Kanuni sfidon ligjin, grave nuk u jepet trashëgimia

Aktuale October 21, 2016 - 08:21

Femrave hezitohet t’u jepet trashëgimia pas shkurorëzimit nga bashkëshortët. Shpesh ato fshihen edhe nga akti i vdekjes së prindit, prandaj në Kosovë vazhdon të dominojë ligji tradicional sa i përket trashëgimisë së femrave     

Me dhjetëra gra po enden gjykatave duke kërkuar të drejtën për trashëgimi në pronë. Ndonëse, Ligji për Trashëgiminë në Kosovë ua mundëson atyre ta trashëgojnë pasurinë, familjarët apo bashkëshortët po i ikin ligjit në forma të ndryshme për të mos ua dhënë bijave apo ish-grave.  

N. Bukleta thotë se ka 14 vjet që është nëpër gjykata dhe ende nuk është zgjidhur rasti i saj. Ajo ka paditur vëllain e saj për mosndarjen e pasurisë së trashëguar nga babai.

“I jam drejtuar gjykatës për të marrë hisen e babait. Dua të marrë pronën që më takon nga trashëgimia e babait dhe nënës”, thotë Bukleta për gazetën. Ajo thotë sesi rasti i saj është endur nëpër gjykata pa u dhënë ndonjë verdikt përfundimtar deri më tash. “Katër herë kam shkuar në Apel dhe përgjigjja që me jepej ishte ‘Jo, s’është e kryer ende’”, shprehet ajo. Bukleta thotë se ndikon shumë që është femër dhe nuk i takon pasuria.
“As gjykatave s’po u besoj më, as avokatëve, as komunave sepse po e zvarrisin çështjen”, thotë ajo duke rrëfyer se është bërë shprehi që sapo shkon në gjyq t’i drejtohen palës me fjalët : “Për 10-15 vjet nuk kryhet ky muhabet (çështje)”, që sipas saj po i zhgënjen femrat t’i drejtohen gjykatave.
Edhe G. Ahmeti thotë se po kërkon pronën e saj nga familja. Ajo thotë se prejse po kërkon pronën e saj nga i vëllai, familja nuk flet më me të. “Dua vetëm pjesën që më takon sipas ligjit”, thotë ajo për “Zërin”. Ajo thotë se tani ka problem sepse e ka vështirë nga Kadastra të marrë dokumentin e cila ia mundëson që pronën ta vendosë në emër të saj. “Ka një vit që kërkoj në Kadastër dokumentin, jo shko në gjykatë, jo andej, jo këndej dhe po zvarritet ende”. Ahmeti thotë se femrat frikësohen të kërkojnë trashëgimin pasi, sipas saj, po ta bëjnë këtë i humbin anëtarët e familjes. “Familja më nuk u flet sikurse po ndodh me mua”, thotë ajo për gazetën.

As nga burrat, as nga babai femrat nuk marrin trashëgiminë

Shumica e grave që ndahen nga bashkëshortët në Kosovë nuk e marrin trashëgiminë nga bashkëshorti. Legjitimimi i pasurisë në adresë të burrave po “ndihmohet” sipas OJQ-ve nga organet gjyqësore. Zvarritja e lëndëve nga gjykatat, mosprezenca e burrave në seanca, kërcënimet ndaj grave..., po e vështirësojnë ndarjen e pronës në mënyrë të barabartë. Ndonëse, fushata vetëdijesuese nga organizatat joqeveritare u ndërmorën për të njoftuar femrën rreth të drejtave të tyre në pronë sipas Ligjit për Trashëgiminë, të aprovuar në Kuvend që më 2004-n, Kadire Tahiraj, nga Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave, në Komunën e Drenasit, thotë për gazetën se Ligji për Trashëgiminë nuk zbatohet në këtë komunë.

Sipas saj, ky ligj zbatohet vetëm kur ekziston vullneti tek burrat që t’ua japin pasurinë grave, në të kundërtën ajo thotë se gratë nuk e marrin trashëgiminë. “Ky ligj nuk zbatohet, ekziston apo nuk ekziston s’i intereson askujt”. Ajo ka thënë se gruaja që ka qenë e martuar 20 vjet me bashkëshortin dhe e cila ka punuar në atë shtëpi nuk ka marrë fare trashëgimi. “Tani jeton tek vëllai i saj”, thotë Tahiraj për “Zërin”. Tahiraj thotë se janë vetë gjykatat ato që po shkelin ligjin, duke mbajtur anën e burrave dhe duke dëmtuar gratë në trashëgimi. “Është edhe një problem që nuk ua japin trashëgiminë grave, pasi që pasuria ende figuron në emër të stërgjyshit, nuk e kanë bartur tek vetja dhe shumë lehtë bashkëshorti arsyetohet se nuk ka pronë të tij duke lënë gruan pa asgjë”, tha ajo.

Tahiraj thotë se femrat nuk mund të marrin pasurinë që u takon as nga familja këtu, sipas saj, vëllezërit apo babai nuk ua japin pasurinë atyre.

 Nuk figurojnë në aktin e vdekjes së prindit

Miradije Gashi, drejtoreshë e OJQ-së “Venera” në Pejë, thotë për gazetën se rrënjët e mentalitetit që janë përcjellë nga e kaluara historike e tradicionale janë më të forta sesa ligji. Gashi thotë se ligjet e Kosovës, të cilat e rregullojnë çështjen trashëgimore dhe pronësore nuk zbatohen dhe femra po përjashtohet nga trashëgimia. “Shumë pak femra po arrijnë të marrin trashëgiminë. Rastet neglizhohen shumë nëpër gjykatat dhe lëndët po zgjasin me vite. Pastaj femrat po vendosin të tërhiqen sesa të presin me vite”, thotë ajo për gazetën. Gashi thotë se për t’i ndjekur procedurat gjyqësore duhen edhe shumë të holla, gjë që, sipas saj, po paraqet problem tek femrat të cilat janë të papunësuara dhe një pjesë e tyre po ndikon të mos e kërkojnë trashëgiminë.
“Së pari femra po përjashtohet prej marrëveshjes familjare, kurse rasti i dytë kur fillon procedura së pari procedura administrative përjashtohen nga akti i vdekjes (së prindit), aty nuk figuron motra në aktin e vdekjes. Gjykata nuk i fton sepse nuk figuron motra. Është njëfarë rruge që femrat po i përjashton prej trashëgimisë”, thotë ajo.
Sipas Gashit, në njërën anë po bëhet vetëdijesimi i femrës se ligjet e përkrahin të drejtën trashëgimore të femrës dhe në anën tjetër po u mohohet e drejta. Në një pyetësor, që ka realizuar OJQ “Venera”, Gashi thotë se kanë marrë përgjigje nga meshkujt se nuk u takon trashëgimia femrave ose u takon sipas sheriatit (dy femra sa një mashkull). Prandaj, ajo thekson se për t’u zbatuar Ligji për Trashëgiminë më tepër ka nevojë që të bëhet vetëdijesimi i meshkujve.

 Mentaliteti i vjetër lë femrat pa trashëgimi

Bekim Avdimetaj gjyqtar për çështje pronësore në Komunën e Deçanit, thotë se ndonëse ka vite që ligji ekziston, ekzistojnë ende rastet kur femra nuk është e njoftuar për të drejtën e saj në trashëgimi. Zakonisht, ai thotë se femrat deklarohen në favor të vëllait dhe heqin dorë nga trashëgimia. Ai thotë se mentaliteti është ende ai i vjetri dhe hezitojnë sidomos femrat të kërkojnë pasurinë e vëllait. “Ndodh që në gjykatë i fshehin, nuk i paraqesin krejt anëtarët, por për këtë pastaj japin përgjegjësi dhe këto raste hetohen nga gjykata”.