Gjashtë dështimet e “Koalicionit të elefantëve”

Aktuale October 25, 2016 - 07:48

Qeverisë së Kosovës i janë grumbulluar të paktën gjashtë probleme madhore gjatë dy vjetëve të para të mandatit të saj. Pavarësisht numrit të madh të votave në Kuvend, “Koalicioni i elefantëve” nuk po arrin ta miratojë Demarkacionin, Asociacionin, t’i themelojë Forcat e Armatosura të Kosovës,...

 Mandati qeverisës i koalicionit LDK - PDK dhe Listës Serbe, apo siç u quajt para dy vjetëve “Koalicioni i elefantëve”, po kalon, ndërsa problemet po i grumbullohen.

Disa për arsye të brendshme e disa të tjerë nga faktorë të jashtëm shënojnë të paktën gjashtë probleme themelore me të cilat Kosova është ballafaquar viteve të fundit.
Mosratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, mosliberalizimi i vizave, mosformimi i ushtrisë, problemet me listat e veteranëve, dështimi i implementimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe “tërmeti”, që pritet të shkaktohet së shpejti nga fillimi i punës së Gjykatës Speciale, janë dështimet kryesore për partnerët e koalicionit që kanë pasur shumicën absolute të ulëseve në Kuvend. 

Madje sipas analistëve politikë në vend, Kosova po cenon edhe marrëdhëniet e saj me Bashkësinë Ndërkombëtare për shkak të mosefikasitetit të saj në përfundimin e marrëveshjeve.

Qeveria po punon në finalizimin e këtyre proceseve

Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, njëherësh zëvendësministër i Pushtetit Lokal, ka thënë për “Zërin” se Qeveria është duke punuar në finalizimin e marrëveshjeve në fjalë, sado që, sipas tij, ka vështirësi në finalizimin e tyre.

“Kosova ka nënshkruar shumë marrëveshje ndërkombëtare, të cilat janë në zbatueshmëri, por që ka edhe të tjera të cilat janë në përpunim e sipër. Natyrisht ka vështirësi dhe pengesa në realizmin e tyre, por si Qeveri e Kosovës jemi duke punuar vazhdimisht në realizmin e tyre”, ka thënë ai në një prononcim për “Zërin”.

Sa i takon Demarkacionit, Gecaj ka vlerësuar se një pjesë të fajit për mosfinalizimin e kësaj marrëveshjeje e bart opozita.

“Demarkacioni është çështje e Kosovës. E dimë që jemi në një luftë primitive me opozitën tonë ndaj këtij procesi. Ky proces po shpresojmë që shumë shpejt të përfundojë dhe të vazhdojmë me prioritetet e tjera”, ka shtuar ai.

Zvarritja e marrëveshjeve, rezultate negative

Por zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka vlerësuar se janë dy arsye pse është zvarritur finalizimi i këtyre çështjeve, ku, sipas tij, Qeveria e mban fajin kryesor për një gjë të tillë.

“E para: pse Qeveria ka pasur qasje të gabuar ndaj tyre, madje në disa raste edhe duke nënshkruar marrëveshje që kanë rezultuar të jenë në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe e dyta, pse Qeveria nuk ka pasur fuqi që gabimet e veta t’i korrigjojë përmes votës”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, “Në planin e jashtëm është rrezikuar liberalizimi i vizave, kanë rënë investimet e huaja dhe janë ndërprerë njohjet ndërkombëtare të Kosovës. Në planin e brendshëm ndërkaq është shkaktuar krizë politike, e cila ka reflektuar edhe në funksionalitetin e institucioneve, siç është edhe Kuvendi”, ka shtuar anëtari i Kryesisë së AAK-së.

Haxhiu: Kjo Qeveri po i kushton shumë Kosovës

Nga ana tjetër deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës ka lënë shumë procese të rëndësishme anash, kurse ka kontribuuar në disa procese të tjera të dëmshme.

“Kosovës po i kushton shumë kjo Qeveri. Pasojat e saj janë të mëdha. Ajo ka lënë anash çështjen e ushtrisë, nuk ka bërë asnjë hap për ta luftuar korrupsionin e për t’i liberalizuar vizat teksa është munduar ta imponojë ‘Zajednicën’ e Demarkacionin me Malin e Zi, si dhe ka sjellë Gjykatën Speciale”, ka potencuar ajo.

Sipas saj, Qeveria e tanishme po e izolon Kosovën, po ia rrezikon sovranitetin e integritetin territorial asaj dhe po e përlyen luftën çlirimtare.

Në vazhdim Haxhiu ka vlerësuar se Marrëveshja e Demarkacionit nuk është finalizuar si rezultat i rezistencës së qytetarëve dhe partive opozitare.

“Konsiderojmë se Demarkacioni nuk është finalizuar për shkak të rezistencës qytetare e opozitare, për shkak se si i tillë që është ia humb Kosovës 8200 hektarë dhe mirë që s'u realizua si projekt”, është shprehur ajo.

E sa i takon listave të veteranëve, sipas saj, këto lista janë karakterizuar me probleme, ngase pushteti ka futur militantë e familjarë nëpër to.

Ndërkaq, për proceset e tjera siç është liberalizimi i vizave e krijimi i ushtrisë, sipas deputetes së LVV-së, fajin e mbart vetë Qeveria.

“Vizat kanë ngecur sepse po bëhen vite që Kosova nuk bën më të voglin hap në luftën ndaj krimit e korrupsionit. Për Ushtrinë Qeveria nuk ka pasur vullnet dhe ka pranuar të kushtëzohet vazhdimisht nga Lista ‘Srpska’”, ka shtuar ajo.

Berisha: “Koalicioni i elefantëve”, për t’i përmbushur ambiciet e veta

Kurse deputeti i “Nismës për Kosovën”, Zafir Berisha, ka vlerësuar se mosfinalizimi i këtyre marrëveshjeve do të sjellë pasoja për Kosovën.

“Kosova do të vuajë edhe më shumë se tash nga anarkia institucionale që vjen si rezultat i koalicionit të papërgjegjshëm qeverisës”, ka thënë ai.

Sipas tij, arsyeja kyçe e mosrealizimit të tyre ka të bëjë pikërisht me koalicionin qeverisës PDK-LDK.

“Nuk janë realizuar dhe nuk do të realizohet asnjë nga këto çështje sepse ky ‘Koalicion i elefantëve’ nuk është për të zgjidhur çështje me interes për vendin dhe qytetarët e saj, por për t’i përmbushur ambiciet e njësive parapolitike të partive të tyre dhe të shefave”, është shprehur ai.

Sipas Berishës, për këtë edhe duhet të shkohet në zgjedhje sa më shpejt për t’ua hapur rrugën proceseve në fjalë.

“Të mos merren gjërat ashtu si na ofrohen”

Nga ana tjetër Afrim Hoti, profesor i së drejtës ndërkombëtare, ka vlerësuar se para se të nënshkruhen marrëveshjet duhet të shikuar se për çfarë po arrihen ato marrëveshje.

“Kjo nuk do të thotë të merren gjërat ashtu siç na ofrohen, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të përpiktë se për çka po bëhet marrëveshje, në mënyrë që të mos ketë probleme në të ardhmen”, ka theksuar ai.

Mosfinalizimi i tyre, siç thotë Hoti, sjell pa dyshim pasoja për shtetin e Kosovës.

“Mosrealizmi i disa prej marrëveshjeve ndërkombëtare sigurisht që sjell pasoja të ndryshme për vendin”, ka shtuar Hoti.

Kurse moszbatimi i tyre në praktikë, sipas tij, nuk sjell imazh aspak të mirë për Kosovën.

Zvarritja e proceseve, më së shumti pësojnë qytetarët

E politologu Ramush Tahiri, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka marrë obligimin para bashkësisë ndërkombëtare që do ta kryejë Demarkacionin dhe Asociacionin.

Mirëpo pasi Demarkacioni nuk ka arritur të finalizohet deri më tash, sipas tij, një gjë e tillë ka sjellë edhe raporte jo të mira me ndërkombëtarët.

“Demarkacioni ka hasur në vështirësi dhe ka acaruar situatën politike në vend. Kjo ka shkaktuar edhe raporte jo të mira me faktorin ndërkombëtar, sepse jo vetëm që është i rëndësishëm si kusht për liberalizimin e vizave për kosovarët, por është edhe si kusht për raportet e tjera me Malin e Zi”, ka deklaruar Tahiri.

Me këtë, siç thotë ai, Qeveria nuk është treguar efikase dhe ka vënë në pikëpyetje vetë ekzistencën e koalicionit.

Kurse nga zvarritja e këtyre proceseve, sipas Tahirit, më së shumti pësojnë qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Prej krejt kësaj momentalisht po vuajnë qytetarët, për liberalizimin e vizave vuajnë qytetarët, jo qeveritarët. Ata i kanë vizat, normalisht që po vuajnë qytetarët dhe ne po mbesim të izoluar”, ka theksuar ai.

Ndërkaq ka vlerësuar se finalizimi i Gjykatës Speciale varet nga bashkësia ndërkombëtare.

“Gjykata Ndërkombëtare është raporti me faktorin ndërkombëtar sepse edhe iniciativa ka rrjedhur prej faktorit ndërkombëtar, jo prej faktorit vendor. Faktori vendor nuk është treguar i vëmendshëm që rastet e Kosovës të mos i internacionalizojë, por t’i kryejë në gjykatat tona”, ka shtuar ai, duke theksuar se ai personalisht është kundër themelimit të kësaj forme të Gjykatës.

Tahiri më tutje ka thënë se lista e veteranëve nuk ka të bëjë me Qeverinë e Kosovës.

“Lista e veteranëve është procedurë krejt tjetër. Është ekskluzive e shoqatave të veteranëve dhe për mendimin tim është ofenduese pse i kërcënojnë veteranët me Prokurorinë. Unë mendoj që Prokuroria në këtë punë është turpi ynë”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo mbetet në nivel të organizimit të vetë ish-UÇK-së dhe veteranëve dhe nuk duhet të përzihet as Qeveria e as pushteti.

Qeriqi: Vonesat me veteranët, të qëllimshme

Mirëpo Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, ka thënë se vonesat në këtë drejtim po bëhen në mënyrë të qëllimshme.

“Vonesat e identifikimit të plotë për ushtarët e UÇK-së po bëhet qëllimisht, nuk janë marrë parasysh ende ankesat e shumë personave për këto lista”, ka thënë ai.

Sipas tij, sa i përket pagesave të veteranëve, Qeveria është e obliguar ta kryejë detyrën e vet.

Qeriqi më tutje ka thënë se është dashur të bëhet një raport për numrin e saktë të tyre. Sipas tij, Qeveria po del me gabime sa herë që po e bën verifikimin.

“Procesi i verifikimit është stërzgjatur, janë më shumë se tri vjet qëkur ka filluar Qeveria ta bëjë verifikimin e veteranëve e që në fund del me gabime të mëdha dhe thotë se duhet të rishqyrtohen përsëri”, ka shtuar ai.

Quni: Vonimi i Speciales nuk varet nga ne

Kurse sa i takon Gjykatës Speciale, ish-përgjegjësi i Batalionit Vëzhgues në Zonën e Dukagjinit, njëherësh deputet i LDK-së, Anton Quni, ka thënë se finalizimi i saj nuk varet prej institucioneve të Kosovës, pasi që, ashtu si ai është shprehur, Kosova i ka përmbushur kriteret. “Ngecjet dhe zvarritjet nuk janë çështje që varen nga ne. Kosova i ka përmbushur detyrat e saj në krijimin e infrastrukturës juridike të Gjykatës Speciale, duke përfshirë këtu aprovimin nga Kuvendi i Kosovës të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Holandës”, ka thënë ai.

Quni më tutje ka thënë se vonesat janë rezultat i procedurave të shtetit të Holandës, ku edhe pritet ta ketë selinë Gjykata Speciale.