Me viza edhe këtë vit, humbëm të gjitha afatet

Aktuale October 25, 2016 - 07:53

Kosova po i humb të gjitha afatet për ta marrë liberalizimin e vizave nga BE-ja këtë vit. Kushti për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi nuk po plotësohet dhe për këtë shkak qytetarët e vendit nuk do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen

Qytetarët e Kosovës edhe këtë vit do të vazhdojnë të mbesin të izoluar, duke mos mundur të lëvizin lirshëm në zonën Schengen. Kjo pasi institucionet e Kosovës nuk po i kryejnë obligimet e tyre të vëna si kusht nga Bashkimi Evropian. Demarkacioni me Malin e Zi, i cili është kusht i pakapërcyeshëm për ta marrë liberalizimin, institucionet nuk e kanë ndërmend të kryejnë, duke qenë se nuk e kanë si prioritet.

Madje krerët e institucioneve çdo fushatë zgjedhore liberalizimin e kanë pasur si top-prioritet, ani pse asnjëherë nuk u përmbush.

Gazeta “Zëri” javë më parë ka botuar një dokument të përgatitur nga Ministria e Jashtme e Kosovës, sipas të cilit, Qeveria e Kosovës synonte që Marrëveshja për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi të kalojë në Parlament prej datës 25-27 tetor 2016, në mënyrë që të arrihen afatet e nevojshme për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian gjatë këtij viti. Në të kundërtën heqja e vizave me BE-në shtyhet për vitin tjetër. Por, në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit, të mbajtur dje, është bërë e ditur se në seancën e 27 shtatorit nuk do të jetë pikë e rendit të ditës demarkacioni i kufirit me Malin e Zi.

Magjistri i së drejtës së BE-së, Artan Murati, ka thënë për gazetën “Zëri” se afatet për liberalizimin e vizave tanimë janë tejkaluar qëmoti. “Tanimë është e ditur që viti 2016 do të kalojë pa liberalizim sepse nuk jemi as afër përmbushjes se dy kritereve të mbetura me të cilat është kushtëzuar Kosova nga Komisioni Evropian: ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Edhe nëse këto dy kushte plotësohen liberalizimi përsëri nuk është i garantuar”, ka thënë Murati.

Por, institucionet e vendit janë shprehur të bindura se kanë përmbushur kriteret e kërkuara nga BE-ja, gjë që nuk pajtohet Murati, sipas të cilit, Kosova ka dështuar në përmbushjen e detyrave të shtëpisë. Mirëpo BE-ja, sipas tij, është treguar jo e drejtë në këtë proces.

Ukrainës i hiqen vizat, pavarësisht problemeve në Krime

“Fillimisht BE-ja ka paraparë gati përgjysmë më shumë kritere për liberalizim për Kosovën sesa për vendet tjera të rajonit, kur dihet që niveli i përgjithshëm i zhvillimit në Ballkan është pothuajse i njëjtë. Po ashtu, BE-ja ka proceduar me liberalizim më shumë shtete që kanë probleme të mëdha me sundimin e rendit dhe të ligjit, siç është Peruja dhe Kolumbia. Edhe Ukraina parashihet ta marrë liberalizimin e vizave në fund të nëntorit, përkundër faktit se Krimea vazhdon të jetë e aneksuar nga Rusia dhe ka paqartësi politike e juridike se kujt i takon ai territor”, ka theksuar ai. Për krejt këtë mosseriozitet, sipas Muratit, çmimin më të madh po e paguajnë qytetarët e Kosovës.

 Veseli: Po dënohen qytetarët për faj të politikës

Ndërkohë institucionet e vendit në vend se të merreshin vesh bashkë me opozitën për ta ratifikuar Demarkacionin me Malin e Zi, ata po merren me hartimin e deklaratave në të cilat shprehin vullnetin për liberalizim.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës e edhe i PDK-së Kadri Veseli, ka thënë se qytetarët e Kosovës janë të izoluar padrejtësisht në çështjen e liberalizimit të vizave. Derisa, e ka quajtur të pamerituar izolimin për shkak të çështjes së demarkacionit. “Është e pamerituar se për çështjen e demarkacionit të dënohen qytetarët tanë dhe të izolohen për vite të tëra”, ka thënë Veseli, i cili ka kritika edhe për partitë opozitare të cilat po kërkojnë rishikimin e plotë të procesit të shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi. Kreu i Kuvendit ka theksuar se nuk do të pranohen kërkesat e opozitës që në tekstin e deklaratës, që pritet të diskutohet në seancën e së enjtes, të futet edhe një pikë, e cila kërkon rishikimin e tërë procesit. “Pse ta pranojmë ne opozitën, çfarë të drejta kanë ata më shumë se ne? Cili është qëndrimi i tyre? Nuk është aspak korrekte që një opozitë, e cila për hir të tekeve për pushtet, vetëm t’i arrijë qëndrimet e veta të ndëshkohen qytetarët dhe vendi”, është shprehur Veseli, i cili ua ka lënë qytetarëve që të gjykojnë.

 Opozita s’mërzitet për liberalizim

Pavarësisht se qytetarët do të mbesin pa viza edhe këtë vit partitë në opozitë nuk e kanë hallin aty. Ato po duan me çdo kusht rrëzimin e versionit aktual të Demarkacionit dhe nisjes së një procesi tërësisht të ri nga fillimi. Deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Aida Dërguti, ka thënë që nuk do të pranojnë asnjë deklaratë për vizat nëse në të nuk figuron propozimi i tyre që procesi i demarkacionit të kthehet në pikën zero. “Po shpresoj që gjatë diskutimit në Kuvend do të merren parasysh propozimet e opozitës, nëse këto propozime integrohen në deklaratën e sjell në Komisionin për Punë të Jashtme, atëherë ka gjasë të ketë pajtueshmëri, në të kundërtën për këtë draft aktual ne nuk pajtohemi”, ka theksuar Dërguti.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, është kundër kësaj deklarate nëse nuk merren parasysh propozimet e tyre. “Ne kemi kërkuar që të bëhet rishikimi i tërë procesit të demarkacionit, ndërsa këta i përmendin vetëm dallimet që i kemi mes vete, por duke mos e futur në draft rishikimin e procesit”, është shprehur Lekaj.

Ndërsa deputeti i “Nismës për Kosovën”, Haxhi Shala, e ka quajtur përfitim në kohë deklaratën e propozuar nga kryetari Veseli. “Kjo deklaratë për mua nuk është asgjë tjetër vetëm fitim në kohë”, ka theksuar Shala.