Shqiptarët në Ballkan, të defaktorizuar

Aktuale October 21, 2016 - 08:08

Mungesa e unitetit të faktorit politik shqiptar në Ballkan ka bërë që shqiptarët e ndarë në pesë shtete të jetojnë të defaktorizuar. Politikanët dhe analistët nga Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe nga Kosova thonë se vetëm uniteti forcon kombin. Megjithatë më së keqi, sipas tyre, jetojnë shqiptarët në Serbi

Partitë politike shqiptare në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës po vazhdojnë të funksionojnë të ndara derisa situata e tanishme politike dhe ajo e sigurisë në këto shtete nuk është fare e lakmueshme. Kështu së paku kanë deklaruar përfaqësuesit e shqiptarëve të ndarë në këto shtete, të cilët kanë thënë se partitë përfaqësuese duhet të bien në ujdi për t’u faktorizuar si shqiptarë. E gjithashtu një pjesë të fajit për këto thyerje ndërvëllazërore i kanë edhe dy shtetet “amë”, Kosova dhe Shqipëria, të cilat nuk kanë bërë sa duhet ose hiç për pakicat shqiptare në këto tri shtete. 

Nga ana tjetër, analistët politikë në Maqedoni mbeten skeptikë nëse do të arrihet unifikimi. Ata thonë se shqiptarët, të cilët banojnë në këtë shtet, tashmë janë tërësisht të zhgënjyer. Pavarësisht këtyre, analistët politikë nga Kosova vlerësojnë se shqiptarët nuk kanë qenë asnjëherë më mirë sesa që janë sot, duke përjashtuar këtu shqiptarët në Serbi, të cilët aktualisht janë në një situatë mjaft të vështirë.

Sela: Duhet një strategji e përbashkët 

Ziadin Sela, kryetar i Strugës dhe përfaqësues i Lëvizjes për Reforma të PDSH-së, ka vlerësuar se shqiptarët në Maqedoni momentalisht janë në një situatë aspak të lakmueshme.

“Deri këtu ka ardhur si rezultat i një politikëbërjeje të gabueshme të partive ekzistuese këtu në Maqedoni, të cilat algoritmin e tyre politik e kanë pasur të udhëhequr vetëm mbi bazën e majës së pushtetit dhe servilimit para partive politike maqedonase”, ka thënë ai në një prononcim për gazetën “Zëri”.

Sipas tij, shqiptarët në Maqedoni do të mund të faktorizohen vetëm nëse arrijnë një unifikim të veprimeve. “Natyrisht që për ta kaluar këtë situatë duhet një unifikim i subjekteve politike shqiptare, më tepër do ta quaja unifikim në veprime sesa unifikim fizik, me një strategji politike të përbashkët të të gjitha subjekteve politike”, ka shtuar ai.

Më tutje ai ka thënë se shqiptarët do të arrijnë avancim më të lartë vetëm nëse e respektojnë ligjin. “Unë mendoj që shqiptarët në përgjithësi edhe shqiptarët në Maqedoni do të jenë më të avancuar sa më shumë që e respektojnë ligjin”, ka thënë ai.

Kurse sa u takon shqiptarëve të Maqedonisë, i pari i Strugës ka thënë se ata ende po ballafaqohen me probleme të të drejtave themelore.

“Sa u përket shqiptarëve në Maqedoni, kanë probleme me të drejtat kolektive dhe me të drejtat që kanë të bëjnë me liritë e individit”, ka potencuar Sela, i cili është zotuar se nëse del fitues në zgjedhjet e 11 dhjetorit do të kontribuojë në unifikimin e shqiptarëve në këtë pjesë.

“Nëse lëvizja për reforma ‘Aleanca për Shqiptarët’ i fiton zgjedhjet, nuk do të vrapojmë që të bëhemi pjesë e qeverisë, po përkundrazi do t’i ftojmë të gjithë liderët e partive politike në një tryezë të përbashkët për ardhmërinë e shqiptarëve këtu”, ka deklaruar Sela.

 Partitë shqiptare në Mal të Zi, të paunifikuara

Ish-deputeti shqiptar në Kuvendin malazez, njëherësh nënkryetar i partisë “Ura”, Dritan Abazoviq, ka thënë se njëra prej arsyeve kryesore se pse shqiptarët dështuan në zgjedhjet e mbajtura para pak ditësh ka të bëjë me mosunifikimin e tyre.

“Partitë nacionale shqiptare nuk janë të unifikuara. Në këto zgjedhje kanë garuar në tri lista, ku veç njëra ka kaluar, kurse dy të tjerat nuk kanë arritur të hyjnë në Kuvend dhe thuajse gjysma e votave shqiptare janë ‘shkrirë’ për shkak të mosunifikimit si një trup me një listë”, është shprehur ai për “Zërin”.

Arsyeja tjetër, sipas tij, lidhur me këtë çështje ka të bëjë me mosplotësimin e premtimeve nga pala shqiptare.

“Partitë shqiptare nuk i kanë plotësuar premtimet e dhëna shqiptarëve çdoherë para zgjedhjeve, edhe pse pothuajse çdoherë janë pjesë e Qeverisë”, ka theksuar Abazoviq, sipas të cilit, njëri prej premtimeve ka qenë edhe arsimimi i lartë në gjuhën shqipe.

Andaj sipas Abazoviqit, faktorizimi i shqiptarëve mund të ndodhë vetëm nëse arrihet një bashkim i subjekteve në Mal të Zi. “Përmirësimi bëhet me unifikimin e të gjitha partive nacionale shqiptare në një dhe ai përfaqësim të jetë dinjitoz dhe me kushte”, ka theksuar Abazoviq.

Madje, ashtu si ai ka thënë, tanimë është koha që të tregohet mençuria e shqiptarëve, pasi që ata kanë një deputet në Kuvend. “Tash e kanë rastin më mirë se kurrë që të tregojnë vigjilencë dhe guximshmëri, sepse për formimin e qeverisë Gjukanoviqit i nevojitet medoemos mandatari nga radhët e shqiptarëve”, është shprehur ish-deputeti.

Sipas tij, me këtë shqiptarët mund t’i kërkojnë ministritë kyçe dhe në këtë mënyrë, siç është shprehur ai, do të ndikonin mjaftueshëm në përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Mal të Zi. Pavarësisht tërë këtyre, Abazoviq është shprehur skeptik në funksionimin e një metodologjie të tillë.

“Kjo do të ishte ideale, edhe pse për vete jam skeptik që do të ndodhë një gjë e tillë, kur kemi parasysh veprimet e tyre të deritanishme”, ka theksuar ai.

Shqiptarët në Maqedoni, të zhgënjyer

Nga ana tjetër analisti politik nga Maqedonia, Ibrahim Mehmeti, ka vlerësuar se shqiptarët në Maqedoni janë mjaft të zhgënjyer.

“Në përgjithësi, mendoj se shqiptarët në Maqedoni ndihen shumë të zhgënjyer sepse me kalimin e kohës entuziazmi dhe pritjet e tyre nga Marrëveshja e Ohrit, që u nënshkrua para 15 vjetësh, u shndërruan në dëshpërim të thellë”, ka deklaruar ai.

Megjithëkëtë, sipas tij, në këtë periudhë kohore që nga Marrëveshja e Ohrit ka pasur lëvizje të caktuara pozitive në sferën e ndryshimit të Kushtetutës e të ligjeve. Por, sipas Mehmetit, të gjitha këto mbeten pre e përshtypjes se shqiptarët janë akoma nën mëshirën e politikës maqedonase.

“Mirëpo, të gjitha këto janë nën hijen e ndjenjës se fati i shqiptarëve edhe më tutje varet nga vullneti i klasës politike maqedonase dhe jo nga ajo shqiptare”, ka shtuar ai.

Gjatë bisedës ai ka vlerësuar se partitë shqiptare në Maqedoni kanë zhvilluar gara mes vete.

“Në vend që gara politike ndërmjet partive shqiptare të zhvillohet rreth projekteve politike, ajo u shndërrua në garë politike se kush do të bëhet partner më i pranueshëm për partinë maqedonase në pushtet”, ka deklaruar Mehmeti, duke shtuar se shansi për faktorizimin kuptimplotë të shqiptarëve në Maqedoni u lëshua shumë shpejt pas fillimit të implementimit të Marrëveshjes së Ohrit. Dhe madje, ashtu si ai thotë, i njëjti temp po vazhdon edhe sot.

“Edhe pse dështimet e partive të deritashme krijuan hapësirë të madhe për paraqitjen e ideve dhe programeve të reja, të cilat do t’i korrigjonin lëshimet dhe dështimet e këtyre 15 vjetëve të kaluara, partitë e posaformuara hyjnë në të njëjtën spirale të konflikteve dhe luftës për pushtet, me çka gjasat për faktorizimin e shqiptarëve zbehen edhe më tej”, ka theksuar ai.

Si rrjedhojë e kësaj, Mehmeti mendon se gjasat për të pasur një unifikim në mes subjekteve politike shqiptare (pas asaj që ndodhi pas Marrëveshjes së Ohrit) në Maqedoni nuk janë aspak të mëdha.

“Mirëpo, e gjithë ajo që ndodhi pas këtij momenti, gjegjësisht keqmenaxhimi i procesit të unifikimit i cili u shndërrua në përçarje edhe më të madhe, rezulton me zvogëlimin e gjasave për një unifikim përmbajtjesor”, ka shtuar ai.

 Arifi: Kemi probleme ndërvëllazërore

Nga ana tjetër kryetari i Luginës së Preshevës Shqiprim Arifi, ka thënë se shqiptarët ende kanë probleme ndërvëllazërore. “Kemi edhe probleme ndërvëllazërore, do të thotë, partia nuk flet me partinë. Për shembull, partinë që e kemi dërguar në opozitë, kryetari i saj nuk flet me mua sikurse t’i kem bërë diçka personale, gjë që nuk ka qenë personale, por politike”, ka theksuar ai.

Megjithëkëtë, Arifi ka konsideruar se gjendja e shqiptarëve në Luginë po forcohet dita-ditës. “Me anë të Bashkimit Evropian edhe Aleancës së NATO-s dita-ditës po fuqizohet situata jonë, e cila ka qenë katastrofale”, ka potencuar i pari i Preshevës. Sipas tij, Presheva sot është pjesë e territorit të Serbisë, kurse nesër do të jetë e Bashkimit Evropian pasi që, siç ai është shprehur, situata do të ndryshojë.

Shqiptarët në Serbi në gjendje të vështirë

Analisti politik në Kosovë Halil Matoshi, ka vlerësuar se shqiptarët në Maqedoni përbëjnë një pjesë mjaft të madhe etnike. “Shqiptarët etnikë në Maqedoni janë një pakicë e madhe etnike dhe ata me Marrëveshjen e Ohrit janë shtetformues në FYROM dhe kjo herëdokur do të kuptohet nga shumica maqedonase”, ka deklaruar ai.

Kurse shqiptarët në Serbi, sipas Matoshit, aktualisht janë në një gjendje mjaft të vështirë. “Në Serbi pakica shqiptare është në pozitë pa dyshim të rëndë, mirëpo zotimet që ka marrë Serbia në procesin e integrimeve në BE mund t’ua heqë shqiptarëve etnikë lakun rreth fytit”, ka vlerësuar ai.

E shqiptarët në Mal të Zi, sipas tij, do t’i realizojnë të drejtat e tyre të ligjshme pasi kjo republikë të bëhet anëtare e NATO-s.

Më tutje Matoshi ka vlerësuar se shqiptarëve u mungon edhe sot organizimi i brendshëm.

“Në aspektin e sigurisë, shqiptarët janë mirë. Atyre u mungon vetëm organizimi i brendshëm, modernizimi i shteteve dhe sensi për sundim të ligjit”, ka deklaruar ai.

Ashtu si ai ka thënë, shqiptarëve nuk u duhet unifikimi, por pluraliteti. “Në kushtet e pluralizmit politik nuk mund të kërkohet unifikim në aspektin e njëmendësisë. Pra, në kushtet e paqes shqiptarëve nuk u duhet unifikimi, por pikërisht pluraliteti”, është shprehur Matoshi.

 Tahiri: Gjendja e shqiptarëve është në nivel të mirë

Pavarësisht kësaj, politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se gjendja e popullit shqiptar është në një nivel mjaft të mirë.

“Aktualisht situata e popullit shqiptar ose e kombit shqiptar kudo në trojet etnike në Ballkan është më e mirë se çdo herë gjatë historisë sepse Shqipëria është e pavarur, Kosova është e pavarur, ndërsa shqiptarët edhe në Mal të Zi, edhe në Maqedoni, edhe në Luginë të Preshevës janë të lirë”, ka deklaruar ai.

Megjithëkëtë, ai ka thënë se shqiptarët mund të faktorizohen edhe më tej, veçse, ashtu si Tahiri është shprehur, nevojitet një strategji konkrete. “Mund të faktorizohen me një bashkëpunim të mirëfilltë ndërmjet vete në krijimin ose forcimin e institucioneve kombëtare që kanë të bëjnë me kulturën, trashëgiminë e të tjera dhe ajo që është themelore me bashkëpunimin e ndërsjellë ekonomik”, ka shtuar ai.

Tahiri më pas ka thënë se shpreson që gjendja tashmë po vjen duke u përmirësuar dhe se shqiptarët do ta kenë gjithmonë mirë e më mirë.