Kumnova: Mos përfitoni nën gjakun e të zhdukurve

Aktuale October 25, 2016 - 14:25

Përfaqësues të familjarëve të personave të zhdukur po konsiderojnë se politika kosovare nuk është duke bërë aq sa duhet për personat e zhdukur.

17 vite pas përfundimit të luftës, ende në Kosovë figurojnë mbi 1600 persona të zhdukur. Më të dashurit e tyre ende nuk e din se ku ndodhen eshtrat e familjarëve të tyre.

Ndërkaq, Nystrete Kumnova, nga organizata “Thirrjet e nënave”, ka thënë se shteti serb po luan me ndjenjat e familjarëve të të zhdukurve që nga viti 1999 kur dhe i ndau nga ta, shkruan zeri.info

Ajo thotë se vet koha tregon se sa po punohet nga ana e institucioneve në këtë proces, sipas saj presioni ndërkombëtar dhe ai vendor ndaj instancave serbe po mungon.

“ Ndaj procesit të pagjeturve, vet koha tregon, kanë kaluar 17 vite që nga përfundimi i luftës ende nuk është zbardhur fati i më të dashurve tanë të 1660 personave. Nuk ka pasur ndonjë presion për këtë punë as nga institucionet tona por edhe nga Bashkësia ndërkombëtare. Këtë çështje e kanë mbajtur peng, kur dihen informacionet, bisedimet janë duke u bërë vazhdimisht por Serbia e kushtëzon palën kosovare dhe përfiton nga pala jonë dhe në kurriz në të dashurit tanë”, ka thënë Kumnova për zeri.info

Kumnova ndër të tjera thotë se Kosova duhet me qenë më shumë këmbëngulëse në bisedimet me Serbinë, pasi siç thotë ajo pala kosovare duhet të kërkoj shtetit serb që t’i shpalos arkivat e tyre.

Ajo po ashtu thotë se shteti serb i di të gjitha vendndodhjet e varrezave masive të shumë shqiptarëve.

“ Kosova mundet me qenë më shumë këmbëngulëse në bisedimet me Serbinë sepse i posedon të gjitha faktet e mundshme për krimet serbe në Kosovë. Në Bruksel duhet të kërkohet më shumë që të hapen arkivat dhe të tregohet vendndodhja e personave të zhdukur dhe ti kthehen vendit të tyre ku me gjakun e tyre është livruar Kosova”, ka thënë Kumnova.

Madje ajo thotë se familjarët kanë kërkuar që të marrin pjesë në bisedimet me Serbinë në Bruksel në mënyrë që të jetë më shumë serioze kjo çështje.

“ Ne si familjarë, si nanë që ende më mungon djali im Albionin dhe shumë të tjerë jemi të iritum, a thua vallë do të vdesim edhe ne pa e ditur varrin e të dashurve tanë. Ne kemi kërkuar edhe në Bruksel dhe ta ngritim këtë çështje më shumë me ma seriozitet”, ka thënë Kumnova.

Ndryshe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka takuar kryesuesin e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Prenk Gjetaj.

Me kryesuesin Gjetaj, presidenti Thaçi ka biseduar rreth angazhimit për të mbyllur kapitullin e personave të pagjetur dhe për hapat e ardhshëm që duhet ndërmarrë./ZERI