Kosova, e 'okupuar' nga spiunët

Aktuale October 09, 2016 - 07:51

Akuzat se “je spiun apo bir spiuni” janë bërë përditshmëri në opinionin kosovar. Për t’i pastruar figurat nga e kaluara ish-agjentët e sigurimit jugosllav, ish-udhëheqësit shtetërorë dhe njohësit e sigurisë kërkojnë të kthehen dosjet nga Serbia dhe të miratohet Ligji për Lustracionin (pastrimin e figurës). Sipas tyre, vetëm në këtë formë secili zyrtar do të hyjë nëpër “detektorin e spiunimit” dhe do të pastrohet nga e kaluara

Akuza dhe kundërakuza ndaj njerëzve në pozita shtetërore, politikanë, deputetë, profesorë, gazetarë... se kanë qenë apo edhe se janë bashkëpunëtorë të sigurimit shtetëror serb, apo sigurimeve të tjera, janë bërë përditshmëri në opinionin kosovar. Madje, është bërë si rutinë që për t’i njollosur të tjerët duke i quajtur ish-bashkëpunëtorë të shërbimit sekret prej të cilit kanë pësuar shqiptarët. Në mungesë të Ligjit për Lustracionin (pastrimin e figurës) linçimi në këtë formë i njerëzve po përdoret edhe në fjalimet e përfaqësuesve të shtetit.

E ata që duhet të bëjnë këtë ligj, deputetët e Kosovës, po drejtojnë gishtin me fyerje ndaj njëri-tjetrit për spiunazh, korrupsion...

Deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, u është drejtuar në Kuvend deputetëve të Lëvizjes “Vetëvendosje”: “A jeni me Rusinë apo me Amerikën?”. Ndërsa, LVV-ja e quan Isa Mustafën komunist... Tash së fundmi edhe disa përfaqësues të “Vetëvendosjes” po quhen fëmijë spiunësh. 

Por lustrimi në Kosovë nga ish-agjentët nuk konsiderohet proces i lehtë. Marrja e dosjeve të ish-Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Krahinës Autonome të Kosovës nga Shërbimi Serb pas largimit nga Kosova me 1999, sipas tyre, pengon procesin e lustrimit.

Lustracioni nuk u bë ligj, shumë spiunë në politikë

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, thotë për “Zërin” se për të pasur qasje në dosjet e ish-sigurimit vendet tjera (të ish-Jugosllavisë) në raport me Kosovën kanë pasur mundësi e lehtësi të mëdha. “Vetëm ne kemi pasur një shtypje të dyfishtë, regjim të egër klasor e pushtim klasik. Pastaj ne nuk kemi mundësi për t'i poseduar materialet e duhura”, tha ai.
Krasniqi thotë se mënyra sesi është bërë kalimi nga një sistem në një sistem tjetër shoqëror me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, ky i fundit, sipas tij, nuk ka qenë fare i interesuar t'i identifikojë bashkëpunëtorët e Serbisë. Përkundrazi, Krasniqi thotë se në shumë raste janë privilegjuar ata.
“Kur kësaj i shtojmë edhe mungesën e dokumentacionit, kjo gjë bëhet krejt e pamundur. Veç kësaj, tani po vjen një gjeneratë krejt e re, ani pse as për këtë nuk mund të themi se nuk është vënë në shërbim të shërbimeve të huaja. Madje ne, shqiptarëve, kjo edhe nuk është kah na pengon, mjafton që të mos jemi në shërbim të vetvetes?!”, tha ish-kryeparlamentari kosovar.
Krasniqi thotë se tani Ligji i Lustracionit edhe po të hynte në fuqi nuk ka mbetur çka të pastrohet më.
“Veçse do të bëhej një zhurmë që nuk do të shërbente për asgjë. Pasi dhe punëtorët e UDB-së i kemi quajtur ‘thesar kombëtar’. Dhe thesari zakonisht ruhet. Sa u përket akuzave, tek ne nuk mbetet kush pa u akuzuar. Tek ne është akuzuar edhe Adem Demaçi që i ka mbajtur 28 vjet burg. E të mos flasim për të tjerët. Ani pse tek ne vlen ajo thënia: ‘t’i them sa nuk më ka thënë’”, thekson Krasniqi.
Për mosfunksionalizimin e ligjit ai thotë se fillimisht pengesa kryesore ka qenë administrimi ndërkombëtar. “Më vonë grupe të caktuara në Kosovë, por edhe ndërkombëtare, ajo farë (UDB-ja) u ka hyrë shumë në punë. Të tillët zakonisht janë të përdorshëm për çdo pushtet apo shërbim”, tha ai.

Ndërsa mosgatishmëria që pas luftës Kosova të ketë një ligj të tillë, Krasniqi mendon se ndodhi sepse kishte shumë në politikë dhe u duheshin shërbimeve të ndryshme. Sipas tij, këta njerëz u duheshin edhe shërbimeve të partive politike.
Krasniqi vlerëson se tani është tepër vonë që dosjet të kërkohen. Ai shprehet skeptik se Serbia do t’i kthejë ndonjëherë dosjet.

“Nuk besoj që Serbia do t'i dekonspironte të djeshmit e aq më pak të sotmit”, thotë Krasniqi. I pyetur nga gazeta rreth akuzave në opinion se ish-bashkëpunëtorë të UDB-së kanë qenë dhe brenda UÇK-së, Krasniqi deklarohet se nuk përjashtohet mundësia që edhe brenda UÇK-së të ketë pasur njerëz të tillë.

“Por unë nuk kam asnjë informacion. Ndoshta shefi i Shërbimit të UÇK-së ka pasur. Unë nuk kam qenë i informuar. Por ndonjëri që është ditur që ka qenë pjesë e Shërbimit të UJ-së, më vonë janë dekoruar nga presidentë të Kosovës e të Shqipërisë?! Ndoshta ‘thesaret’ është dashur të dekorohen. Me gjasë tek shqiptarët pa qenë i tillë edhe nuk mund të dekorohesh?!”, ka deklaruar ish-kryeparlamentari Krasniqi.

Kërkohet hapja e dosjeve

Mehmet Loci, ish-punëtor i Shërbimit të Sigurimit të Shtetit, thotë se duhet të hapen dosjet e shërbimeve sekrete civile dhe ushtarake serbe, shërbimeve sekrete të Kosovës që vepruan gjatë dhe pas luftës së UÇK-së deri në vitin 2008, si dhe të Shqipërisë.
“Kosova ende nuk mund t’i qërojë hesapet me të kaluarën e OZNES-it, UDB-së, SHSSSH-së, si shërbime civile dhe KOS-it ushtarak të ish-Jugosllavisë, respektivisht Serbisë, krahinës së Kosovës, si dhe Republikës së Shqipërisë. Derisa Serbia dhe Shqipëria nuk miratuan Ligjin për Hapjen e Dosjeve, thashethemet nuk do të ndalen”.

Fatkeqësisht, sipas tij, ekziston një kategori e njerëz që përhapin lajme se të gjithë qytetarët në Kosovë kishin dosje mbikëqyrëse dhe trajtuese apo se filan filani ishte hafije, spiun, bashkëpunëtor, informator e të ngjashme.
“Hapja e tyre do të ndihmojë që deri në fund të demistifikohen thashethemet mbi dosjet, natyrën e punës së shërbimeve të regjimit komunist në Jugosllavi, në Kosovë dhe në Shqipëri, si dhe mekanizmave veprues dhe praktikave që lidhën me to”, thotë ai.
Loci thotë se nuk ka shkrim të drejtë të historisë së shteteve të Evropës komuniste, si dhe të Kosovës dhe Shqipërisë pa hapjen e dosjeve. Ai thotë se nga të dhënat e gazetave të përditshme dhe javore serbe thuhet se deri më tash BIA-ja ( Bezbedonosna Informativna Agencia – Agjencia Informative e Sigurisë) e Serbisë ia ka dorëzuar Arkivit Shtetëror të Serbisë afër 80.000 fashikuj personale, disa nga të cilat i kanë nga 10.000 faqe.

Gjithashtu Loci thotë se gjatë vitit 2003 nga ana e policisë sekrete serbe janë dorëzuar materiale Arkivit Serb të Qytetit të Beogradit ku aty janë edhe ato të Kosovës.

“Mirëpo arkivat në ndërkohë kanë miratuar statutet e tyre të brendshme, të cilat kufizojnë të kuptuarit e dokumenteve sekrete për publikun e gjerë. Pra, sot një njeri do të akuzohej publikisht për gjëra që nuk i takojnë, nga ata që kanë ‘mizën nën kapuç’”, konsideron ish-agjenti kosovar.
Hapja e dosjeve, sipas Locit, do të mundësonte të dijë sekretin kush i spiunoi ata: grupin, organizatën kundërshtare të regjimeve të shtetit dhe individëve. Po ashtu, ai thotë se me hapjen e tyre do të zbulohen vrasjet nga e kaluara dhe e kaluara e afërt. “Do të zgjidhnim spekulimet dhe dilemat se kush i spiunoi, etj. Duke parë papërgjegjshmërinë dhe jorrallë interpretimet agresive, inkompetentë të shtypit, opinionistëve, politikanëve amatorë, dosjet duhet hapur pa marrë parasysh për kë ato flasin apo për cilindo qoftë nga ne...”, shprehet ai.

Loci thotë se neglizhenca e Kosovës tregon se është e pamundur tash për tash të bëhet hapja e arkivave të sigurimeve sekrete.

“Dihet se ato nuk i posedojmë. Por nëse ato hapen nga Serbia dhe Shqipëria duhet kërkuar gjatë këtyre bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel, ato që i përkasin qytetarëve të shtetit të Kosovës të kthehen”, ka thënë Loci për “Zërin”.

Prej shteteve që kanë dalë nga ish-Jugosllavia Loci thotë se vetëm Maqedonia me ligj ka rregulluar hapjen e dosjeve, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi kanë një urdhëresë të qeverive të tyre e Shqipëria ende ngec. “Prandaj, pa marrë parasysh se Kosova sot për sot nuk i ka ato në dispozicion, mendoj se duhet filluar me përgatitjen e infrastrukturës ligjore si projekt, e cila kurdo qoftë që do t’i kemi mund të bëhen publike”, thotë Loci.

Dosjet rrezikohen të ndryshohen nga Serbia

Ndërkaq Fadil Kajtazi, ekspert i Shërbimeve të Inteligjencës, edhe gjatë kohës së viteve '90-ta thotë se sipas Kodit të Procedurës Penale ata që punojnë për shërbimet e huaja informative kanë sanksione. “Problemi qëndron në brishtësinë e organeve tona të ndjekjes, të cilat kanë obligime ligjore që ta gjurmojnë këtë veprimtari, ta dokumentojnë dhe ta dërgojnë në gjyq”. Kajtazi bën të ditur se para disa viteve Policia e Kosovës ka kapur në flagrancë dy agjentë të BIA-së serbe, të cilët në Kosovë po rekrutonin dëshmitarë të rrejshëm. “Operacioni ishte shumë profesional pasi Policia kishte arritur ta dokumentojë këtë aktivitet filmikisht dhe me zë. E keqja e kësaj pune ishte se ata u liruan pa dënimin e merituar nga organet gjyqësore”, thotë Kajtazi.

Një ligj për lustrim ashtu siç e kanë një pjesë e shteteve postkomuniste, Kajtazi thotë se tek ne vështirë se do të aplikohej për shkak të mungesës së dosjeve. “Nëse mund të sigurohen dosjet një pjesë e madhe e atyre që kanë qenë në shërbim të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror do të identifikohen. Por problem mbetet Shërbimi Informativ i Ushtrisë dhe bashkëpunëtorët që kanë bashkëpunuar me Shërbimin e Republikës së Serbisë. Këto dy kategori të dosjeve Serbia nuk i dorëzon dhe ka instrumente të mjaftueshme juridike që t’i rezistojë çfarëdo presioni ndërkombëtar”, thotë Kajtazi për “Zërin”.

Shërbimi Serb, prezent në Kosovë

Mosinteresimi i institucioneve pas luftës për të pasur Kosova një ligj të tillë, sipas Kajtazit, nënkupton se në institucione ka njerëz të tillë që i kanë shërbyer dhe i shërbejnë sidomos sigurimit të shtetit të Serbisë. “Synimet e Shërbimit Informativ janë që të instalohet atje ku merren vendimet shtetërore, në Qeveri, Parlament...etj, sa më lart që është e mundur. Dhe ky është rregull për të gjitha shërbimet. Por edhe në shtetet e konsoliduara e parandalimi i kësaj veprimtarie është i vështirë, kurse në shtetet në konsolidim parandalohet me vështirësi sidomos nëse sulmi të vjen nga një shërbim me traditë dhe me pozita agjenturore të konsoliduara”, shprehet ai.

Kajtazi thekson se rrethanat në të cilat ndodhet Kosova krijojnë avantazhe që Shërbimi Serb të jetë prezent edhe në këto nivele.

“Por nuk do të thotë se ndonjë shërbim aleat i Kosovës nuk ka pozita agjenturore në nivele të larta qeveritare në Beograd. Kështu bëhen rikoperime dhe dëmet minimizohen. Besoj që shkaku kryesor i mosaprovimit të një Ligji për Lustracion ka qenë mungesa e dosjeve”. Mirëpo edhe kthimi i dosjeve, Kajtazi thotë se nuk do të zbulonte spiunët. “Krejt çka mund të marrim janë dosjet operative apo të subjektit, që nënkupton se merren dosjet e personave të ndjekur (përpunuar) kurse në to njerëzit do të mësojnë vetëm për veten e tyre për detaje që ndoshta i kanë harruar, kurse ata që kanë spiunuar janë të mbrojtur me pseudonim dhe vështirë se do të identifikohen”, thotë Kajtazi duke bërë të ditur se sipas Ligjit aktual serb për Qasje në këto Dosje, informatorët mbrohen. Sipas tij, edhe nëse ndonjë informatë e dhënë nga ata në ndonjë dosje i dekonspiron shlyhet ajo pjesë. Por, Kajtazi thotë se personat profesionistë i identifikojnë ndërhyrjet.

Dyshime se brenda institucioneve ka spiunë

Avni Islami, profesor universitar, thotë se miratimi i Ligjit të Lustracionit është interes nacional që sa më parë të fillojë sepse do të demaskoheshin shumë spiunë, bashkëpunëtorë e informatorë të agjencive të huaja e sidomos të UDB-së e të KOS it, që ai vlerëson se janë shumë të dëmshme dhe punojnë ditë e natë kundër interesave nacionale. “Ka mundësi që ata të janë kudo, madje mund të janë edhe në strukturat e larta të shtetit, por përderisa nuk zbulohen të gjitha mbeten vetëm supozime...duke i parë zhvillimet në vend dhe për shkak të informatave të shumta që ka Serbia apo edhe vendet e treta dyshoj se brenda institucioneve të larta mund të ketë edhe informatorë, të cilët mund të nxjerrin sekrete shtetërore”, tha Islami. Prandaj, sipas këtij të fundit, mund të rrezikohet edhe siguria nacionale.

“Do të duhej sa më parë të fillojë iniciativa për Lustracionin për të hequr dilemat, por edhe eventualisht të demaskohen spiunët”, thotë ai për “Zërin”.

 

Image