Veseli, kryeministër para Speciales

Aktuale October 26, 2016 - 08:02

Deputetë të LDK-së thonë se kreu i PDK-së, Kadri Veseli, po planifikon që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, duke e synuar postin e kryeministrit para se të funksionalizohet Gjykata Speciale. Pasi që, sipas tyre, kjo mendohet se do ta dëmtojë më së shumti partinë më të madhe në vend

Deklarata e kryeparlamentarit Kadri Veseli për ta kthyer normalitetin nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme vlerësohet të jetë bërë për disa arsye.

Sipas deputetëve të LDK-së, Veseli po synon të vijë në krye të ekzekutivit para funksionalizimit të Gjykatës Speciale, pasi që, kjo Gjykatë vlerësohet se do ta dëmtojë më së shumti PDK-në.

Ndërkaq, partitë opozitare vlerësojnë se i pari i PDK-së tashmë e ka kuptuar se koalicioni ka dështuar në shumë procese të rëndësishme. Mirëpo, ata nuk përjashtojnë mundësinë që kryetari i Parlamentit të jetë deklaruar pro zgjedhjeve për shkak të Speciales, pasi që kjo mendohet se do ta dëmtojë më së shumti partinë që e drejton Veseli.

Edhe analistët politikë konsiderojnë se nga Gjykata Speciale më së shumti do të dëmtohet PDK-ja dhe se kjo mund të jetë njëra prej arsyeve nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme. Megjithëkëtë, sipas tyre, zgjedhje nuk do të ketë gjatë këtij viti, por tek në vitin e ardhshëm.

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli para pak ditësh ka folur për zgjedhjet e parakohshme, me ç'rast për herë të parë ka vlerësuar se ato mund ta kthejnë gjendjen normale në vend. “Nuk është fundi i botës nëse nesër del një opsion me marrëveshje politike në mes të kampit të pozitës dhe opozitës që të shkohet në zgjedhje dhe të kemi normalitet”, ka deklaruar ai ditë më parë.

Veseli po synon të bëhet kryeministër dhe ta dëmtojë LDK-në

Përkundër tij, deputeti i LDK-së Adem Salihaj, ka vlerësuar se arsyeja kyçe se pse kryeparlamentari Kadri Veseli ka kërkuar zgjedhje, është frika nga Gjykata Speciale.

“Arsyeja kryesore është frika nga arrestimi dhe dërgimi në Gjykatën Speciale, e cila tashmë ka filluar të bëhet gogol dhe të shndërrohet në ankth për eksponentët  e krimit të organizuar në Kosovë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas tij, Veseli po kërkon ta marrë postin e shefit të ekzekutivit dhe ta dëmtojë Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Ai pretendon se mund t’i arrijë disa qëllime me këto zgjedhje: ta dëmtojë politikisht rivalin e saj tradicional LDK-në dhe të krijojë partnerë të tjerë për të ardhmen,duke ia siguruar vetes pozitën e kryeministrit të Kosovës”, ka shtuar tutje deputeti i kuvendit.

Sipas tij, zgjedhjet po kërkohen nga opozita, por jo nga LDK-ja. Ndërkaq, ka vlerësuar se Veseli po  vepron në këtë mënyrë, vetëm që të përfitojë duke e dëmtuar partnerin e koalicionit.

“Zgjedhjet janë insistim i vazhdueshëm i partive opozitare, por jo edhe i LDK-së. Kështu që Kadri Veseli po koketon me opozitën, me shpresë se më së shumti do ta dëmtojë LDK-në dhe përsëri ai dhe partia e tij do të përfitojnë, siç kanë përfituar sa e sa herë deri tash”, ka shtuar tutje Salihaj.

Kadriaj: Ky pushtet e ka humbur elektoratin

Ndërkaq, deputetja e AAK-së Time Kadriaj, ka vlerësuar se kërkesa për zgjedhje nga PDK-ja ka ardhur pasi që ata sipas saj, e kanë kuptuar që kanë bërë veprime aspak të duhura.

“Me siguri që kanë reflektuar për procese të ndryshme, e kanë konfirmuar atë që kjo vijë e demarkimit është bërë gabim, që asociacioni i komunave serbe është gabim”, ka deklaruar ajo.

Mirëpo, ashtu si ajo ka thënë, nuk përjashtohet mundësia që Veseli ta ketë marrë këtë hap për shkak të Gjykatës Speciale.

“Nuk e dimë cilët njerëz do të gjykohen, ndoshta edhe vetë deklarimi i Veselit ka të bëjë me këtë”, ka potencuar ajo.

Sipas saj, ky pushtet e ka humbur elektoratin dhe besimin e qytetarëve të Kosovës. Ndërsa, ashtu si ajo është shprehur, me këtë tempo nuk mund të shkohet përpara.

“Me këtë ritëm nuk mund ta çojnë procesin përpara. Jemi vendi i vetëm që kemi mbetur të izoluar edhe pse qeveritarët po mundohen që këtë barrë të mosliberalizimit të vizave t’ia lënë opozitës”, ka shtuar ajo.

Më pas, deputetja e AAK-së ka konsideruar se themelimi i Gjykatës Speciale ka qenë plotësisht i padrejtë.

Berisha: Veseli po synon të tregohet faktor

Kurse, deputeti i Nismës për Kosovën Zafir Berisha, ka thënë se deklarata e të parit të PDK-së për zgjedhje, ka ardhur pasi që edhe vetë ai e ka kuptuar që ky koalicion është bërë për interesa personale.

“Mendoj se do ta çojë vendin në zgjedhje për arsye se edhe ai është bindur se koalicioni PDK-LDK është bërë për intersa të ngushta të Hashmit dhe Isës, por jo edhe për qytetarët”, është shprehur ai.

Sipas Berishës, Veseli po synon që të tregojë se është një faktor, asgjë më shumë.

Ndërkaq, ka vlerësuar se Gjykata Speciale është një tradhëti e madhe që i është bërë shtetit të Kosovës.

“Gjykata Speciale për ta dënuar luftën e lavdishme të UÇK-së është tradhëtia më e madhe që ky koalicion ka arritur t’ia bëjë vendit dhe që rezultat do ta ketë eleminimin e shumë njerëzve, siç ka filluar me denimine grupit të Drenicës”, ka shtuar ai.

Zgjedhjet, të domosdoshme

Nga ana tjetër, Haki Abazi nga Rocfeller Brothers Fund, ka vlerësuar se Kosova është në një bllokadë të tërësishme.

“Vendi është në bllokadë të plotë dhe embargo të pashpallur. Ky lidership i ka mbyllur të gjitha dyert e bashkëpunimit ndërkombëtar”, ka thënë ai.

Sipas Abazit, zgjedhjet duhe të mbahen domosdo, por jo për arsyet e cekura nga partitë në pushtet.

“Zgjedhjet janë të domosdoshme, por jo për arsyet që po përmendin liderët që kanë shembur rendin kushtetues dhe kanë shkelur të gjitha procedurat dhe praktikat demokratike për të mbajtur pozitat dhe për të vepruar mbi ligjin”, ka shtuar ai.

Kurse, ka vlerësuar se Gjykata Speciale është njëra prej arsyeve që Veseli ka kërkuar zgjedhje.

“Gjykata Speciale gjithsesi ka rolin e vet në këtë fazë dhe proces. Është njëra prej arsyeve”, ka deklaruar Haki Abazi.

Gjykata më së shumti do ta godasë PDK-në

Ndërkaq, profesori universitar Blerim Burjani, ka vlerësuar se PDK-ja duhet të reformohet ngase sipas tij, nuk i ka punët aspak mirë prej Gjykatës Speciale.

“PDK duhet të reformohet skajshëm në aspektin kadrovik, përndryshe punët i ka shumë keq, kur t’i shtohet edhe Gjykata Speciale. Atëherë ky subjekt do të reformohet nga Gjykata Speciale”, ka deklaruar ai. Kjo pasi sipas tij, gjykata në fjalë do ta godasë më së shumti PDK-në.

Megjithëkëtë siç ka deklaruar Burjani, Kosova nuk do të shkojë në zgjedhje këtë vit, por vitin që vjen.

Ndërkaq, ka vlerësuar se nëse shkohet në zgjedhje, më së shumti do të humbasë Lidhja Demokratike e Kosovës.

“LDK mund të humbë më shumë nga këto zgjedhje eventuale për shkak të një koalicioni me një  partner që asnjëherë s’mund t’i besohet”, ka përfunduar ai./Zëri