Riformatimi i Qeverisë nis këtë muaj
Drejtues të koalicionit qeverisës (PDK-LDK) janë shprehur të gatshëm ta fillojnë këtë muaj procesin e riformatimit të qeverisë. Kryeministri Isa Mustafa, duke mos saktësuar se çka do të përfshijë konkretisht ky proces, ka thënë se riformatimi do të fillojë në muajin tetor. Edhe kryetari i PDK-së Kadri Veseli, ka thënë se partia e tij pritet t’i ndërrojë ministrat e saj në qeveri.
Pavarësisht kësaj, deputetë të PDK-së thonë se ende nuk është biseduar për një riformatim të mirëfilltë, sado që siç shprehen ata, e përkrahin një gjë të tillë. E deputetët e LDK-së, duke e cilësuar riformatimin si të drejtë ekskluzive të kryeministrit, shprehen optimistë se ky veprim do të ndodhë.
Megjithatë, partitë opozitare nuk e shohin dobiprurës reformatimin edhe nëse ai realizohet. Madje, ato mendojnë se një gjë e tillë do të bëhej vetëm për interesa politike dhe shpërqëndrim të vëmendjes nga dështimet e qeverisë.
Veseli: PDK-ja ka nisur ndërrimin e ministrave
I pari i ekzekutivit Isa Mustafa, qe ai i cili para pak ditësh ripërmendi sërish çështjen e riformatimit, me ç’rast tha se ky proces mund të nisë pikërisht në muajin tetor. “Me partnerin e koalicionit po punojmë në këtë drejtim. Jemi zotuar që ndryshimet e nevojshme t’i bëjmë sa më shpejt. Mendoj gjatë këtij muaji”, deklaroi kryeministri Mustafa para pak ditësh.
Nga ana tjetër, i pari i PDK-së Kadri Veseli, është zotuar se në krye të ministrive të cilat udhëhiqen nga PDK-ja, do të sillen persona të rinj.
“Jam i vendosur që të vendosen figura të reja dhe të qëndrueshme të cilat janë të gatshme të ballafaqohen me përgjegjësitë, të cilat i kërkojnë qytetarët tanë”, është shprehur ai.
Ndërkaq, ka theksuar se ministrat e PDK-së tanimë veçse janë duke u ndërruar.
“Në Partinë Demokratike shumica e ministrave thuajse vetëm janë duke u ndërruar. Kemi situata të reja, ministri i jashtëm ka kaluar në president, ministri i integrimeve ka kaluar në kabinetin e presidentit”, ka thënë ai.
Deliu: Kryesia nuk ka diskutuar për riformatim
Pavarësisht kësaj, deputetja e PDK-së Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se kryesia ende nuk ka diskutuar për riformatim.
“Veç deklaratën e kryeparlamentarit e kam dëgjuar. Nuk e kemi diskutuar si opsion në takimet e kryesisë”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.
Megjithëkëtë, Deliu ka thënë se PDK-ja e mbështet idenë e riformatimit të qeverisë.
“Unë personalisht dhe ne si deputetë e mbështesim atë që kryetari i partisë e ka deklaruar. Mendoj që e ka dhënë një opinion të asaj që pritet të ketë riformatizim”, ka shtuar ajo.
Ndërkaq, deputeti i LDK-së Blerim Grainca, ka vlerësuar se atëherë kur kryeministri e sheh të arsyeshme se duhet të bëhet riformatimi, atëherë edhe do të ndodhë një gjë e tillë.
“Riformatimi është e drejtë ekskluzive dhe kushtetuese e kryeministrit. Kështu që në momentin kur kryeministri e vlerëson se ka nevojë për riformatim, atëherë ai merr hapat që çojnë deri te riformatimi”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, i pari i ekzekutivit ka gjasa të ketë konsideruar se ndonjë prej ministrave nuk i ka përmbushur objektivat e tij, në momentin kur ka paralajmëruar riformatim.
Abdullahu: Riformatimi do të ndodhë
Pavarësisht këtyre, zëdhënësi i qeverisë, Faton Abdullahu, ka thënë se nuk dihet ende se kur pritet të nisë riformatimi, sado që sipas tij, ky proces do të ndodhë gjithsesi.
“Riformatimi si synim nuk është përcaktuar se do të bëhet me patjetër brenda një periudhe të caktuar kohore, por është pajtim në parim i partnerëve të koalicionit se do të bëhet gjithsesi dhe atë në dobi të rritjes së efikasitetit të qeverisjes”, ka deklaruar ai për “Zërin”.
Sipas tij, një veprim i tillë do të ishte pozitiv edhe për të ardhmen.
“Për më shumë, ne mendojmë se ky plan është dobiprurës për të tashmen gjithsesi, por edhe për të ardhmen e qeverisjes si koncept dhe formë”, ka shtuar ai.
Abdullahu tutje ka thënë se tanimë është duke u vëzhguar puna e ministrive dhe tek më pastaj do të dilet me vendime konkrete.
“Tash e sa kohë është duke u monitoruar performanca e dikastereve të ndryshme dhe në bazë të vlerësimit dhe kalkulimit mbi parimet e përcaktuara do të merren edhe vendimet konkrete për ministri përkatëse dhe kjo do të bëhet me të njëjtën pako riformatuese”, është shprehur ai.
LVV: Qeveria të japë dorëheqje
Përkundër tij, Teutë Rrusta, koordinatore e qendrave të Lëvizjes “Vetëvendosje”, ka vlerësuar se riformatimi i qeverisë nuk ka kurrfarë rëndësie.
“Për ne kjo qeveri nuk ka legjitimitet, prandaj riformatimi i saj nuk ka rëndësi. Kjo qeveri ka shkelur Kushtetutën e Kosovës. Kjo qeveri që ka cenuar rendin kushtetues, sovranitetin dhe integeritetin territorial nuk mund ta udhëheqë Kosovën tutje”, ka deklaruar ajo.
Sipas Rrustës, një veprim i tillë i ekzekutivit mund të merret vetëm për të kryer pazare politike.
“Ne konsiderojmë se çështja e riformatimit më shumë është çështje e pazareve sesa që lidhet me ndonjë zhvillim të kohëve të fundit. Ky pazar nuk është veç në mes PDK-së e LDK-së, por pazar edhe me partitë e vogla”, ka shtuar tutje ajo.
Sipas saj, vetëm dorëheqja e qeverisë mund të sillte pozitivitet, e assesi veprimet e tilla.
“Kjo nuk i sjell asgjë të mirë Kosovës. Qeveria duhet të japë dorëheqje, e jo të bëhet riformatimi i saj. Vetëm kjo i ndihmon Kosovës”, ka potencuar Teutë Rrusta.
Synimi i riformatimit, shpërqendrim i vëmendjes
Ndërkaq, deputeti i AAK-së Bali Muharremaj, ka vlerësuar se gjasat për t’u realizuar një riformatim i qeverisë, janë tejet të pakta.
“Mendoj se do t’ju dështojë krahas neglizhencës dhe mospunës në secilin aspekt”, ka thënë ai.
Sipas Muharremajt, kryeministri Isa Mustafa ka dhënë premtim për riformatim të qeverisë, vetëm për ta shpërqendruar vëmendjen nga dështimet që aktualisht ka ekzekutivi.
Tutje, deputeti i AAK-së, ka thënë se pikërisht atëherë kur pritet të bëhet riformatimi mund të dalin kushte të reja prej serbëve.
Kurse, Valmir Gashi nga zyra për informim e Nismës për Kosovën, ka thënë se riformatimi i qeverisë nuk realizohet për të sjellë gjëra pozitive.
“Edhe po të ndodhë një gjë e tillë, nuk ndodh se ky koalicion dëshiron ta ndryshojë këtë mentalitet qeverisës”, ka thënë ai.
Rexhepi: Mjaftojnë 12 ministri
Pavarësisht kësaj, njohësi i çështjeve të ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, ka vlerësuar se riformatimi i qeverisë do ta kursente mjaft buxhetin e shtetit të Kosovës. Mirëpo në anën tjetër sipas tij, pas zvogëlimit të ministrive, punëtorët e tyre vetëm sa do të risistemoheshin nëpër vende të tjera.
“Zvogëlimi i numrit të ministrive do të thotë edhe zvogëlim i shpenzimeve. Por është një problem, çka do të ndodhë me administratën, a do të largohen nga puna ata që punojnë në ministritë që do të shuhen? Dyshoj. Ata vetëm sa do të risistemohen”, ka thënë ai.
Ndërkaq, ka vlerësuar se qeveria e Kosovës mund të funksionojë me vetëm 12 ministri.