Plani për kalimin e Demarkacionit, deri më 27 tetor

Aktuale October 12, 2016 - 08:08

Qeveria e Kosovës po synon që Marrëveshja për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi të kalojë në Parlament prej datës 25-27 tetor 2016, përkatësisht gjatë dy javëve të ardhshme, në mënyrë që të arrihen afatet e nevojshme për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian gjatë këtij viti. Në të kundërtën heqja e vizave me BE-në shtyhet për vitin tjetër.

Gazeta “Zëri” ka arritur ta sigurojë një dokument të përgatitur nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Kosovës, të cilin ditë më parë ministri Hoxhaj ua ka shpërndarë deputetëve dhe institucioneve relevante të vendit. 

Sipas këtij dokumenti, procedurat për finalizimin e procesit për liberalizimin e vizave janë si në vijim: Në seancën e parë plenare në Parlamentin Evropian duhet të aprovohet mandati për negocim në trialog.

Parlamenti Evropian ka seanca plenare të planifikuara për datat: 4-6 dhe 24-27 tetor 2016, 21-24 nëntor të këtij viti, 30 nëntor -1 dhjetor dhe 12-15 dhjetor 2016. Pas dhënies së mandatit çështja shkon në trialog. Ndërsa Kosova duhet të arrijë që t’i plotësojë kriteret e BE-së në seancën midis 25-27 tetorit të këtij viti për t’i arritur të gjitha afatet e votimit në institucionet e tjera.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, ka deklaruar se nuk do të kërkojë mandat nga Plenarja para se të përmbushen dy kushtet e mbetura, Demarkacioni dhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, veçmas, sipas saj, po kërkohet votimi i Demarkacionit.

Procedurat për liberalizim

Sipas dokumentit të MPJ-së, trialogu përbëhet nga përfaqësues nga Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian e Këshilli dhe ka për qëllim që palët t’i përafrojnë qëndrimet.

“Negociatat në trialog zgjasin varësisht nga gatishmëria e institucioneve. Ato mund të përfundojnë brenda një jave deri në 10 ditë, nëse është gatishmëria e institucioneve dhe shteteve anëtare. Në momentin e përfundimit të trialogut çështja shkon në dy institucione njëkohësisht”, thuhet mes tjerash në këtë dokument që u është shpërndarë deputetëve dhe që e posedon “Zëri”, duke shtuar se është e nevojshme që Parlamenti Evropian në njërën prej seancave plenare të aprovojë raportin.

Në të njëjtën kohë raporti i dërgohet edhe Këshillit për Drejtësi dhe Punë të Brendshme (JHA) për diskutim. Ky Komision përbëhet nga ministrat e Punëve të Brendshme të shteteve anëtare. Këshilli për Drejtësi dhe Punë të Brendshme (JHA) i ka takimet e caktuara për datat në vijim: 13-14 tetor 2016 dhe 08-09 dhjetor 2016.

Në raste të jashtëzakonshme ky vendim do të mundë të merret edhe nga çfarëdo takimi tjetër i Këshillit si p.sh. Këshilli i Ministrave të Punëve të Jashtme (12 dhjetor), Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme (13 dhjetor) dhe Këshilli për Ambientin (19 dhjetor).

Vetëm pas kalimit të këtyre procedurave qytetarët e Republikës së Kosovës mund të përfitojnë nga lëvizja e lirë në zonën Shengen.

Kadaj-Bujupi: Anulimi i Demarkacionit, e vetmja zgjidhje

Drejtori i përgjithshëm për Fqinjësi dhe Zgjerim i Komisionit Evropian, Christian Danielsson, gjatë vizitës së tij në Kosovë ka ritheksuar faktin se Kosova do t’i ketë përmbushur dy kërkesa të mbetura: të ratifikojë Marrëveshjen e Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi dhe të forcojë të dhënat në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Komisioni Evropian mbetet i përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën në reformat që lidhen me BE-në dhe në avancimin e Kosovës në rrugën e saj evropiane”, deklaroi Danielsson.

Donika Kadaj-Bujupi, deputete e Lëvizjes “Vetëvendosje” në Parlament, thotë për “Zërin” se janë dy kritere të vendosura nga BE-ja për liberalizim të vizave dhe jo një. Sipas saj, luftimi i korrupsionit është theksuar si problem kyç pasi që, siç thotë ajo, në asnjë rast s’ka dënime përfundimtare për korrupsion të rasteve të nivelit të lartë politik.

Ndërkohë, sipas deputetes së “Vetëvendosjes”, Demarkacioni nga kriteri monitorues është shndërruar në kriter obligues, por vetëm si proces dhe jo si version rrjedhimisht i dëmshëm. “Është momenti kyç kur rishqyrtimi, i prirë nga një anulim përfundimtar, është e vetmja zgjidhje për të ecur më tutje”, ka shtuar deputetja Kadaj-Bujupi, duke shtuar se Demarkacioni nuk është kriter përcaktues për liberalizim të vizave, pasi që, siç thotë ajo, vendet anëtare të BE-së kanë shumë dilema sa i përket rrezikut potencial nga valët e reja të emigrimit, sidomos pasi gjendja socio-ekonomike e qytetarëve të Kosovës është shumë e rëndë e për këtë gjë kryekëput përgjegjëse është Qeveria e vendit.

Muharremi: Demarkacioni vështirë të kalojë

Shenoll Muharremi, njohës i fushës së integrimeve evropiane, thotë për “Zërin” se është shumë e vështirë që të arrihen afatet e parapara nga institucionet e Kosovës për liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian këtë vit.

Kjo pasi që, sipas tij, Demarkacioni është shumë vështirë të kalojë në Parlamentin e Kosovës, njëri nga dy kushtet për liberalizim vizash, i cili po kundërshtohet ashpër nga opozita kosovare dhe njëkohësisht partnerët e koalicionit qeverisës, deputetët e Listës Serbe, i kanë ngrirë mandatet në Kuvend në kundërshtim të miratimit të Ligjit për “Trepçën”.
“Probabiliteti që liberalizimi i vizave të shtyhet për vitin tjetër është më i madh sesa që të arrihen afatet e planifikuara për këtë vit”, ka pohuar Muharremi.

Ai ka folur edhe për ftesën e kryeministrit për takim me opozitën për çështjen e Demarkacionit. “Po të ishte serioz kryeministri për këtë takim me opozitën, atëherë do të duhej që t’u shkonte në zyrë Ramush Haradinajt e liderëve të tjerë opozitarë për të diskutuar rreth Demarkacionit. Prandaj, edhe po dëshmohet se nuk ka qëllime serioze nga pozita për të diskutuar për një çështje kaq të rëndësishme”, ka potencuar Muharremi.