklaruar ai. Sipas tij, një gjë e tillë ndikon për të keq në imazhin e Kosovës. “Kjo ndikon negativisht në imazhin e Kosovës në botë, si dhe në subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Kosova po vuan keqqeverisjen e tyre dhe paaftësinë për ta forcuar e për ta fuqizuar shtetin”, ka shtuar Mushkolaj.

Ndërkohë publicisti Halil Matoshi ka thënë se liderët demokratë të shteteve moderne hezitojnë t’i takojnë liderët kosovarë për shkak të problemeve të brendshme që kanë ata. “Lidershipi kosovar po dëshmohet i paaftë për t'u dhënë zgjidhje çështjeve politike për çka kanë marrë votën qytetare, një pjesë e madhe e tij është e korruptuar deri në asht dhe askush nga liderët demokratë të shteteve moderne nuk dëshiron t'i takojë sepse lidershipi kosovar është jozyrtarisht në një izolim ndërkombëtar”, ka thënë Matoshi, i cili më pas ka shtuar. “Kjo ngase ka ndërhyrë në drejtësi, pastaj po shfaqet shumë nacionalist dhe është kthyer kundër bashkësisë ndërkombëtare, sidomos kundër drejtësisë ndërkombëtare”, ka përfunduar Matoshi.

 Kosova po mbetet mbrapa

Për dallim prej tij, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Emrush Ujkani ka vlerësuar se nuk është për t’u çuditur ajo që presidenti, kryeministri e kryeparlamentari nuk po zhvillojnë takime me homologët e tyre. “Kosova është një vend i vogël dhe nuk është për t’u çuditur. Qoftë agjenda e presidentit apo e kryeministrit nuk është e ngjeshur sikur agjenda e një kryeministri tjetër që është më i fuqishëm në shumë aspekte”, ka thënë ai. Sipas tij, Kosova ka shumë probleme dhe shumë çështje të brendshme të cilat kërkojnë që të trajtohen më me nevojë sesa takimet me krerët e shteteve të tjera. Andaj, ashtu si ai është shprehur, një gjë e tillë nuk paraqet shqetësim të madh për Kosovën. “Unë besoj që nuk do të duhej që kjo të ishte shumë shqetësim në këtë fazë”, ka shtuar tutje ai. Megjithëkëtë, gjatë bisedës Ujkani ka thënë se mungesa e këtyre takimeve mund ta lërë Kosovën mbrapa. “Unë mund të pajtohem që natyrisht mbajtja e ritmit të këtyre takimeve  mund ta lërë Kosovën pak mbrapa, por prapëseprapë kjo është diçka që e shoh si normale. Është një proces normal që Kosova është një vend i ri”, ka theksuar ai, duke shtuar se duhet të punohet ende më shumë.

Nga ana tjetër Artan Murati, hulumtues në KDI, ka thënë se takimet bilaterale kanë një rëndësi tejet të veçantë. “Rëndësia e këtyre takimeve në parim është e lartë, sidomos nëse flitet për takime të nivelit më të lartë të përfaqësuesve të shtetit. Ajo çfarë duhet të kihet parasysh është që këto takime të shfrytëzohen për mirëqenien e vendit”, ka deklaruar ai për “Zërin”. Pavarësisht kësaj, sipas Muratit, mosmbajtja e këtyre takimeve nuk është aspak pozitive për Kosovën. “Moszhvillimi i takimeve të nivelit të lartë mes politikanëve homologë të vendeve të ndryshme në esencë është lajm jo i mirë, pasi që një gjë e tillë mund të jetë reflektim direkt i raporteve ndërshtetërore të shteteve të caktuara”, ka theksuar ai. Më pas, ai ka thënë se marrëdhëniet ndërshtetërore janë bazë e fortë e zhvillimit dhe e mbajtjes së raporteve mes shteteve.