Marrëveshja Rama - Vuçiq për Librat shkel Kosovën
Kjo marrëveshje “gojore”, e arritur tri ditë më parë në Nish i lejon Tiranës zyrtare që t’i furnizojë me tekste mësimore nxënësit në Luginën e Preshevës. Në Luginë kjo marrëveshje shihet si shpresëdhënëse, ndërsa në Prishtinë si anashkalim i shtetit të Kosovës. Sipas analistëve kosovarë, Rama është dashur ta konkretizojë Marrëveshjen Prishtinë - Beograd për Librat dhe jo të bëjë marrëveshje të re.
Marrëveshja në “parim” e arritur në Nish, ndërmjet kryeministrit të Serbisë Aleksander Vuçiq, kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe liderëve të Luginës së Preshevës, për t’i furnizuar me tekste nxënësit në Luginë, nuk konsiderohet si zgjidhje substanciale e problemit me nxënësit shqiptar në Serbi, por vetëm si zgjidhje alternative që do të krijojë probleme në të ardhmen.
Kjo marrëveshje, edhe pse jo e shkruar i lejon Tiranës zyrtare t’i furnizojë nxënësit në komunat Preshevë, Bujanoc e Medevgjë me tekste mësimore në gjuhën shqipe, kryesisht të shkencave ekzakte, por jo të shkencave shoqërore.
E sipas analistëve politikë, problemi substancial nuk është zgjidhur sepse kontesti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë qëndron tek historia, gjeografia dhe gjuha e letërsia shqipe.
Pikërisht për këto lëndë, autoritet serbe kanë bllokuar me muaj të tërë në kufirin Kosovë-Serbi mbi 100 mijë libra, donacion nga Ministra e Arsimit e Kosovës për nxënësit në Luginë të Preshevës.
Ky veprim kishte irrituar ministrin e Arsimit, Arsim Bajrami i cili kishte kërcënuar me reciprocitet për nxënësit serb në Kosovë, por një gjë e tillë nuk ndodhi, ndërsa nxënësit serb në Kosovë mësojnë sipas plan-programit serb dhe sipas teksteve që i ndan Ministra serbe e Arsimit.
Asnjë zyrtar nga Qeveria e Kosovës, dje nuk është prononcuar për këtë marrëveshje Tiranë-Beograd.
Për këtë marrëveshje fajet i ka Qeveria e Kosovës
Teuta Haxhiu, Anëtare e Komisionit për Arsim nga radhët e AAK-së, ka thënë se edhe një here është dëshmuar pafuqia e Qeverisë së Kosovës karshi asaj të Serbisë.
Sipas saj, jo vetëm kjo marrëveshje, por janë shkelur edhe marrëveshje të tjera dhe se siç thotë ajo, mosrespektimi i marrëveshjeve nga pala Serbe po shkon në dëm të Kosovës e në dobi të Serbisë.
“Këtu në radhë të parë është papërgjegjshmëria e Qeverisë së Kosovës, e cila deri me tani nuk i ka kryer detyrat çfarë i ka të parapara me ligjet në Republikën e Kosovës...”, ka thënë Haxhiu.
Sipas saj, në kërkesën e Komisionit për Arsim gjatë vizitës në Luginën e Preshevës është premtuar që atje do të dërgohen tekstet të cilat jepen falas në Kosovë, mirëpo edhe pse ministri i Arsimit u kishte premtuar që do t’i dërgojë në mënyrë legale, në fakt një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Ky për ne ka qenë një skandal tjetër i radhës ku tekstet jo vetëm që nuk kanë arritur në dorën e nxënësve, por në fakt ato kanë qëndruar me muaj të terë në doganë dhe janë kthyer prapë, çka do të thotë në asnjë moment gatishmëria e shtetit Serb nuk është kontraktuar në marrëdhënie me Kosovën, por e kundërta”, ka thënë Haxhiu.
Po ashtu Haxhiu ka thënë se kanë kërkuar takim me Ministrin e Arsimit për të biseduar për kurrikulat serbe ne Kosovë, por siç thotë ajo, ai nuk ka shprehur gatishmërinë me arsyetimin se është jashtë vendit.
Marrëveshja, zgjedhje për nxënësit e Luginës
Në anën tjetër, përfaqësues të Luginës së Preshevës e kanë mirëpritur këtë marrëveshje, pasi siç thonë ata kjo e zgjedh problemin e tash e sa viteve, me mungesë të teksteve për nxënësit e kësaj pjese.
Jonuz Musliu, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve ka thënë se kjo marrëveshje nuk është bërë në dëm të Kosovës, por ka qenë zgjedhja e vetme deri me tani për tekstet shqip.
Ai thotë se paraprakisht ka biseduar me dy ministritë e arsimit në Prishtinë e Tiranë dhe kanë arritur në përfundim se nëpërmjet Tiranës është i me lehtë furnizimi me libra shqip.
“Unë e kam bërë një kërkesë në Ministrin e Arsimit të Shqipërisë në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar Shqiptar dhe jemi dakorduar për tekstet shkollore. Pra, kjo ishte rruga e vetme dhe mënyra për zgjedhjen e këtij problemi ishte përmes Shqipërisë”, ka thënë Musliu.
Ndërsa, Kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi, ka thënë se në këtë moment shihet që Serbia nuk është e gatshme të pranojë tekste nga Prishtina, duke e përmendur rastin e mijëra teksteve që mbeten në terminalin doganor në Bujanoc.
Sipas tij, kjo është shpresë për zgjidhjen e çështjes së teksteve mësimore për nxënësit shqiptarë, pasi tash e sa vite kanë mbetur pa tekste.
“Një marrëveshje e re, e dakorduar në mes të dy kryeministrave, e që në praktikë do të realizohet nga ministritë e arsimit të të dy shteteve së bashku me Këshillin Nacional, është shpresëdhënëse për zgjidhjen e çështjes së teksteve mësimore për nxënësit shqiptarë”, ka thënë Kamberi duke shtuar se kjo nuk e zgjedh problemin në tërësi.
"Do të shihet se deri në çfarë mase do të lejojnë, por shihet se nuk e zgjedh gjithë problemin e tekstit të historisë, gjeografisë, kulturës muzikore dhe disa teksteve, por problemin me të madh sigurisht do ta rregullojë”, ka thënë Kamberi.
Edhe kryetrari i Preshevës Shqipërim Arifi, tha se për herë të parë u realizua një marrëveshje konkrete për banorët e Luginës së Preshevës.
“Problemit të zgjidhjes së teksteve shkollore po i vjen fundi. Gjatë një takimi me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq u dakorduam parimisht që tekstet shkollore për nxënësit e Luginës së Preshevës të vijnë nga Republika e Shqipërisë”, thotë ai në “Facebook”.
Modeli i propozuar nga kryeministri Rama, sipas tij, që ishte i pranueshëm edhe për kryeministrin serb, ishte që nxënësit e Luginës së Preshevës të mësojnë me libra nga Oxfordi dhe Cambridge që tashmë i posedon Tirana në gjuhën shqipe të cilat do t’i dërgohen Serbisë që t’i përdorin nxënësit shqiptarë.
Shqipëria, partnere e Serbisë kundër Kosovës
Analisti Halil Matoshi e ka quajtur këtë marrëveshje të papranueshme.
Sipas tij diplomacia serbe është hedhur në ofensivë kundër Kosovës dhe partnere në këtë betejë, siç thotë ai, fatkeqësisht e ka gjetur Tiranën zyrtare.
“Serbia nuk e ka më problem historik dhe ideologjik Shqipërinë, sepse ajo tashmë një shekull është realitet dhe serbët janë mësuar me të. Kosova e pavarur është çështje e pakapërcyeshme për Serbinë, prandaj diplomacia serbe është hedhur në ofensivë kundër Kosovës dhe partnere në këtë betejë, fatkeqësisht e ka gjetur Tiranën zyrtare, Edi Ramën dhe disa opinionistë atje”, konsideron Matoshi.
Rama, sipas tij, është dashur të ngrejë me Vuçiqin çështjen e bllokimit të librave shqip nga policia serbe dhe të mos bëjë marrëveshje të dyfishtë prapa shpinës së Kosovës lidhur me librat shkollorë.
”Por, Rama as që e di se çfarë marrëveshjesh ka nënshkruar Prishtina me Beogradin sepse i ka hyrë luftës për protagonizëm dhe po noton ne ujërat paternaliste dhe imperialiste”, ka thënë Matoshi.
Sipas Matoshit, Edi Rama është zënë peng ngase është i mashtruar nga qëllimet e Memorandumit 2 të Akademisë Serbe të Shkencave me titull "Razgranicenje s'Alabnijom" (Përkufizimi me Shqipërinë) tani me mjete paqësore...
“Anashkalimi i Kosovës si entitet juridiko-politik dhe subjekt i të drejtës ndërkombëtare nga Beogradi zyrtar dhe ‘dashuria’ me Tiranën është sherri më i madh pas luftës së Kosovës, në të cilin druhet se po bie Tirana”, konsideron ai.
Marrëveshje periferike, jo substanciale
Analisti nga Presheva, Belgzim Kamberi, thotë se nuk ka marrëveshje të firmosur nga liderët e dy shteteve, por më shumë ka një shou medial për një problem që kërkon zgjidhje e që zgjidhja, sipas tij, është larg. Sipas tij, e ashtuquajtuara marrëveshje, nuk është substanciale, por vetëm “periferike”.
“Kjo mund të quhet momentalisht vetëm premtim politik dhe jo marrëveshje, meqë nuk ka ende asgjë të firmosur, apo të miratuar zyrtarisht. Por, nga ata që mund të kuptohet, bëhet fjalë për disa tekste të shkencave ekzakte e jo ato të historisë, letërsisë etj; që janë thelbi i problemit për shqiptarët në Serbi e mbase edhe për komunitetet e tjera joserbe”, deklaroi Kamberi.
Sipas tij, duket se përpjekja e fundit për krijimin e përshtypjes se po zgjidhet tanimë çështja e teksteve mësimore për shqiptarët e Luginës ishte metoda më e keqe e propagandave populiste politike dhe mediatike, që “përcillen pastaj si zakonisht me reagime euforike, mbase edhe infantile”.
“Çështja e teksteve dhe planprogrameve në Luginën e Preshevës në veçanti dhe në Serbi në përgjithësi është mjaft e ndërlikuar për nga aspekti politik, ngase Serbia nuk tregon gatishmëri të mjaftueshme për t’i reformuar tekstet dhe planprogramet e veta në nivel shtetëror e aq më pak për t’i harmonizuar ato me veçoritë kulturore, historike etj. të komuniteteve joserbe”, deklaroi Kamberi, që është edhe kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Luginën e Preshevës.
Jetësimi në praktikë i përdorimit eventual të teksteve të Shqipërisë ose të Kosovës, cilado qofshin ato, sipas tij, duhen të harmonizohen edhe me kurrikulën bërthamë në nivele të ndryshme të Serbisë, si dhe me dokumentet tjera mbështetëse, siç janë planet dhe programet mësimore, të cilat kanë nevojë të rishikohen dhe të ndryshohen.
“Pra, në njërën anë mbetet të shihet në të ardhmen se a po lejon Serbia përdorimin e ndonjë teksti nga Shqipëria dhe cilat prej tyre; teksa në anën tjetër, a mund të jetësohet ajo marrëveshje në praktikë në ndonjë afat më të shkurtër kohor? Jemi ende larg”, konsideron Kamberi.
Rreziku më i madh, sipas tij, është mungesa e harmonizimit të politikave midis Tiranës dhe Prishtinës, e cila, siç tha Kamberi, mund ta komplikojë edhe më shumë pozitën e shqiptarëve jashtë Shqipërisë dhe Kosovës, veçmas të atyre në Serbi.
“Qeveria e Kosovës ka dështuar komplet njëherësh me çështjen e teksteve për Luginën, për të cilat thoshte se kishte arritur marrëveshje me Beogradin. Tekstet përfunduan me muaj të tërë në terminalin doganor serb dhe Serbia i ktheu mbrapsht! Tani kemi një iniciativë sërish të njëanshme, të promovuar kësaj herë personalisht nga kryeministri Rama. Të shohim si do të përfundojë ky proces dhe nëse shqiptarët e Luginës së Preshevës do ta paguajnë sërish koston e këtyre politikave ‘konkurruese’ midis Kosovës dhe Shqipërisë?”, tha ai.
Analisti nga Lugina kërkon që qeveritë, ajo e Republikës së Shqipërisë dhe ajo e Republikës së Kosovës, të bashkërendohen për politikat e tyre edhe jashtë kufijve të tyre administrativ, para së gjithash lidhur me çështjen e shqiptarëve në Ballkan.
“Në mungesë të një bashkërendimi të tillë, që do ta krijonte një plan dhe një strategji vepruese të përbashkët, atëherë rrezikon të përfundosh në gara reciproke, në vend se në plotësime të njëra-tjetrës për qëllime të përbashkëta”, konsideron ai.