Serbia s’po i hap arkivat ushtarake për të pagjeturit

Aktuale October 13, 2016 - 08:34

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se Serbia nuk po tregohet e gatshme që t’i hapë arkivat ushtarake se ku ndodhen personat e pagjetur nga Kosova, pasi që, siç thotë ajo, kanë qenë forcat ushtarake serbe ato që kanë bërë gjenocid në luftën e fundit.

Këto komente ministrja Tahiri i ka bërë gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, duke shtuar se pala serbe asnjëherë nuk është treguar e gatshme të japë informacione të plota për fatin e të zhdukurve nga Kosova.

Gjatë kësaj interviste ajo ka folur edhe për arrestimin e togerit Nehat Thaçi, duke thënë se nuk mund të kushtëzohet vazhdimi i dialogut me lirimin e këtij të fundit, pasi që, siç thotë ajo, në këtë mënyrë kushtëzohet edhe e ardhmja evropiane e vendit.

Zëri: A e posedon Qeveria një listë të plotë për të pagjeturit nga Kosova?

Tahiri: Në fakt Kosova dhe Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit i ka listat dhe i ka pasur vazhdimisht që nga paslufta. Një kohë me këtë çështje është marrë UNMIK-u, ndërsa që nga viti 2006 Qeveria e Kosovës e ka formuar Komisionin për të Pagjeturit. Komisioni shtetëror e ka evidentuar listën e të gjithë qytetarëve të pagjetur, që nga përfundimi i luftës. Mirëpo, Serbia nuk është e gatshme të tregojë se ku janë të pagjeturit. Dhe në Komisionin Parlamentar, që e pata paraqitjen të hënën, unë fola për mosgatishmërinë e Serbisë për t’i dhënë listat se ku janë të pagjeturit. Pra, është dallimi i madh mes asaj se kush janë të pagjeturit dhe ku janë të pagjeturit. Sepse Serbia po t’i jepte listat ku janë të pagjeturit do t’i hapte arkivat ushtarake dhe të gjitha arkivat tjera, do të ishte ajo që do të tregonte se ku ndodhen të zhdukurit dhe pastaj ky proces do të zbardhej shumë më shpejt.

Zëri: A e keni ngritur këtë çështje në Bruksel gjatë bisedimeve me palën serbe?

Tahiri: Në vitin 2011 në dialogun e Brukselit ne paraqitëm temën e të pagjeturve dhe një rund bisedimesh i zhvilluam për këtë temë. Ne si delegacion i Kosovës, ku së bashku me mua ka qenë edhe profesori i ndjerë Pajazit Nushi, i cili ishte kryetar i këtij Komisioni për të Pagjeturit, paraqitëm listën e të pagjeturve që ishte një listë rreth 1800 persona të pagjetur. Nga ana tjetër ne kërkuam në veçanti zbardhjen e fatit të disa figurave të shquara, në mesin e tyre ishte edhe patrioti i shquar Ukshin Hoti. Nga ana tjetër pala serbe në kërkesat tona, që ata të japin listën se ku janë të pagjeturit nuk ishin të gatshëm të tregojnë. Bashkimi Evropian në fund të bisedimeve konkludoi në këtë mënyrë,  që në qoftë se dëshirojmë ta përshpejtojmë procesin, në qoftë se nuk dëshirojmë të zgjasim edhe nja 15 vjet siç ka zgjatur deri më tash, atëherë duhet Serbia ta paraqesë listën se ku janë të pagjeturit e Kosovës në territorin e Serbisë. Po ashtu, kërkoi edhe nga Kosova listën ku janë të pagjeturit për serbët, sepse ne kishim listën për të gjithë, shqiptarët, serbët dhe minoritetet tjera. Ndërsa, pala serbe u interesua vetëm për serbët. Sido që të jetë, ajo duhet të tregojë ku janë të pagjeturit në Serbi. Ne u kemi thënë që këto janë rezultatet e gjenocidit të Serbisë në Kosovë dhe vetëm Serbia e ka listën se ku janë të pagjeturit. Bashkimi Evropian na dha një kohë që Serbia t’i paraqesë listat ku janë të pagjeturit, por kjo e fundit nuk u paraqit dhe pastaj BE-ja vendosi që të vazhdojë me tema tjera dhe asnjëherë nuk patëm më përgjigje të Serbisë për të treguar dhe dhënë informacion më të plotë ku janë këta njerëz.

Zëri: A është kjo arsyeja pse edhe në Bruksel nuk është diskutuar deri më tani rreth kësaj çështjeje, e cila vazhdon të mbetet një plagë e hapur për mijëra familje në Kosovë?

Tahiri: Po. Arsyeja kryesore është mungesa e informacionit për fatin e të zhdukurve. Për faktin se Serbia nuk u tregua asnjëherë e gatshme që të japë informacion të plotë për fatin e të pagjeturve dhe për faktin se Serbia ende nuk po tregohet e gatshme t’i hapë arkivat ushtarake sepse forcat e ushtrisë serbe kanë bërë gjenocid. Presionet ndërkombëtare vazhdojnë por Bashkimi Evropian si ndërmjetës i dialogut ka vlerësuar se pa këto lista nuk mund të ketë edhe rezultate.

Në fazën e tretë të dialogut diskutohet për të pagjeturit

Zëri: Kur do të diskutohet në Bruksel për personat e pagjetur, a ka ndonjë datë të saktë?

Tahiri: Ne përsëri për fazën e tretë të dialogut çështjen e parë e kemi vënë çështjen e të pagjeturve por me këtë rast i kemi bërë me dije Bashkimit Evropian që duhet të punohet me Serbinë që t’i bëhet presion që kjo e fundit ta përgatisë listën dhe të tregojë se ku janë këta të zhdukur dhe pastaj ky proces do të mund të zgjidhet shpejtë.

Zëri: A mund të kushtëzohet dialogu me një përpjekje konkrete nga qeveria serbe për të zbardhur fatin e të pagjeturve?

Tahiri: Dialogu i Brukselit ka disa qëllime. Natyrisht që qëllimet janë që të zgjidhen problemet që janë krijuar gjatë luftës. Pra dëmshpërblimi për dëmet që janë bërë në Kosovë nga Serbia, dëmet materiale, shpirtërore, humbja e njerëzve dhe në krye të këtyre është plaga e të pagjeturve, që është njëra ndër më të rëndat e luftës dhe sot e kësaj dite është plage e thellë dhe jo vetëm për familjarët po për të gjithë qytetarët e Kosovës. Prandaj, e kemi vënë si çështje kryesore. Megjithatë, për ta bërë kushtëzimin e dialogut  duhet të mendojmë mirë, sepse dialogu i Brukselit është dialog për fqinësinjë të mirë dhe një prej kushteve që Kosova ka që të përparojë në integrimin evropian. E njëjta vlen edhe për Serbinë, sepse Serbia nuk është që ta kushtëzojë këtë dialog, sepse e ndal rrugën e vetë drejtë Bashkimit Evropian.

Zëri: A keni marrë përgjigje nga Serbia për kërkesën e lirimit të policit Nehat Thaçi?

Tahiri: Ashtu siç e kam thënë në media arrestimi i Thaçit ndodhi pikrisht në kohën kur po zhvilloheshin bisedimet për kodin telefonik. Unë menjëherë kam biseduar me Bashkimin Evropian dhe kam kërkuar angazhim maksimal që të lirohet sa më shpejt. Në anën tjetër, në takimin tre palësh, kam kërkuar nga delegacioni i Serbisë të ma shpjegojë çfarë ka ndodhur dhe ta lirojë menjëherë Thaçin. Delegacioni i Serbisë nuk e premtoi lirimin e tij, por, tha se kjo çështje i ka kaluar drejtësisë dhe ata do të interesohen. Megjithatë, Bashkimi Evropian premtoi se do t’i vërë në dispozicion të gjitha mekanizmat për lirimin e tij.

Po e përsëris se nëse Serbia vazhdon me këtë arrogancë edhe ne do të aplikojmë masa reciprociteti dhe sot po e them se në rastet kur Serbia do të sillet mirë edhe ne reprocikisht sillemi mirë, por në qoftë se Serbia sillet keq sikurse në arrestimin arbitrar të Nehat Thaçit, atëherë ne duhet të marrim masa. Po ashtu mendoj se Serbia në këtë rast po e shkel Marrëveshjen e Lëvizjes së Lirë sepse Serbia nuk ka të drejtë të arrestojë persona të shteteve tjera sepse juridiksioni i Serbisë përfundon në kufi të Serbisë dhe në shtetin e Kosovës vlen juridiksioni i Kosovës edhe siç e tha edhe ministrja e Drejtësisë kanë kërkuar që ai të kthehet dhe pastaj nëse është çështje për drejtësinë, me të merren organet tona.

Zëri: A është reciprociteti zgjidhja e vetme në raport me Serbinë?

Tahiri: Në fakt reciprociteti është njëra prej parimeve kryesore të marrëdhënieve bilaterale në mes të shteteve, sipas Konventës së Vjenës.

Nëse kushtëzohet dialogu me lirimin e Thaçit, kushtëzohet e ardhmja evropiane e Kosovës

Zëri: A e keni opsion edhe ndërprerjen e bisedimeve nëse Nehat Thaçi nuk lirohet së shpejti?

Tahiri: Dialogu i Brukselit është një proces ndërkombëtar me interes për shtetin tonë, po ashtu në interes të popullit për paqen dhe stabilitetin në rajon. Kryesorja është që dialogu i Brukselit po ndihmon që Kosova të integrohet në Bashkimin Evropian. Nëse ne marrim vendim për ta ndërprerë dialogun, duhet të dimë se kjo do të ndikojë në ardhmërinë tonë evropiane. Ne jemi përcaktuar për integrimin euroatlantik dhe ne dëshirojmë të jemi qytetarë të Evropës. Në qoftë se ne themi që e kushtëzojmë dialogun, duhet ta dimë që po e kushtëzojmë edhe ardhmërinë evropiane. Por, masat e reciprocitetit besoj se janë mesazh i mirë për Serbinë, por edhe për faktorin ndërkombëtar që më shumë të bëjnë presion te Serbia ta lirojë Nehat Thaçin.

Zëri: A janë palët të gatshme të fillojnë prej 15 nëntorit ta zbatojnë Marrëveshjen për Targat?

Tahiri: Lajmi i mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës është që prej 15 nëntorit më nuk do të kenë nevojë të përdorin tabela provuese kur të kalojnë në Serbi dhe po nga ajo ditë çdo automjet që vjen nga Serbia do të detyrohet t’i nënshtrohet reciprocitetit dhe do të ketë letër ngjitëse në tabelë, siç do të kenë edhe veturat tona që do të hyjnë në Serbi.

Zëri: Në raportimin tuaj të fundit para Komisionit Parlamentar deklaruat se bisedimet do të përfundojnë me njohjen reciproke, ndërsa zyrtarët serbë po deklarojnë se kurrë nuk do ta njohin Kosovën shtet?

Tahiri: Mund t’ju sigurojë se fundi i dialogut do të jetë njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo do të ndodhë sepse fqinjësia e mirë është kusht për integrim evropian për çdo shtet. Pra, fqinjësia e mirë në mes të Kosovës dhe Serbisë mbërrihet vetëm kur do të ndodhë njohja e ndërsjellë ndërmjet dy shteteve.