Familjarët e të pagjeturve s’ju besojnë pushtetarëve
Familjarët e të pagjeturve kërkojnë nga institucionet e Kosovës që të jenë pjesë e delegacionit të Prishtinës në bisedimet me Serbinë, në Bruksel. Ata kërkojnë që në kuadër të këtij delegacioni të jenë dy anëtarë nga shoqatat e familjarëve të të pagjeturve
Familjarët e të pagjeturve kanë kërkuar që të marrin pjesë si anëtarë të delegacionit gjatë procesit të bisedimeve me Serbinë, në Bruksel. Ata thonë se kanë humbur besimin tek përfaqësuesit e shtetit për të sjellë trupat e të afërmeve të tyre nga Serbia. Sipas tyre institucionet e shtetit dështuan për 17 vite që të bëjnë presion për të zbardhur fatin e të pagjeturve. Për këtë arsye, familjarët e shohin pjesëmarrjen e dy prindërve në delegacion si një shpresë që të adresohet siç duhet rasti i të pagjeturve në Bruksel.
Nysrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e Nënave” ka thënë se është koha e fundit që fati i të pagjeturve të bisedohet në Bruksel. “Frikësohem se familjarët do të vdesin duke shpresuar që t’ju sjellin trupat e të afërmeve të tyre”. Ajo thotë se janë bërë 17 vjet dhe përveç presionit nga ana e familjarëve nuk ka pasur ndonjë presion tjetër. Kumnova thotë se institucionet e Kosovës nuk kanë kryer obligimin e tyre ndaj të pagjeturve si qytetarë të këtij vendi. Në mesin e 35 të pagjeturve nga Gjakova gjendet dhe biri i saj Albioni. Kumnova thotë se duhet presion më i madh vendor dhe ndërkombëtar tek Serbia.
“Serbia ka bërë krime në Kosovë me planprogram dhe i disponon të gjitha të dhënat se ku ndodhen njerëzit tanë”, thotë ajo. Kumnova thotë se neglizhenca e institucioneve të Kosovës në raport me të pagjeturit, ka shtyrë familjarët të kërkojnë përfaqësim në takimet në Bruksel. “Kemi kërkuar që në kuadër të delegacionit të Kosovës gjatë takimeve në Bruksel të jetë një nënë dhe një baba që ka fëmijë të humbur”. Kumnova beson se vetëm pjesëmarrja e familjarëve të ngushtë të të pagjeturve do të përfaqësonte me dinjitet dhe këmbëngulje kërkesën për zbardhjen e të pagjeturve. “Këtë kërkesë ka kohë që e kemi bërë, por tani kemi kërkuar me më shumë këmbëngulje”. Në të kundërtën, ajo thotë se nga përfaqësuesit e Kosovës do të zvarritet ende zbardhja e fatit të të pagjeturve.
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka thënë se çështja e të pagjeturve është kërkuar që të jetë si temë e bisedimeve. “Ne e kemi paraqitur si kërkesë që pas zbatimit të marrëveshjeve të mbetura të jetë në rend diskutimi në tavolinë dhe zbardhja e fatit të të pagjeturve”, ka thënë Tahiri për gazetën. Ajo ka theksuar se që nga viti 2011-të në bisedime me Serbinë është shtruar dhe çështja e të pagjeturve. Kërkesa e palës së Kosovës, sipas Tahirit ka qenë që të dorëzohen nga pala serbe listat e vendndodhjes së varrezave masive. “Këto lista nuk na janë dorëzuar asnjëherë”, ka thënë Tahiri. Ajo ka theksuar se në raundin e tretë të bisedimeve do të kërkohen këto lista. Tahiri ka thënë se pala kosovare do të insistojë që bisedimet të mos bëhen më ndërmjet dy komisioneve me mbikëqyrje të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, por të jenë drejtpërdrejt në kuadër të bisedimeve.
Rreth 1700 shqiptarë të Kosovës konsiderohen të zhdukur që nga lufta e vitit 1999, kur u kidnapuan nga forcat serbe.
Në Serbi prej vitit 2011 ka lokacione të shënjuara, ku ka dyshime për varreza masive, por që asnjëherë nuk janë gërmuar.