Klinikat, spermë e vezore nga vendet fqinje

Aktuale October 27, 2016 - 07:47

Gazeta “Zëri” ka zbuluar përmes një hulumtimi se spitalet private që po merren me procedura të IVF-së po manipulojnë duke bërë përzgjedhjen e gjinisë dhe duke blerë spermë e vezore nga shtetet fqinjë, si: Serbia, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi, etj. Këto dilema janë ngritur edhe në një raport zyrtar, i cili tashmë është në duart e ministrit Imet Rrahmani

Klinikat private të cilat merren me fekondimin artificial, përmes procedurës së ashtuquajtur të In Vitro Fertilizimit (IVF) po sigurojnë spermën dhe qelizat vezë nga shtetet fqinjë, si Maqedonia, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe pjesërisht edhe nga donatorë nga Kosova.

Dhuruesit kryesisht janë studentët që spermën dhe qelizat vezë i shesin në marrëveshje me spitalet që ofrojnë shërbimet IVF, ka zbuluar përmes një hulumtimi gazeta "Zëri"

Këtë informacion, tashmë të konfirmuar edhe nga burime zyrtare, gazeta "Zëri" e ka marrë fillimisht në kushte konfidenciale nga një burim zyrtar brenda Ministrisë së Shëndetësisë.

Por dyshimi se sperma dhe qelizat sigurohen nga vendet fqinjë përmendet edhe në një raport tejet sensitiv, që tashmë ka arritur në kabinetin e ministrit Imet Rrahmani. Po ashtu, aty ngrihen dyshime për përzgjedhjen e gjinisë gjatë procedurave të IVF-së, akt ky i ndaluar rreptësishtë me ligj.

Raporti i zbuluar nga ana e gazetarit të "Zërit" është përpiluar nga Komisioni për Fertilizimin e Asistuar Mjekësor (KFAM), që kryesohet nga Myrvete Paçarada. Ndërkaq, anëtarë të Komisionit janë: Fehmi Ahmeti, Shqiponja Ponosheci, Afrim Muhaxheri, Xhevdet Çuni, Faik Hoti dhe Makfire Zeneli.

 Kosova nuk ka bankë për qeliza dhe spermë, spitalet - pazare me donatorët   

Në dhjetë faqe përmbajtje, raporti i hartuar nga ana e këtyre ekspertëve zbulon hollësi të gjeturash pas vizitave monitoruese të këtyre anëtarëve në spitalet e licencuara për Gjinekologji, Infertilitet dhe Endokrinologji e që ndërlidhet me procedurat e Frytnimit të Asistuar Mjekësor (FAM).

Raporti me të dhëna shqetësuese i është dorëzuar ministrit Rrahmani nga ana e kryesueses së KFAM-it, Myrvete Paçarada, njëherësh drejtoreshë e Klinikës së Gjinekologjisë. 

Në gjithë sektorin privat të monitoruar evidentohet një katrahurë derisa hulumtimi i gazetës "Zëri" zbulon se pos problemeve në terren Kosova nuk e ka një bankë adekuate për dhurimin dhe ruajtjen e spermës dhe qelizave vezë.

Këtë mungesë po e shfrytëzojnë spitalet private për të bërë marrëveshje të fshehta me dhuruesit anonimë të spermës dhe qelizave dhe kjo në emër të një pagese, që bëhet për shpenzimet ditore të donatorit.

Kjo, që sperma apo qelizat e dhuruara të mund të përdoren për fekondim artificial tek çiftet që për arsye të ndryshme nuk mund të lindin fëmijë në rrugë natyrale dhe që kërkohet kryerja e procedurave të fekondimit artificial.

Por, burimi i gazetës tregon se dyshimet janë që dhuruesit për qëllime personale bëjnë dhurime të shumëfishta. "Kështu është mundësia që nga një person të lindin shumë fëmijë. Dhe pas një kohe kur këta fëmijë do të rriten, ndonëse do të jetojnë në distancë, janë vëllezër dhe motra për nga afërsia. Por ata mund të martohen ndërmjet vete...", thotë ky burim.

Ai tregon se është një problem më i madh se ai që pas njëzet vjetësh një vëlla dhe motër mund të martohen në incest. "Raporti ka konstatuar se ka mungesë të kontrolleve për anamnezën e dhuruesit. Ai mund të ketë sëmundje të rënda apo edhe mentale e që mund të trashëgohen tek fëmijët". 

Raporti i KFAM-it: Dyshimet janë që disa nga donatorët vijnë prej vendeve fqinjë 

Nga vizitat monitoruese në spitalet "Bahceci", "Klinika Amerikane", "Deutche-Frauenklinik", "Fati im", "American Hospital Kosova", "Lindja" janë gjetur nga ana e KFAM-it edhe të dhëna të tjera shqetësuese. 

"Drejtuesit e spitaleve deklarojnë se donatorët, kryesisht vullnetarë, gjenden brenda vendit, por dyshimet janë që ka prej tyre të cilët vijnë edhe nga vendet fqinjë dhe se nuk sqarohen në tërësi apo mungojnë të dhënat anamnestike dhe personale të familjarëve", thuhet në raportin e KFAM-it, të cilin e ka në posedim "Zëri".

Një dyshim tjetër që ngrihet në raport është ai për përzgjedhjen e gjinisë.
"Drejtuesit e të gjitha këtyre spitaleve deklarojnë se nuk bëjnë përzgjedhjen e gjinisë së fryteve, porse dyshimet ekzistojnë se kjo bëhet", sqarohet në raport.  

Më tutje raporti thekson se nga ekzaminimi i rastësishëm i dosjeve të disa pacientëve-klientëve që u janë nënshtruar procedurave të IVF-së shihet që ato duhet të mirëmbahen më mirë dhe të jenë më të kompletuara, duke përfshirë futjen në dosje edhe të kopjeve të dokumenteve identifikuese. 

Ndonëse janë të obliguara me ligj, këto spitale nuk i kanë raportuar KFAM-it për numrin e procedurave të kryera të IVF-së. 

"Ka një mospërputhje midis numrit të procedurave të kryera të IVF-së dhe atyre të raportuara në KFAM për rastet mbi moshën 45-vjeçare, raste të cilat duhet t'u nënshtrohen procedurave vetëm pasi të kenë marrë leje nga KFAM-i dhe dëshmi për këtë është fakti që pas vizitave monitoruese numri i kërkesave për leje në KFAM është rritur gati 100 për qind", thuhet në raport. 

Në raportin e siguruar nga gazeta përmes burimeve jozyrtare, ekspertët kanë rekomanduar Ministrinë e Shëndetësisë që ta diskutojë me departamentin e vet përkatës çështjen e kompletimit të ekipeve që kryejnë procedurat e fekondimit artificial. 

"Të kërkohet raportim i rregullt dhe shtim i vizitave monitoruese nga KFAM-i. Këto spitale të jenë më të inspektuara më shpesh nga ana e Inspektoratit Shëndetësor të MSH-së; të unifikohet dokumentacioni-formularët që duhet plotësuar për procedurat e IVF-së; të sqarohet shumë më mirë çështja e donatorëve dhe dosjet e tyre të jenë të kompletuara plotësisht; spitalet ta rrisin nivelin e njohjes së pacientëve me të drejtat e tyre, obligimet, përgjegjësitë, rreziqet dhe pasojat eventuale nga procedurat e IVF-së; si dhe rezultatet e suksesit të pritshëm", janë disa nga rekomandimet e dhëna. Ministria e Shëndetësisë nuk e ka ofruar në rrugë zyrtare raportin.