S’ka demarkacion pa konsensus

Aktuale October 13, 2016 - 08:10

“Konsiderojmë gjithashtu se, imponimet e drejtpërdrejta apo të tërthorta, apo të asaj natyre për të cilat po aludoni ju, nuk duhet të jenë shtysa as premisa për gjetjen e një zgjidhjeje ndërmjet pozitës dhe opozitës rreth demarkacionit. Përkundrazi dialogu konstruktiv dhe me të gjithë, pa dallime, është parakusht pa alternativë për shtyrjen e proceseve vitale përpara, përfshirë këtu edhe çështjen e demarkacionit edhe atë të kthimit të Listës Serbe në jetën aktive institucionale”, ka potencuar Abdullahu.

Në anën tjetër, koordinatorja e Qendrave në Lëvizjen “Vetëvendosje”, Teutë Rrusta, ka thënë se ratifikimi i demarkacionit nuk mund të ndodhë në versionin aktual. Madje, sipas saj, kjo u bë e qartë më 1 shtator, kur Qeveria e tërhoqi vetë këtë çështje nga rendi i ditës.
“Nuk mund të ratifikohet demarkacioni, i cili jo vetëm nga opozita, por edhe nga ekspertë të çështjes dhe vetë deputetë të mazhorancës është argumentuar si me gabime. Nuk mund të tolerojmë që nën pretekstin fals "ratifikojmë demarkacionin e fitojmë vizat", të falim territor. Sepse, fillimisht nëse ky kriter është njëmend i BE-së, atëherë është i padrejtë sepse i është vënë i Kosovës. Më pas, ne nuk jemi të interesuar që për viza të falim territor dhe kështu s'do të vepronte asnjë shtet”, është shprehur Rrusta.

Kurse, anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj ka thënë se marrëveshja për demarkacionin nuk zgjidhet me deklarata dhe me dhënien e afateve.

Zëdhënësi i AAK-së gjithashtu ka thënë se arritja e konsensusit në mes të pushtetit dhe opozitës do të duhej të arrihej pa marrë parasysh qëndrimin e Listës Serbe.

“Kjo çështje s’ka të bëjë fare me Listën Serbe. Pozita dhe opozita, do të duhej të kishin gjetur zgjidhje pavarësisht deputetëve serbë, sepse demarkacioni e ka përplasur Qeverinë në njërën anë dhe opozitën dhe qytetarët në anën tjetër, tash e sa kohë. Kjo çështje është bërë problem nacional i Kosovës, edhe pa Listën Serbe. Ata kanë dalë nga Kuvendi për interesa të tyre dhe jo për interesa të Kosovës. Prandaj s’ka pse të jetë element i imponimit të një zgjidhjeje Lista Serbe”, ka shtuar Nitaj.
Ndërkohë, opinionisti Imer Mushkolaj, ka thënë se do të duhej të kishte një plan për gjetjen e një zgjidhjeje për demarkacionin, megjithatë, sipas tij kjo nuk mund të bëhet pa konsensus në mes të pushtetit dhe opozitës.
“Bojkotimi i Listës Serbe vetëm sa do ta vështirësojë edhe më tepër këtë çështje, kështu që kjo koha prej 1 shtatorit është humbur kot për shkak se  ka pasur mjaft mundësi që edhe deri sa ka qenë Lista Serbe në institucione, por edhe me një lloj gatishmërie të opozitës të arrihet zgjidhje e të gjindet kompromisi”, ka vlerësuar Mushkolaj.

Bojkotimi i punës së Kuvendit nga Lista Serbe ia ka vështirësuar edhe më shumë punët koalicionit qeverisës për të siguruar votat e nevojshme për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Subjektet opozitare vazhdojnë të qëndrojnë kundër marrëveshjes së Vjenës duke thënë se ky version është i papranueshëm për ta.

Në këtë situatë vlerësohet se Qeveria do të detyrohet që të kërkojë konsensus me opozitën në mënyrë që të mos zgjatet edhe më tutje procesi i liberalizimit të vizave, pasi ratifikimi i demarkacionit është kusht në atë proces.

Faton Abdullahu, këshilltar i kryeministrit të vendit, ka thënë për gazetën "Zëri", se është në të mirën e gjithanshme e sidomos të proceseve shtetndërtuese dhe atyre të ndërlidhura me cilësinë e jetës së qytetarëve që çështja e demarkacionit të mos vonohet edhe më tutje.

Madje, ai ka thënë se pa e specifikuar me datë pushteti është duke bërë përgatitje që këtë çështje ta riprocedojnë.

Sipas tij dialogu në mes pushtetit dhe opozitës do të duhej të zhvillohej edhe para se të largohet Lista Serbe.