Universitetet e Thaçit me probleme financiare

Aktuale October 15, 2016 - 08:16

Mungesa e mjeteve për investime nuk është vetëm problematikë e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Edhe universitetet e reja publike, të cilat ishin themeluar me vendim të ish-kryeministrit Hashim Thaçi, aktualisht president i vendit, kanë probleme buxhetore për të plotësuar kërkesat në mësimdhënie dhe punë shkencore.

Universiteti i Mitrovicës funksionon ende në objektet e improvizuara të ndërmarrjes “Trepça”. Edhe Universiteti i Gjilanit ka nevojë për kampus të ri universitar. Universitetet e reja të hapura pas premtimeve gjatë fushatave elektorale, tash kërkojnë mbështetje financiare. Zëdhënësi i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” Ahmet Jashari, ka thënë se buxheti i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” për vitin 2016 është rreth 2.4 milionë euro. Kushtet e studimit ku funksionon ky Universitet në objekte të improvizuara të ndërmarrjes “Trepça”, ai thotë se deri diku ofrojnë mundësi modeste. “Kjo gjendje pritet të përmirësohet dukshëm pas kalimit në kampusin e ri universitar që është në përfundim e sipër”. Mirëpo, Jashari thekson se për punë kërkimore-shkencore ky buxhet nuk mjafton assesi.

“Për punë shkencore nuk ka një vijë të veçantë buxhetore, meqë buxheti që është ndarë për këtë vit nuk mjafton as për pagat e punëtorëve të këtij institucioni”, thotë Jashari për “Zërin”.

Ai thotë se në këtë Universitet në radhë të parë ka nevojë për mbështetje me mjete për punë kërkimore-shkencore. “Kjo është e domosdoshme, meqë ndikon në rritjen e cilësisë në punën akademike të Universitetit. Ndërsa për objektet dhe hapësirat tjera të nevojshme, gjendja pritet të përmirësohet shpejtë pas kalimit në kampusin e ri universitar”. Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” për një vit arkëton rreth 140 mijë euro nga të hyrat vetanake, të cilat kryesisht përdoren për të mbuluar pjesën e buxhetit që mungon për paga.

Edhe Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka” përballet me probleme buxhetore. Buxheti i përgjithshëm i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, i ndarë nga granti qeveritar është 1,443,234 euro. Minire Rexhepi, zëdhënëse e këtij Universiteti thotë se buxheti i ndarë nga Qeveria e Kosovës nuk mjafton për të plotësuar të gjitha kërkesat, pasi sipas saj Universiteti “Kadri Zeka” është në zhvillim e sipër dhe ka nevojë për mjete shtesë për financimin e projekteve të saja. Këtij Universiteti për vitin 2016 për punë kërkimore, Rexhepi thotë se i është ndarë një shumë simbolike e mjeteve, vetëm 5000 euro.

“Për shkak të mungesës së hapësirës, Universiteti “Kadri Zeka” ka nevojë për ndërtimin e Kampusit Universitar”, thotë ajo duke bërë të ditur se deri më 30.06.2016, ky Universitet ka realizuar të hyra në shumë prej 61,795.50 euro. “Këto të hyra nuk menaxhohen nga UKZ-ja. Të hyrat menaxhohen nga Qeveria e Kosovës. Financimi i UKZ-së bëhet nga Granti Qeveritar”, thotë ajo.

Ndonëse, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami gjatë takimit të radhës të Konferencës së Rektorëve iu ka premtuar rektorëve mbështetjen e plotë në segmentet ku Ministria mund të ndihmojë, gjendja në universitetet e reja kërkon investime. Sa i përket financimit të universiteteve publike, ministri Bajrami ka thënë se është duke u diskutuar edhe skema e financimit. “Këtë skemë do ta bëjmë bashkë dhe do të lobojmë së bashku për buxhet më të madh në sferën e arsimin e lartë”, ka thënë Bajrami.