Duhani 'djeg' Ligjin

Aktuale October 16, 2016 - 07:42

Ligji për Kontrollin e Duhanit nuk po gjen zbatim në Kosovë. Zyrtarë përgjegjës të institucioneve që monitorojnë mbikëqyrjen e Ligjit kanë mendime të ndryshme sa i përket gjetjes së zbatueshmërisë të këtij Ligji dhe faktorëve që bëjnë atë të pazbatueshëm

Sapo është futur në njërën nga kafenetë në afërsi të obeliskut “New Born” në Prishtinë, ka nxjerrë nga xhepi cigaret. Kamerieri ia sjell një shpuzore të filxhanit për t’i mundësuar klientit që të ndezë cigaren këto ditë kur moti në Prishtinë ka filluar të ftohet.

Veprimi i kamerierit sikurse edhe i duhanpirësit janë të kundërligjshëm pasi duhani ndalohet në tërësi në hapësirat e mbyllura publike. Por, edhe Ligji për Kontrollin e Duhanit nuk po gjen mbështetje në Kosovë, sidomos gjatë muajve të vjeshtës dhe dimrit, kur qytetarët për shkak të temperaturave në rënie në kundërshtim me ligjin po tymosin brenda lokaleve.

E pronarët dhe punonjësit e restoranteve tregojnë se kanë gjetur metodën. “Ne ua bëjmë zile ndonjëherë numrave të inspektoratit që nëse dikush paraqitet në lokal fajësojmë klientët për mosbindje, kurse arsyetohemi se kemi thirrur inspektoratin, por nuk na është lajmëruar askush”, thotë për “Zëri” një kamerier nga Prishtina që nuk preferon të prezantohet me emër. “Nëse flasim me emër nesër e kemi inspektoratin këtu”, thotë ai.

Shkumbin Spahija, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Mbrojtje dhe Zhvillim, që monitoron mbikëqyrjen e Ligjit për Kontrollin e Duhanit ka thënë për “Zërin” se bazuar në gjetjet e KADC-së nga monitorimi që u është bërë gjykatave janë vënë disa gjoba nga gjykata  ndaj shkelësve të ligjit.

Gjykatat shqiptuan gjoba nga 50 deri në 3000 euro  

Gjatë periudhës 2013-2015, sipas Spahisë, numri dhe vlera e gjobave të shqiptuara nga Gjykata është si vijon: 2 gjoba në vlerë prej 3000 euro, 2 gjoba në vlerë prej 1500 euro, 1 gjobë në vlerë prej 750 euro, 30 gjoba në vlerë prej 500 euro, 14 gjoba ne vlerë prej 300 euro, 13 gjoba në vlerë prej 250 euro, 12 gjoba në vlerë prej 200 euro,3 gjoba në vlerë prej 150 euro, 36 gjoba në vlerë prej 50 euro për persona fizik dhe 4 qortime.

“Sistemi gjyqësor përpos që përcakton aktgjykimet përfundimtare, qofshin ato të lirimit apo dënimit, në formë të gjobave për lëndët për duhanin, ka edhe mekanizmin e ekzekutimit të dënimeve të shqiptuara”, ka thënë Spahija.

 Kafenetë, shkelëset më të mëdhaja të Ligjit

Sipas tij, nga monitorimi i KADC-së i cili është bërë gjatë muajit nëntor të vitit 2015, me gjithsej 432 observime, ka dalë që shkelësit më të mëdhenj të këtij ligji janë kafenetë me 71.6 %, klubet e natës me 85.0 % dhe restorantet me 53.8%. “Ndërsa shkelësit më të mëdhenj në mesin e institucioneve publike janë shkollat e mesme me 17 %, institucionet qeveritare me 16 % dhe universitete/kolegjet me 11 %”, ka thënë ai. Nga rezultatet e 3 monitorimeve të KADC-së ka dalë se shkeljet më të mëdha të ligjit ndodhin në sektorin e gastronomisë pas orës 20:00 e që përbëjnë 70.4 % të numrit të përgjithshëm të shkeljeve. “Nëse i referohemi pjesëve të ligjit për kontrollin e duhanit që kanë të bëjnë me ndalimin e pirjes së duhanit në vende publike, ne si KADC mendojmë se janë shumë mirë të draftuara dhe nuk lënë hapësirë për dykuptimësi apo keqinterpretim. Mendoj se vështirësitë kryesore në zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit qëndrojnë në mungesën e vullnetit politik dhe neglizhenca që i bëhet këtij ligji nga ana e qeverisë dhe kryetarëve të komunave, koha e stërzgjatur e trajtimit të lëndëve nga ana e gjykatave, mungesa e inspektimeve në orët e mbrëmjes dhe të pasdites, organet zbatuese / inspektoratet nuk monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme / sistematike por vetëm në baza ad-hoc”, ka thënë ai. Një fakt tjetër me rëndësi, sipas tij, është që nuk janë ndëshkuar shkelësit recidivë edhe pse dihen se cilët janë, gjë që ka çuar mesazhin e gabuar se shkelja e ligjit nuk ndëshkohet dhe ka kontribuar në rritjen e konkurrencës jolojale. “Pra, shkeljet që kanë qenë fillimisht sporadike për shkak të mosveprimit të institucioneve janë shndërruar në shkelje masive të ligjit”. Gjobat, thotë Spahija, janë një mjet shumë efikas për vetëdijesimin e personave dhe institucioneve të cilat garantojnë zbatimin e ligjit. “Por në Kosovë, gjobat edhe kur janë shqiptuar janë zbatuar me vonesë dhe është humbur momentumi që të përcillet mesazhi se shkelësit e ligjit gjobiten”, ka thënë ai.

 Ligji nuk gjen zbatim në mot të ftohtë

Zbatimi i këtij ligji është problematik gjatë sezonit dimëror. “Kjo nënkupton se një angazhim më i madh institucional nevojitet vetëm gjatë kësaj periudhe, ndërsa në pjesën tjetër të vitit nevojitet vetëm një angazhim minimal”, thotë Spahija. Sipas tij, ligji është shumë lehtë i zbatueshëm nëse ekziston një vullnet politik për ta zbatuar dhe nëse merret seriozisht nga ana e institucioneve përgjegjëse për zbatim.

Ibrahim Tërshnjaku, kryeinspektor sanitar nëpërmjet zyrës së informimit të Agjencisë së Veterinës, ka dhënë një përgjigje në lidhje me gjobat e shqiptuara nga ana e këtij inspektorati.

“Në periudhën janar-shtator të këtij viti janë kryer 626 Inspektime, janë shqiptuar gjithsej 48 gjoba për subjektet afariste. Shqyrtimi i lëndëve bëhet nga Gjykata që në shumicën e rasteve na kthehen si lëndë të hedhura poshtë apo si të pabazuara, gjë kjo e cila është një dekurajim i punës së Inspektoratit Sanitar për ta zbatuar këtë Ligj dhe më pas edhe inkurajim i subjektit se nga fletëparaqitjet e dërguara nga Inspektorati nuk ka masa ndëshkuese”, thuhet në përgjigjen e Tërshnjakut, përcjellë përmes Zyrës për informim.

Subjektet afariste, sipas tij, janë ato të cilat konsumatori kalon kohën duke konsumuar kafe së bashku me tymosje. “Mirëpo edhe institucionet tjera bëjnë vazhdimisht shkelje dhe për këtë nuk është vetëm Inspektorati  Sanitar si organ i vetëm i cili kujdeset për zbatueshmërinë e ligjit por edhe udhëheqësit e institucioneve janë përgjegjës për institucionet e tyre për zbatim të këtij ligji, duke filluar nga Presidenca e deri te menaxheri më  ulët i një  institucioni”, ka thënë ai.

Në përgjigjen e tij thuhet se ligji për kontrollin e duhanit është ligj specifik i kulturës apo vetëdijes qytetare. “Është miratuar në kohën kur niveli shëndetësor i shoqërisë kosovare është në nivel të ulët të edukimit shëndetësor për pasojat që shkakton pirja e duhanit, prandaj këtu duhet të nisemi nga shkeljet që bëhen në Institucionet Shëndetësore gjegjësisht nga punonjësit shëndetësor, Udhëheqësit Institucional në vendet e tyre të punës dhe në publik, pastaj pronarët e subjekteve të cilët e shohin si përfitim çështjen e duhanpirëseve në subjektet e tyre dhe kompanitë e duhanit të cilat investojnë shumë në reklamimin dhe çmimin e ulët të duhanit”, tha ai.

 Këshilli për kontroll duhani insiston për situatë të përmirësuar

Faik Hoti, nga Këshilli Ndërministror për Kontroll të Duhanit, ka thënë për “Zërin” se nëse bëhet një bilanc se ku ishte Kosova para 22 majit të vitit 2013 kur hyri në fuqi ky Ligj sa i përket duhanpirjes dhe kontrollit të duhanit, rezultatet pozitive janë evidente, ndonëse jo sa është synuar , pavarësisht që ligji shkelet në nivele të ndryshme.

 “Para 22 majit 2013 në Kosovë ka qenë pothuajse e pamundur të gjendet ndonjë mjedis pune apo i gastronomisë (kafe bare, restorante, hotele ) ku nuk është konsumuar duhani, ndërsa tash ka mjaft mjedise të tilla të cilat janë liruar nga duhanpirja, ndonëse ka ende shumë shkelje”, konfirmon Hoti. Sipas Hotit, hulumtimi gjithëpërfshirës lidhur me duhanpirjen në mesin e të rinjve në Kosovë, i kryer sivjet nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike me përkrahjen e OBSH-së dhe Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve nga SHBA tregon se krahsuar me vitet 2004-2005 kur është bërë hulumtimi i parë konsumimi i duhanit prej 6.7% sa ishte në mesin e të rinjve të moshës 13-15 vjeçe më 2004-2005, më 2016 ka rënë në 4.4%.

“Gjithashtu, ekspozimi në tym duhani apo duhapirja pasive prej 84% sa ishte në mesin e të rinjve më 2004, ka rënë në 43.8% më 2016. Ajo që bie në sy në këtë hulumtim është se 94.3 % të nxënësve e përkrahin ndalimin e duhanit në vende publike”, ka thënë Hoti. Megjithatë, ai thotë se MSh si sponzorizuese e Ligjit, vlerëson se ka mbetur të punohet ende shumë që niveli i shkeljeve të Ligjit të zvogëlohet dhe të fuqizohen masat për zbatimin e Ligjit.

Image