Ortopedi Visar Nushi humbë betejën me 'Zërin'

Aktuale October 25, 2016 - 17:55

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës me vota unanime ka hedhur poshtë ankesën e ortopedit Visar Nushi kundrejt gazetës “Zëri”. Ortopedi Nushi është ankuar përmes avokatit të tij Gazmend Nushi, në lidhje me raportimet që gazeta “Zëri” ka bërë për skandalin e doktorit gjatë trajtimit mjekësor të të miturës N. Berisha, pasi në një ekspertizë mjekësore në Gjermani u konstatuan gabime të rënda mjekësore të bëra nga ana e tij.

Në komunikatën që ka lëshuar KMShK, thuhet se është konstatuar nga paneli se gjatë përpilimit të artikullit iu dhënë mundësia e prononcimit të gjitha palëve, dhe se gazeta Zëri ka përmbushur detyrimet nga Kodi gjatë raportimit të këtij artikulli. “Andaj u vendos që kjo ankesë të mos miratohet”, thuhet në përgjigjen e Këshillit të Mediave të Shkruara. Mbrojtja e Nushit është ankuar në shtatë pika në lidhje me artikullin e botuar në “Zëri”. Por, asnjëra nga pretendimet e avokatit nuk ka kaluar në Këshill.

Ndryshe, për këto të gjetura Nushi edhe po akuzohet nga Prokuroria për “trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor”.

Në aktakuzën prej tetë faqesh tregohet se si ai kishte bërë matje të gabuara të skoliozës tek fëmija derisa sëmundja kishte shkaktuar dëme në boshtin kurrizor, duke i dhënë formën e germës S. Tek në kohën kur sipas ekspertizës së kryer në Gjermani vajza do të duhej t’i nënshtrohej një intervenimi, doktor Nushi ka rekomanduar asaj një Ortezë.

Por, në një klinikë tjetër private në Prishtinë, vajzës i është vendosur një Korset “Milwaukee”, të cilën vajza e kishte bartur për një vit nga 23 orë në ditë. Falë kësaj disipline dhe kontrolleve të kryera nga Dr. Bahri Gjyshinca që kishte marrë përsipër mbikqyrjen, vajza sipas familjarëve të saj i ka shpëtuar operacionit. Megjithatë, ajo sot ballafaqohet me shkallë të lartë të skoliozës e për të cilën Nushi do të japë përgjegjësi para Gjykatës.