Duhani vret 400 kosovarë në vit

Aktuale October 16, 2016 - 08:08

Korridori i Repartit të Pneumologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës(QKUK) i ngjan një tuneli të pafund, dyshemeja e së cilit të duket se po dridhet nga kollitjet e pacientëve. Në dhomat e kësaj Klinike qëndrojnë pacientë, të cilët kryesisht vuajnë nga sëmundjet që shkakton duhani. Mantelbardhët bëjnë të ditur se 400 kosovarë çdo vit vdesin nga konsumimi i duhanit.

Para shëndetit e zgjedhin cigaren

Specialisti i pneumologjisë, Skender Baca, tregon për “Zërin” se gjatë përvojës së tij me duhanpirësit nuk ka hasur të gjejë persona të penduar për shkak të bashkëjetesës me duhanin.  Përkundrazi, sipas doktorit, pacientët ndjejnë krenari që kanë konsumuar duhanin dhe vazhdojnë të kenë pranë pakot e stërmbushura me cigare edhe në momentet kur atyre u kërkohet e kundërta.

“Para shëndetit e vendosin cigaren. Në Amerikë është bërë një studim i cili tregon se kanceri nuk i ka  shtyrë njerëzit ta lënë duhanin. E kur është rritur taksa, atëherë është parë rënie shumë e madhe  e duhanpirësve. Edhe në Kosovë ligji, propaganda shëndetësore, mediet ndikojnë pjesërisht, veç një për qind. Ajo që do të bënte ndryshime në vendin tonë është rritja e çmimit të duhanit”, tregon doktori.

Kosova sipas statistikave i prin shteteve më duhanpirëse. E përveç shëndetit, i cili dëmtohet nga ky bar ai që pëson është edhe xhepi i qytetarëve, ku për çdo vit digjen miliona euro nga duhani. “Nëse e llogarisim në dy milionë banorë,  ¼ e banorëve e pi së paku një pako, pavarësisht që jemi popullatë  e re”, ka thënë tutje Baca.

Mbreti Zog i pinte 240 cigare në ditë

Vesi i duhanpirjes shqiptarët i ka ndjekur qysh para shumë vitesh. Mbreti i Shqipërisë Ahmet Zogu, i cili kishte jetuar në shekullin e kaluar, kishte qenë një thyes rekordi në këtë drejtim. Ai, siç tregon doktor Baca, kishte pirë 240 cigare brenda ditës, duke bërë kështu që të futet në librin Genis. Por, si duket ky ves po vazhdon edhe sot. Kjo pasi që, shqiptarët  edhe tash prijnë në listat e duhapirjes në rajon, duke u radhitur kështu, si të parët në këtë drejtim. Fatkeqësisht!

Sëmundjet që fitohen nga duhani

Personat që kalojnë vite duke ndarë frymëmarrjen e tyre me tymin e cigares, gjatë përfundimit të rrugëtimit me këtë “bashkudhëtar”, përfundojnë në duart e mantelbardhëve.

Sëmundja e cila vie pas cigares duke i marrë shëndetin duhanpirësve është sëmundja plumunare, apo siç njihet në popull si “ngushtim i damarëve”.

“Sëmundja që e shkakton më së shumti duhanpirja është sëmundje plumunare, ngushtim i damarëve”, ka thënë doktori.

Kurse sëmundja e dytë e cila prek pothuajse secilin prej konsumuese të këtij bari është kanceri bronkial.  "Sëmundja e cila shkaktohet drejtpërdrejt nga duhani është kanceri bronkial. 92 për qind e të prekurve nga ky kancer janë duhanpirës", ka deklaruar Baca.

   "Kaçak-u”, lloji i duhanit që shkakton më së paku dëm

"Fatkeqësia e Kosovës është që pihet duhani  i dobët ", kështu fillon të tregojë doktor Baca për një ndër të këqijat e duhanit në Kosovë. Sipas tij, në vitet e 90'ta ka qenë cilësia e duhanit  më e mirë. "Deri në vitin 1990 Fabrika më e Fortë ka qenë Dunhilli në Gjilan, ku është prodhuar duhan që ka ardhur nga Anglia . Tani, përveç që njerëzit dëmtohen nga duhani dëmtohen edhe nga cilësia e tij ".

Edhe përkundër dëmit që shkakton lloji i duhanit që në disa nuanca është më pak i dëmshëm është duhani "Kaçak ",  i cili prodhohet edhe në fshatra e shitet në paketime, i cili vendoset fleta të cigares pa  konzervans.  Pastërtia e kësaj përgatitjeje i mbron duhanpirësit nga kanceri.

"Merret fleta e duhanit, teret dhe përgatitet pa konzervans edhe pa aditiv dhe pa filtër . Filtri është ”azbest” e ky është shkaktar i kancerit, cigaret që mbështillen, ai duhani që punohet nëpër fshatra", tha tutje doktori.

Gratë, duhanpirëset më të mëdha, dominon mosha 40 vjeçare

Vitet e fundit përqindja e grave që konsumojnë duhan është rritur dukshëm në krahasim me burrat. "Edhe në Kosovë vërehet një rritje e lehtë e kancerit te femrat që ka lidhje drejtpërdrejt më duhan ", ka thënë Baca.

Derisa mosha e cila haset më së shpeshti tek pacientët është ajo prej 40-45 vjeçe, kurse nuk janë të pakta rastet kur 20 vjeçaret kërkojnë ndihmë tek doktori për shkak të dëmit që i ka bërë duhani duke e konsumuar prej vegjëlisë. "Mosha te ne vërehet prej moshës 20 deri në 40, por mosha e veçantë është mosha e 40-45. Para  30 vjetëve shumë rrallë kemi pasur raste në moshën 45 vjecare në klinikën tonë ", shprehet Baca.

Shkaktari që shtyn të rinjtë drejt cigares në të shumtën e rasteve është stresi, por nuk mungojnë edhe personat që deklarojnë se kanë filluar të konsumojnë duhan për shkak të mendjemadhësisë .

Ata që janë të pranishëm ku pihet duhani, pësojnë më shumë se vetë ata që e konsumojnë.

"Personat që rrinë me duhanpirësit dëmtohen më shumë se vetë ata që konsumojnë duhanin, sepse e thithin një produkt gazor i cili veç se është djegur. Kemi edhe nëna shtatzëne dhe persona me alergji që pinë duhan e nuk duan ta lënë ", tregon Baca.

Ndihmesë në uljen e këtij fenomeni nuk ka dhënë as Ligji për Duhanin, sipas doktorit. Ai thotë se duhani pihet kudo duke mos pasur përjashtim as QKUK -në.

Reparti i pneumologjisë pranë Klinikës së Mushkërive i plotëson kushtet për trajtim të pacientëve.  Në këtë repart janë 13 specializantë e rreth 60 motra që përbëjnë stafin mjekësor.

Ndërkohë, rastet më të rënda në këtë klinikë trajtohen me aparate me rrymë elektrike që i furnizon me oksigjen .Derisa edhe përkundër trajtimit me këtë aparat  pacientët tymosin duhan, duke mbajtur në njërën anë të gojës cigaren në tjetrën oksigjenin.  Si pasojë e kësaj ata kanë përfunduar të djegur në fytyrë. "Në klinikë 2 raste qe 17 vjet u është djegur e tërë fytyra", ka thënë doktori.

Katër dekada pi duhan  

Demë Hasangjekaj, i vendosur në njërën prej  dhomave të klinikës, tregon se dyzet vjet ka jetuar  duke konsumuar duhan. Gjatë ditës ai i ka përfunduar 3 pako të cigareve. Këtë traditë e ka vazhduar deri në ditën kur mjeku e ka këshilluar ta ndërpresë duhanin për arsye shëndetësore.  "40 vjet e kam pirë duhanin, erdha në spital, u bëra operacion dhe me këshillë të doktorit e kam lënë. I  kam pirë 3 pako në ditë pa ndërprerë, Marlboro, ka treguar Hasangjekaj.

Ai tutje përmend tri shkaqet që ia kanë mbushur mendjen ta ndërpresë këtë ves duke mos ndjerë aspak mall për të më.  "Shëndeti,  doktori, xhepi më bënë që ta lë cigaren ", përfundoi Dema.

Xhemajl Xhemajli, i cili kishte zënë hijen në një pjesë të oborrit të klinikës, filloi të tregojë gjendjen e keqe të motrës së tij 70 vjeçare të cilën e kishin mundur “gajlet e jetës” siç i quan ai . Duke thënë se në këtë klinikë mungojnë barnat esenciale përfshirë edhe “shprisat”(shiringa)  për ineksione e xhepi i tij nuk mund të përballojë koston e barnave. Megjithëkëtë ai nuk ka vërejtje për stafin mjekësor.

"Motra ime është e sëmurë prej mushkërive, ku t’i marr unë paratë t’i blejë barna me 58 euro pension. Unë motër  e kam dhe nuk më dhimbsen t’i jap për të. Ata në televizion dalin dhe thonë i kemi të gjitha, por ne po shohim çka kemi," ka treguar ai.

 

 

Image

Image

Image