Zgjedhjet në vendet e BE-së, pengesë për vizat
Zgjedhjet që do të organizohen vitin e ardhshëm në disa vende të Bashkimit Evropian mund të ndikojnë negativisht në procesin e vendimmarrjes për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kështu vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe njohës të këtij procesi. Kjo pasi, sipas tyre, nuk është e përshtatshme për qeveritë e atyre shteteve që të mbështesin liberalizimin e vizave për shtete tjera para mbajtjes së zgjedhjeve.
Zëvendësministri i Integrimit Evropian, Ramadan Ilazi, ka thënë për “Zërin” se zgjedhjet në vendet e Bashkimit Evropian, me theks të veçantë në Gjermani dhe Francë mund të kenë efekt negativ në procesin e vendimmarrjes për liberalizimin e vizave. Megjithatë, ai ka thënë se mundësia për liberalizimin e vizave sivjet është ende reale nëse arrihet një konsensus politik për sfidën e mbetur të ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
“Por, nëse e kalojmë muajin tetor pa ndonjë zhvillim pozitiv, atëherë kam frikë se edhe ky vit do të jetë vit humbur për Kosovën për sa i përket liberalizimit të vizave. Viti i ardhshëm do të jetë edhe më i vështirë për një vendim, sepse do të kemi zgjedhje të përgjithshme në disa shtete të BE-së dhe kjo mund të ketë efektin e vet në procesin e vendimmarrjes”, ka deklaruar Ilazi.
Në anën tjetër, anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane, Arben Gashi, ka thënë se çështja e zgjedhjeve në vendet e BE-së është çështje e këtij unioni, megjithëse e thekson faktin se do të mbetet problematike. Gashi ka thënë se duhet të arrihet një konsensus politik në Kosovë për çështjen e demarkacionit dhe me atë zgjidhet të kërkohet mirëkuptimi i BE-së.
“Problemi i demarkacionit duke parë kompleksitetin politik që tash është shkaktuar duhet të gjendet një zgjidhje përmes angazhimit të përbashkët të të gjithë skenës politike dhe me atë zgjidhje të shkohet në institucionet e Bashkimit Evropian, besoj që do të ketë mirëkuptim sepse çështja është goxha komplekse”, është shprehur Gashi.
Kurse, profesori i së Drejtës Evropiane, Avni Mazrreku ka thënë se para se të flitet për zgjedhjet në vendet e BE-së, apo për temat tjera politike që kanë të bëjnë më zhvillimet në Kosovë, duhet të dihet se Kosova nuk mund të pretendojë që për të, të merret një vendim politik në Bashkimin Evropian , përderisa eksitojnë këto 5 mosnjohje brenda BE-së.
“Edhe nëse demarkacioni ratifikohet, edhe nëse vlerësohet se Kosova e ka luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, e edhe sikur të mos kishte zgjedhje në vendet e BE-së, Kosova rrezikon të mos marrë, ashtu siç nuk ka pas realisht asnjë vendim politik pozitiv derisa mungojnë këto pesë njohje”, ka vlerësuar Mazrreku.
Më tej, ai ka thënë se vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën mund të bllokohet nëse kundërshtojnë të paktën katër shtete të cilat përbëjnë së paku 35% të popullësisë së përgjithshme të Bashkimit Evropian.
Në rastin e liberalizimit të vizave vendimi merret sipas sistemit të shumicës së kualifikuar që nënkupton së paku katër shtet mund të bëhen bashkë si minorancë bllokuese e cila mund të përdoret nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Por, këto 4 shtete duhet të përfaqësojnë së paku 35% të popullsisë së BE-së. Ndërsa 5 shtetet nuk përbëjnë 35% të popullsisë së BE-së, por ne e dimë që edhe disa vende që e kanë njohur Kosovën nuk janë në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka shtuar Mazrreku.
Në vitin 2017 zgjedhje do të ketë në disa vende të Bashkimit Evropian si në: Gjermani, Francë, Holandë e Çeki.