Opozita s’mërzitet për liberalizim

Aktuale October 25, 2016 - 11:42

Pavarësisht se qytetarët do të mbesin pa viza edhe këtë vit partitë në opozitë nuk e kanë hallin aty. Ato po duan me çdo kusht rrëzimin e versionit aktual të Demarkacionit dhe nisjes së një procesi tërësisht të ri nga fillimi, raporton "Zeri.info"

Deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Aida Dërguti, ka thënë që nuk do të pranojnë asnjë deklaratë për vizat nëse në të nuk figuron propozimi i tyre që procesi i demarkacionit të kthehet në pikën zero. “Po shpresoj që gjatë diskutimit në Kuvend do të merren parasysh propozimet e opozitës, nëse këto propozime integrohen në deklaratën e sjell në Komisionin për Punë të Jashtme, atëherë ka gjasë të ketë pajtueshmëri, në të kundërtën për këtë draft aktual ne nuk pajtohemi”, ka theksuar Dërguti.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, është kundër kësaj deklarate nëse nuk merren parasysh propozimet e tyre. “Ne kemi kërkuar që të bëhet rishikimi i tërë procesit të demarkacionit, ndërsa këta i përmendin vetëm dallimet që i kemi mes vete, por duke mos e futur në draft rishikimin e procesit”, është shprehur Lekaj.

Ndërsa deputeti i “Nismës për Kosovën”, Haxhi Shala, e ka quajtur përfitim në kohë deklaratën e propozuar nga kryetari Veseli. “Kjo deklaratë për mua nuk është asgjë tjetër vetëm fitim në kohë”, ka theksuar Shala./Zeri/.