Raportet e mira Shqipëri - Serbi i ndihmojnë Kosovës
Marrëdhëniet e mira midis Shqipërisë dhe Serbisë vetëm sa i ndihmojnë Republikës së Kosovës, por assesi nuk e dëmtojnë atë. Kështu ka vlerësuar politologu Ramush Tahiri, i cili në një intervistë, dhënë gazetës “Zëri”, ka thënë se Kosova nuk mund të humbasë asgjë nga takimet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Sipas tij, shteti serb çdoherë tenton që çështjen e Kosovës ta zgjidhë me Shqipërinë, pasi që, siç thotë ai, nuk i llogarit si të barabarta.
Këshilltari i ish-presidentes Atifete Jahjaga më pas konsideron se pala kosovare ka krijuar përshtypjen që Kosova nuk duhet të marrë pjesë fare në këto takime. Më tutje ai ka vlerësuar se Serbia nuk po e njeh pavarësinë e Kosovës pasi që nuk po ndëshkohet nga bashkësia ndërkombëtare.
“Serbia nuk po ka pasoja për qëndrimin e saj ndaj politikës së Kosovës. Nëse ajo nuk ka pasoja, ajo mund të flasë çka të dojë”, ka deklaruar ai për “Zërin”. Tahiri ka folur edhe për procesin e dialogut Kosovë - Serbi, për arrestimin e nënkolonelit Nehat Thaçi, për bojkotin e Listës Serbe ndaj institucioneve të shtetit të Kosovës e për çështje të tjera.
Zëri: Sot u zhvillua takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministrit serb Aleksandër Vuçiq. Ndër të tjera u bisedua edhe për Kosovën. Si e shihni ju një gjë të tillë kur dihet se përfaqësues nga Kosova nuk ishin pjesëmarrës në këtë takim?
Tahiri: Një arsye se pse nuk ka pasur pjesëmarrës prej Kosovës, është sepse është krijuar një opinion në Kosovë se nuk duhet të marrin pjesë edhe pse kanë dashur ministrat dhe zëvendësministrat e caktuar që të marrin pjesë. Është krijuar përshtypja që Shqipëria nuk mund të ketë qëndrim paternalist ndaj Kosovës, ani që ata s’kanë deklaruar që do të kenë. Nuk ka pasur ndalesë, por për atë nuk ka marrë pjesë dikush prej Kosovës.
Ata kanë folur për Kosovën, por nuk kanë folur në emër të Kosovës. Nuk kanë folur diçka që është obliguese për Kosovën. Në këtë bazë, dy shtetet, tri shtetet ose edhe multilaterale kanë të drejtë të flasin për një territor për segmentin e caktuar të atij territori. Ne duhet t’i gëzohemi faktit kur Shqipëria forcohet në arenën ndërkombëtare dhe kur bëhet subjekt i fortë ndërkombëtar, sidomos rajonal. Edhe kur bëhet partner i barabartë me Serbinë sepse e kemi pasur një fazë shumë të gjatë historike, që Shqipëria si shtet ka qenë inferiore në marrëdhëniet ndërkombëtare në krahasim me Jugosllavinë. Domethënë, marrëdhëniet e mira në mes Serbisë dhe Shqipërisë i ndihmojnë Kosovës dhe rajonit. Dhe sa më të mira të jenë marrëdhëniet e dialogu, sa më i mirë të jetë shkëmbimi tregtar e kulturor, aq më mirë është për Kosovën. Kosova mund vetëm të fitojë, nuk mund të humbasë.
Serbia gjithmonë tenton që çështjen e Kosovës ta zgjidhë me Shqipërinë e jo me Kosovën, sepse nuk i pranon si të barabartë dhe kur ta zgjidhë me Shqipërinë opsionet janë më të ngushta dhe është më e disfavorshme për Kosovën.
Zëri: Kur thoni se është krijuar përshtypja që Kosova nuk duhet të marrë pjesë në takim, e keni fjalën për palën e Kosovës?
Tahiri: Prej anës së Kosovës, prej analistëve të Kosovës, prej politologëve të Kosovës, prej gazetarëve të Kosovës. Ka pasur tërë kohën shkrime që Kosova është e pafavorshme. Ose duhet të jetë trepalësh, nuk bën të jetë si delegacion përcjellës. Por nëse shkojnë tre kryeministra, nuk është takimi trepalësh. Kemi tjera forume ku janë 8 presidentë, në këtë rast është takim bilateral, por pasi të bisedohet konkretisht. Për shembull, për rrugën Nish - Durrës, që duhet të kalohet nëpër Kosovë, obliguese ka qenë që të jetë Kosova, se ata sado që merren vesh, Shqipëria e ka ndërtuar rrugën, Serbia nuk e ka ndërtuar rrugën deri në Merdar (e ndërton), por duhet të kalojë nëpër territor të Kosovës dhe ai konsorciumi duhet ta përcaktojë trasenë, kah është më e favorshme për Kosovën dhe patjetër ka për të kaluar nëpër Kosovë dhe do të merren vesh edhe institucionet e Kosovës.
Zëri: Vuçiq në njërën anë tha se është i interesuar të bashkëpunojë me shqiptarët për t’u integruar në BE, në anën tjetër doli kundër Ligjit për “Trepçën”, si e shihni ju këtë, sa janë serioze këto deklarata për të bashkëpunuar me shqiptarët?
Tahiri: Për Kosovën nuk janë aspak serioze deklaratat e Serbisë sepse nuk e pranon Kosovën si shtet, e pranojnë si shtet të Serbisë. Ky është përcaktim i tyre. Nuk duhet të fshihet kjo punë.
Edhe Lista “Srpska” kur të vijë, merr pjesë në institucionet e Kosovës, por i drejtohet si “palës shqiptare në Qeveri”, jo “Qeveri e Republikës së Kosovës”.
Zëri: Kryeministri Rama bëri thirrje për njohje të Kosovës nga Serbia, një gjë të tillë e kishte bërë edhe më herët, a është Rama njeriu adekuat për të lobuar në këtë drejtim?
Tahiri: Nuk e bën vetëm ky, e bëjnë të gjithë. E bën edhe presidenti i Kosovës, kryeministri. Edhe unë mendoj ashtu, që problemi zgjidhet kur Serbia ta njohë Kosovën, ani pse ndoshta ne prapë do të kemi vende, si Rumania, Spanja që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, ne nuk kemi problem me Serbinë dhe nuk kemi problem formal ta zëmë, që të kalojë rekomandimi në Këshill të Sigurimit nga Kina dhe Rusia për t’u bërë anëtar i Kombeve të Bashkuara. Ai është kryeministër i Shqipërisë, i cili si i pari i shtetit në ekzekutiv, që kërkon nga këta që ta njohin.
Zëri: Më shumë se njohje për Kosovën për një pavarësi që tashmë është fakt, a nuk do të duhej Rama që të interesohej për shqiptarët në Luginën e Preshevës të cilët, megjithatë, po përballen në baza ditore me politikë diskriminuese nga ana e shtetit serb?
Tahiri: Është për debat. Në qoftë se Kosova është shtet që është shtet, Shqipëria shtet, shqiptarët e Luginës së Preshevës janë pakicë, për shkak të kushteve historike, kush është ai paternalisti i tij, a është Kosova, a është Shqipëria apo duhet të jenë bashkë? Kush është ai që duhet të interesohet dhe ka obligim më shumë të interesohet për shqiptarët e Preshevës? Sepse, arsyetim, ata i thonë shqiptarët e Preshevës duhet të kenë të drejta sa kanë serbët në Shqipëri. E në Shqipëri nuk janë të regjistruar si serbë, mirëpo këta i kanë regjistrimet e vjetra që herë paraqiten serbë, herë malazezë. Serbinë duhet ta detyrojë bashkësia ndërkombëtare, duhet ta detyrojë që ta respektojë Kartën Evropiane të të Drejtave të Komuniteteve, sepse ne me njëri-tjetrin edhe të jemi të fortë si Amerika s’mund ta detyrojmë se i ka ligjet e veta.
Zëri: Kur mendoni se do të ketë njohje nga Serbia?
Tahiri: Serbia nuk po ka pasoja për qëndrimin e saj ndaj politikës së Kosovës. Nëse ajo nuk ka pasoja, ajo mund të flasë çka të dojë. Për shembull, neve na duket kur Nikoliqi flet diku dhe akuzon presidentin tonë dhe ne kërkojmë nga nikoqiri që ta ndalë zërin, ai thotë s’mund t’ia ndali, edhe ti fol çka të duash. Dhe, ti flet ndryshe, por nuk është diçka që ai ka pasojë. Ju kujtohet kur u shpall pavarësia jonë dhe kur filluan të na njohin shtetet, Serbia çka bëri? Tërhoqi ambasadorët, por pas 6 muaj -1 vit i riktheu të gjithë. Ky proces është kështu, pra nuk ka ndonjë model më të mirin që do të mundë të ishte më i rehatshëm.
Në Serbi ende nuk janë krijuar kushtet për ta njohur pavarësinë e Kosovës, ani që pavarësia është reale. Sepse, thyerja brenda tyre që e çmojnë “tradhtarë” është e madhe dhe nuk e merr askush atë rrezik.
Zëri: A do të shkojë gjatë kjo “thyerje” derisa ata të ndërrojnë?
Tahiri: Unë mendoj 5 deri në 10 vjet. Nuk po e them si parashikues, sepse unë e zë një faj edhe të bashkësisë ndërkombëtare, të një qëndrimi të keq ndaj Kosovës. Kemi mbetur shumë të varur dhe kemi mbetur shumë në proces mbikëqyrjeje dhe një proces administrimi ndërkombëtar. Për mua, Kosova para 15 vjetësh do të duhej ta merrte liberalizmin e vizave dhe të jetë shembull në vend dhe shembull për Serbinë. Po i liberalizon Ukraina që është në gjendje lufte, Gjeorgjia që është luftë e s’po i liberalizojnë shqiptarët. Ne tash ende po flasim për gjykime të luftës, i ka pasur UNMIK-u, i ka pasur Evropa, ti s’ke mundur asnjë rast ta trajtosh. Ti s’ke mundur ta trajtosh “Qyshkun”, “Reçakun”, “Izbicën”, askënd.. Domethënë, bashkësia ndërkombëtare e ka një vizion të keq për Kosovën, për të ardhmen e Kosovës.
Zëri: A është faji edhe i institucioneve tona në këtë drejtim?
Tahiri: Faji është yni sepse nuk kemi përvojë, se pranojmë kompromise për interesa personale. A s’është turp për ne që një ministër ka ndërruar 5 ministri. Herë ka kaluar me një ministri, herë me një tjetër. Për mua do të ishte turp. Ku t’ua thuash, nuk thonë që jo. Herë ministër i Jashtëm, herë i Brendshëm. Kjo është pafytyrësia jonë. Njerëzit po punojnë në kurriz të Kosovës, po pasurohen në kurriz të Kosovës.
Zëri: Para disa javësh në Serbi u arrestua nënkoloneli Nehat Thaçi. Kryeministri serb tha se një gjë e tillë nuk u bën për arsye politike, por pas një fletarrestimi të vitit 1997. Sa mund të jetë real një arsyetim i tillë?
Tahiri: Ajo është çështje gjyqësore e jo politike. Ka mundur të jetë secili nga ne. Mund të jetë edhe arsyeja pse ka punuar në veri dhe ka punuar mirë, apo ka punuar keq varet për kë edhe ka pasur këtë trajtim. Mirëpo ai ka padi të gjyqit. Shteti nuk mund të përzihet në të. Ai ka aktakuza konkrete. Mund të jetë e tëra e pabazuar, por s’ke çfarë të bësh.
Zëri: Si e vlerësoni procesin e dialogut Kosovë - Serbi, i cili po zhvillohet aktualisht?
Tahiri: Dialogu është më mirë që po zhvillohet sepse edhe thonë se më mirë 100 vjet dialog se një vit luftë. Mirëpo ky dialog është pak i pafavorshëm pasi edhe bashkësia ndërkombëtare na ka sjellë në këtë ditë. Sepse në momentin që ne heqim telefonitë e Serbisë ata reagojnë menjëherë. Në momentin që e ndalim postimin e Serbisë në Graçanicë, ata reagojnë. Këto janë vetëm disa raste specifike.
Zëri: A ka nevojë për një strukturim ndryshe të këtyre bisedimeve?
Tahiri: Po, normalisht. Duhet të bëhet ministri me ministri direkt. Pa dialog. Pa koordinator siç e kemi ne Blerim Shalën. Nuk është serioze. Bisedimet zhvillohen ministri me ministri. Ndryshe nuk duhej të hynim në bisedime.
Zëri: A po përfiton vetëm Serbia nga dialogu?
Tahiri: Serbia nuk ka hyrë të humbasë në bisedime. Serbia po përfiton vazhdimisht diçka, ndërsa Kosova nuk e di çka po përfiton. Për pesë vjet bisedime nuk e dimë çka kemi përfituar.
Zeri: Lista Serbe tashmë ka bojkotuar Kuvendin e Qeverinë, si e vlerësoni këtë vendim të saj?
Tahiri: Ata kanë bërë këtë bojkot vetëm politikisht. Ata pagat i marrin derisa të bëhen gjashtë muaj. Pak para se të bëhen gjashtë muaj ata rikthehen përsëri. Ata nuk i kanë hequr benefitet e tyre. As veturat, as pagat, as zyrat. Ata vijnë në Kuvend, mirëpo nuk marrin pjesë në komision. Ligji e lejon që deri në gjashtë muaj ta bëjnë këtë.