Analistët: Veprimi i Thaçit pak para Speciales, i çuditshëm

Aktuale October 12, 2016 - 10:14

Analistët politikë e kanë vlerësuar si të çuditshme kërkesën e presidentit Hashim Thaçi drejtuar kryeprokurorit Lumezi, për t’i zbardhur vrasjet e luftës dhe pasluftës në Kosovës. Sipas tyre, ky veprim i Thaçit ka ardhur vetëm pak para funksionalizimit të Gjykatës Speciale dhe si i tillë është goxha i vonuar.

Njohësi i çështjeve politike Haki Abazi, e ka cilësuar si aspak të natyrshëm apelin e Thaçit ndaj Lumezit, për t’i zbardhur krimet e kryera në Kosovë. Sipas tij, kryeprokurori duhet të ketë pavarësi në këso raste.

“Veprimi i presidentit është i çuditshëm, i panatyrshëm, papjekuri poltike dhe reflektim fisnor e pleqnar, që nuk ka të bëjë me shtetin dhe pavarësinë veprimit të gjykatave”, ka thënë ai në një prononcim për Zëri.info.

Sipas tij, ish-kryeministri Thaçi edhe në bisedat e tij shihet teksa e shkel ligjin.

“Kryeprokurori është pozitë e ndjeshme, e pavarur dhe i gjithë sistemi gjyqësor. Presidenti në aferat “Pronto” tregon që është shkelësi i ligjit, procedurave dhe vepron me idenë dhe bindjen e mbretit”, ka shtuar Abazi.

Tutje, ai ka thënë se Thaçi nuk duhet të bëjë agjenda për organet e drejtësisë. Përkundrazi siç ai është shprehur, Thaçi duhet të japë dorëheqje.

“Këto katër letra e konfirmojnë se ai i jep vetes të drejte të veprojë. Atij duhet përkujtuar që Kosova nuk është shtet presidencial, por parlamentar dhe sikur të ishte, ai nuk mund të percaktojë agjendë për prokurorinë e as për gjyqësinë. Ajo që duhet bërë presidenti duhet të japë dorëheqje për shak të perzierjes në aferën “Pronto”, ka përfunduar Abazi.

Nga ana tjetër, profesori universitar Blerim Burjani, ka vlerësuar se kërkesa e Thaçit u bë pikërisht para Gjykatës Speciale. Mirëpo sipas tij, Specialja do të merret me të gjitha krimet për të cilat është paralajamëruar.

“Ky apel po ndodhë në prag të fillimit të punës së gjykatës speciale. Sigurisht se gjykata speciale do të merret me rastet edhe gjatë luftës edhe pas luftes, ashtu siç e ka mandatin. Ky apel kaherë është dashur të ndodhë dhe atë menjëherë pas vitit 1999-2000”, ka thënë ai për “Zëri.info”.

Sipas tij, kërkesa e presidentit është dashur të bëhet qysh moti, por jo tash.

“Kërkesa ka prapavijë të Gjykatës Speciale dhe kjo është ‘shpërlarje goje’ siç thuhet në gjuhën popullore. Pra, s’ka ndonjë gjë tjetër, kërkesa është dashur të ndodhë por s’ka pasur as gatishmëri”, ka shtuar ai.

Burjani në vazhdim, ka konsideruar se presidenti Thaçi është vonuar tejet shumë në këtë drejtim. /Zëri