Gashi e Osmani ofrojnë zgjidhje për demarkacionin

Aktuale October 06, 2016 - 08:11

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, dhe bashkëpartiakja e tij, Vjosa Osmani, kanë ofruar një zgjidhje për çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Sipas tyre, subjektet politike në Kosovë mund të arrijnë një marrëveshje në të cilën e shprehin vullnetin e tyre për ta zgjidhur çështjen e demarkacionit brenda disa muajsh dhe që kjo marrëveshje të shndërrohet në rezolutë të Kuvendit në mënyrë që institucionet e Bashkimit Evropian të mundë të votojnë pro liberalizimit të vizave me kusht që vizat të hiqen pasi të ratifikohet Demarkacioni. Ky propozim është dhënë të mërkurën në një takim njoftues të shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, me Komisionin për Integrime Evropiane.

Apostolova ka ripërsëritur qëndrimin e Bashkimit Evropian se Kosova duhet t’i përmbushë edhe dy kritere para se të marrë liberalizimin e vizave.
“Sa i përket liberalizimit të vizave duhet t’i plotësoni edhe dy kushtet që kanë mbetur. Dëshiroj ta theksoj se sa është i rëndësishëm që të bëhet miratimi i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, në mënyrë që qytetarët të lëvizin lirshëm. Ndërsa kushti tjetër është lufta kundër korrupsionit”, është shprehur Apostolova.

Kurse kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Njomza Emini, ka thënë se spektri politik në Kosovë është unik sa i përket agjendës evropiane dhe se shpreson se kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se subjekte të caktuara politike dhe individë të caktuar kanë dilema për këtë marrëveshje, prandaj ai ka thënë se duhet të hiqen këto dilema.

Në anën tjetër anëtari tjetër i këtij Komisioni, Arben Gashi, ka thënë se sa i përket liberalizimit të vizave, përveç problemit të brendshëm të Kosovës në lidhje me demarkacionin me Malin e Zi ekziston edhe problemi i brendshëm i Bashkimit Evropian, pasi, sipas tij, disa vende të BE-së të cilat janë në proces zgjedhore nuk kanë interes që të zgjerohet zona Shengen. Ai gjithashtu ka thënë se zyrtarë të BE-së nuk garantojnë se do të ketë liberalizim nëse bëhet ratifikimi i Demarkacionit.

Gashi ka thënë se problemi i demarkacionit mund të zgjidhet përmes një rezolute në Kuvend.

Edhe anëtarja tjetër e Komisionit për Integrime Evropiane, Vjosa Osmani, sikur bashkëpartiaku i saj Gashi ka thënë se mund të arrihet një marrëveshje në mes të partive politike, e cila do të kthehej në rezolutë të Kuvendit e me të cilën konfirmohet angazhimi i Kosovës për ta përfunduar demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që, sipas Osmanit, kjo rezoluta t’i hapë rrugë vendimit për liberalizimin e vizave.

“Atëherë do t’ia caktonim vetvetes një afat, për shembull, që brenda gjashtë muajsh të ratifikohet marrëveshja. Ky dokument pastaj do t’i shërbente Komisionit Evropian dhe Këshillit që të bënte një votë kushtëzuese, pra të votonte pro heqjes së vizave, me kushtin që ajo të hynte në fuqi, pra që lëvizja e lirë të fillonte vetëm pas ratifikimit të Demarkacionit”, është shprehur deputetja Osmani.

Në anën tjetër deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se askush në Republikën e Kosovës nuk është kundër demarkacionit si proces, por që në fakt opozita dhe disa deputetë të koalicionit qeverisës janë kundër versionit aktual të Demarkacionit.

“Ne kemi ofruar pesë pika se si të dilet nga kjo situatë që nënkupton edhe formimin e një komisioni të përbashkët, me ç’rast do të rishqyrtohej marrëveshja, do të korrigjoheshin gabimet dhe do të pajtoheshim për metodologjinë që do të përdorej në të ardhmen. Qeveria po i injoron faktet dhe argumentet e deputetëve”, ka theksuar deputetja Kadaj-Bujupi.

Edhe deputetët e AAK-së dhe të “Nismës” kanë thënë se këto parti nuk e kundërshtojnë demarkacionin me Malin e Zi, por vetëm marrëveshjen aktuale.