Krijohet task-forcë për lirimin e Thaçit

Aktuale October 11, 2016 - 08:03

Janë bërë dy javë prejse komandanti i Policisë në Mitrovicë, Nehat Thaçi, është arrestuar nga policia serbe nën dyshimet për “Terrorizëm”.

Thaçi dje ka dalë para trupit gjykues në Serbi, me ç’rast i ka hedhur poshtë akuzat që rëndojnë mbi të në lidhje me dëbimin e një familje serbe nga Lipjani.

Në anën tjetër, institucionet në Kosovë thonë se po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për lirimin e drejtorit Rajonal të Policisë së Kosovës.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) të Kosovës kanë bërë të ditur se sot i është dërguar një letër të gjitha përfaqësive diplomatike të akredituara në Kosovë dhe në kryeqytetet e vendeve evropiane për të ngritur presionin ndaj Serbisë në lidhje me arrestimin e Thaçit.

“Sot MPJ-ja u ka nisur edhe një letër të gjitha përfaqësive diplomatike të akredituara në Kosovë dhe në kryeqytetet e vendeve evropiane për ta ngritur edhe në një nivel më të lartë diplomatik rastin e arrestimit të oficerit policor dhe ku kërkohet të ushtrohet presion ndaj Serbisë për sjelljet e saj antievropiane dhe kundër frymës së respektimit të të drejtave të njeriut”, ka thënë për gazetën “Zëri” Bashmir Xhemaj, shef i kabinetit të ministrit Hoxhaj.

Xhemaj vlerëson se arrestimi i Thaçit përveçqë është i papranueshëm, sipas tij, ndikon edhe në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë –Serbi.

“Dhe tashmë kjo çështje është adresuar nga Qeveria e Kosovës në Bruksel. Ndërkohë që MPJ-ja dhe Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd po e përcjellin nga afër gjithë situatën dhe duhet kujtuar faktin se z. Thaçi është vizituar nga përfaqësuesi ynë diplomatik, ambasador Valdet Sadiku, me qëllim të ofrimit të mbrojtjes profesionale për të ndaj akuzave ta paqena dhe të fabrikuara”, ka potencuar ai, duke thënë se MPJ-ja së bashku me institucionet tjera shtetërore kanë krijuar task-forcën për lirimin e Thaçit.

Ndërkohë ministrja për Dialog, Edita Tahiri, në raportimin e saj para Komisionit për Qeverisje Lokale ka përsëritur se ka marrë përgjigje nga Bashkimi Evropian për lirimin e Thaçit, derisa ka cekur edhe një herë qëndrimin e saj drejtuar organeve të drejtësisë së Kosovës për marrjen e masave reciproke karshi Serbisë.

“Unë ftoj organet e drejtësisë së Kosovës që të marrin masa reciproke. Edhe sot e them. Marrëdhëniet përmirësohen vetëm kur ka sjellje të ndërsjella të mira. E jo këso rastesh arbitrare”, ka deklaruar Tahiri.

Ehat Miftaraj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi ( IKD), ka vlerësuar se rasti i arrestimit të komandantit Thaçi në Serbi është vazhdimësi e presionit që Serbia është duke e vazhduar të ushtrojë kundër shtetasve të Kosovës. Mënyra e këtij shteti t’i pengojë Kosovës, sipas tij, është përmes lëshimit të udhërarrestimeve kundër shtetasve kosovarë.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bali Muharremi, ka shprehur keqardhjen për arrestimin e Thaçit duke e quajtur absurd diskutimin me Serbinë kur Qeveria e Kosovës e ka të pamundur ta lirojë zyrtarin e saj.