Minatorët: Është koha e fundit për 'Trepçën'

Aktuale October 08, 2016 - 08:26

Minatorët e “Trepçës” i janë gëzuar tej mase miratimit të Ligjit për “Trepçën” nga Kuvendi i Kosovës dhe besojnë se ai do të kalojë edhe në lexim të dytë kur edhe pritet të votohet në Kuvend. Ata thonë se ka qenë koha e fundit që institucionet e shtetit të bëjnë diçka për “Trepçën”, në mënyrë që ajo të mos humbet krejtësisht dhe të shkojë në procedurë të likuidimit.

Por, në tjetrën anë minatorët u druajnë protestave të punëtorëve të “Trepçës” në veri, si dhe kërcënimeve të deputetëve dhe të ministrave serbë në Kuvend dhe në Qeverinë e Kosovës “se do të luftojnë për ta ndaluar zbatimin e ligjit”.

Minatorët e “Trepçës” edhe të premten kanë punuar me dinamikën e njëjtë për të nxjerrë sa më shumë xehe, por e gjithë vëmendja e tyre është përqendruar tek Kuvendi i Kosovës, i cili mban seancën e radhës e në të cilin do të debatohet për Ligjin për “Trepçën”. Pos debatit që do të zhvillohet e që pritet të jetë i nxehtë për shkak të kundërshtimeve të deputetëve dhe ministrave serbë në institucionet e Kosovës minatorët presin që Ligji për “Trepçën” të miratohet dhe përfundimisht t’i vihet pikë çështjes së “Trepçës”, gjegjësisht që “Trepça” përfundimisht t’u kthehet qytetarëve të Kosovës. 

“Ka qenë koha e fundit që institucionet e Republikës së Kosovës të bëjnë diçka për ‘Trepçën’. Ka qenë koha e fundit sepse pa këtë ligj ‘Trepça’ do të shkonte në likuidim, gjë të cilën e kanë dëshiruar serbët e veriut. Ata kanë besuar se institucionet do të vonohen me ligjin dhe me studimin e fizibilitetit, por edhe janë befasuar kur Qeveria e Kosovës ka miratuar ligjin. Gjithsesi, ky ligj është diçka më e mira që është bërë për ‘Trepçën’, për minatorët dhe për gjithë Kosovën”, ka thënë Nezir Behrami, ish-kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Trepçës”.

 Reagimi i serbëve tregon se ligji është i mirë

Se ligji është shumë i mirë Behrami e mat me reagimin e serbëve në veri të Kosovës. “Duhet ta dimë se sa herë që serbët reagojnë dhe bëjnë protesta, atëherë është diçka e mirë për neve. Serbët e veriut s’e kanë nxjerrë asnjë fjalë prej goje deri më tani, ndonëse është folur për ligjin. Ata kanë qenë pjesë edhe e Komisionit për Hartimin e Ligjit, por nuk kanë dashur të marrin pjesë, duke besuar se ai nuk do të hartohet. Tani kur është kryer puna, ata u janë kthyer protestave”, mendon Behrami.

Ndërkaq Rrahman Beqiri, minator, thotë se nëse institucionet e Kosovës nuk u frikohen serbëve, atëherë ligji do të zbatohet.
“Nëse këta tanët nuk u frikohen serbëve, atëherë është mirë. Ligji na mundëson zhvillim të hovshëm, investime, stabilizim të gjendjes, zbatim të rregullave në punësim, plasim të koncentratit dhe përfitim nga xehja”, thotë ai.

Beqiri ka shtuar se duhet të pritet që ligji të miratohet në Kuvendin e Kosovës dhe pos kësaj duhet të diskutohet edhe për mangësitë që ndoshta i ka ky ligj. “Pas debatit dhe diskutimeve, që do të zhvillohen në Kuvendin e Kosovës për ligjin të premten, do të dihet saktësisht se sa ai rregullon gjendjen në ‘Trepçë’ sepse ka munguar disiplina në punë, shumë punë janë bërë vetëm sa për të mundur të sigurohen pagat, kështu që tani me këtë ligj gjithçka vihet në rend”, ka shtuar Beqiri.

 “Trepça” tani do ta shtojë prodhimin

Drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, shprehet tejet i kënaqur me miratimin e ligjit dhe procedimin e tij në Kuvendin e Kosovës. “Unë gjithmonë kam qenë i bindur se institucionet e Republikës së Kosovës do ta hartojnë ligjin dhe do ta miratojnë sepse askush nuk mund ta merrte guximin që ‘Trepçën’ ta çojë në likuidim. Minatorët, menaxhmenti dhe të gjitha strukturat tjera në ‘Trepçë’ tani frymojnë më lirshëm, sepse ligji mundëson zhvillim të menjëhershëm, investime dhe mbron vetë minatorët dhe ‘Trepçën’”, ka thënë Tmava, i cili ka folur me mirënjohje për minatorët, të cilët edhe pse në vështirësi dhe në kushte të pavolitshme për punë kanë punuar me përkushtimin më të madh për të nxjerrë sa më shumë xehe nga horizontet e thella të minierës.

Ndërkaq Halil Çela, i cili merret me hulumtimet e resurseve minerare në “Trepçë”, beson se “Trepça” tani do ta shtojë prodhimin sepse me Ligjin për “Trepçën”, siç thotë ai, do të bëhen investime, si dhe do të krijohen kushte shumë më të mira për punë. “Me këtë ligj faktikisht gjiganti ekonomik fiton statusin zhvillimor dhe do të ketë zhvillime të menjëhershme pozitive, të cilat do të ndikojnë në rritjen e prodhimit”, ka thënë mes tjerash Çela.