Kosova “qortohet” nga Bundestagu
Gjermanët kanë këshilluar Kosovën që të lëvizet me shpejtësi në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, sepse në këtë drejtim tashmë shumë kohë është humbur
Kosovës edhe një herë i është kërkuar që të plotësohen dy kriteret e fundit për liberalizimin e vizave. Kësaj radhe nga Bundestagu gjerman. Madje ata kanë këshilluar që të lëvizet me shpejtësi në këtë drejtim, pasi që tashmë mjaft kohë është humbur. “Sa i përket demarkacionit, ata na thanë që nuk mund të ndërhyjnë në caktimin e linjës kufitare në mes dy shteteve sovrane, por një marrëveshje është mirë që të arrihet sa më shpejt pasi që koha është duke ikur sa i përket liberalizimit të vizave”, ka thënë kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Njomza Emini, pas takimeve të zhvilluara nga Bundestagu dhe Bundesrat.
Ndërkohë, deputetët e opozitës që ishin pjesë e këtij delegacioni kanë thënë se Bundestagu asnjëherë nuk është informuar në mënyrë reale nga Qeveria e Kosovës sa i përket situatës së fundit. Në anën tjetër derisa njohësit e integrimeve evropiane kanë thënë se nuk presin gjë nga këto takime analistët politikë parashikojnë tensionim edhe më të madh të situatës. Madje, edhe trazira dhe shtyrje të proceseve integruese.
Emini: Gjermania premtoi përkrahje ndaj Kosovës
Njomza Emini, kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane, ka thënë se nga autoritetet gjermane kanë kërkuar përkrahje në procesin e liberalizimit të vizave. “Atyre u kërkuam të na përkrahin, të na ndihmojnë në fushën e liberalizimit të vizave, të na përkrahin në zhvillimin ekonomik dhe në hapjen e vendeve të reja të punës”, ka deklaruar ajo. Emini ka thënë se gjatë kësaj vizite Gjermania i ka premtuar përkrahje të vazhdueshme shtetit të Kosovës. “Edhe kësaj radhe ata na premtuan përkrahjen e tyre në të gjitha temat që i kemi ngritur”, është shprehur deputetja e Kuvendit. Më tutje, Emini ka thënë se ata kanë kërkuar që vetë politikanët në Kosovë t’i zbatojnë përgjegjësitë e tyre, duke e gjetur një kompromis rreth demarkacionit dhe luftimit të krimit e të korrupsionit. Sipas saj, në këto takime është kërkuar që deputetët ta monitorojnë Qeverinë e Kosovës. “U kërkua nga ne që ta monitorojmë punën e Qeverisë edhe më shumë në zbatimin e MSA-së dhe në këtë mënyrë të kontribuojmë në zbatimin më kualitativ të MSA-së”, ka shtuar gjatë bisedës udhëheqësja e Komisionit në fjalë.
Ndërkaq deputetja e “Nismës për Kosovën”, Valdete Dhushica-Bajrami, e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm takimin në fjalë. “Vizita ishte në nivel shumë të lartë, ku u diskutua për çështjen e liberalizimit të vizave, por edhe për demarkacionin, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, është shprehur ajo. Sipas saj, vizitat e tilla mund të kenë ndikim, pasi që aty ishin të gjithë përfaqësuesit e partive politike, të cilët njoftuan zyrtarët gjermanë mbi situatën në Kosovë. “Mund t’ju them se atyre u kanë munguar informatat të cilat Qeveria për asnjë moment nuk i ka ngritur, por edhe shqetësimin tonë se pse po ndëshkohet populli për gabimet e Qeverisë”, ka thënë ajo, duke shtuar se kanë kërkuar që sa më parë të mundësohet liria e lëvizjes.
Ashtu si Dushica-Bajrami ka deklaruar, autoritetet gjermane kanë pohuar se nuk është vetëm demarkacioni kriter për liberalizimin e vizave, por me theks të veçantë luftimi i krimit të organizuar dhe ai i korrupsionit.
Nga ana tjetër deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për çështjet e përgjithshme të Kosovës, duke përfshirë këtu integrimin, liberalizimin dhe demarkacionin. Ajo ka thënë se janë munduar që të tregojnë se Kosova e meriton liberalizimin e vizave, pavarësisht punës jo të kënaqshme të Qeverisë. “Jemi munduar të japim mesazh që pavarësisht situatës së vështirë nga kjo Qeveri Kosova dhe qytetarët meritojnë të kenë liberalizim të vizave. Kosova duhet të ketë liberalizim të vizave, të mos ketë shtyrje të këtij procesi”, ka shtuar Kadriaj. Megjithëkëtë, sipas saj, ekipi në fjalë nuk ka qenë në një agjendë “superiore” të BE-së. “Ne në fakt nuk ishim në agjenda superiore të Bashkimit Evropian për shkak të situatës së përgjithshme që është në Evropë”, ka theksuar ajo. Kadriaj më tutje ka thënë se zyrtarët ndërkombëtarë kanë thënë se demarkacioni është çështje e brendshme e Kosovës, për të cilën duhet gjetur një zgjidhje.
Mazreku: Procesi i liberalizimit, për profite politike
Njohësi i integrimeve evropiane, Avni Mazreku, ka vlerësuar se tërë procesi rreth liberalizimit është përdorur për interesa personale politike.
“I gjithë procesi, edhe procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE, edhe procesi i liberalizimit të vizave është përdorur për çështje të profitit të ngushtë politik, por asnjëherë ne nuk kemi pasur qasje të drejtë dhe efektive në këtë drejtim”, është shprehur ai. Sipas tij, përderisa Kosovës i mungojnë 5 njohje nga vendet anëtare të BE-së, mbetet vetëm një ambicie imagjinare e Kosovës të pretendojë se ka raporte normale me Bashkimin Evropian. Ndërkaq, ka vlerësuar se takimet e tilla më shumë u kanë sjellë përfitime personale politikanëve sesa që kanë i sjellë të mira Kosovës.
“Takimet, përkatësisht vizitat e zyrtarëve të Kosovës në qendra të ndryshme evropiane, më tepër i kanë shërbyer profitit të tyre të ngushtë politik dhe financiar për të bërë fotografi në Bruksel sesa që kanë sjellë ndonjë efekt pozitiv për procesin e anëtarësimi të Kosovës në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Mazreku.
Ajeti: Koalicioni po kundërshtohet ashpër nga radhët e veta
Pavarësisht këtyre Dren Ajeti, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka vlerësuar se edhe nëse ratifikohet Marrëveshja e Demarkacionit, liberalizimi i vizave nuk mund të vijë menjëherë. “Bashkimi Evropian ia ka paraqitur Kosovës dy kushte: ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Edhe nëse me kalimin e Marrëveshjes së Demarkacionit Kosova do ta merrte dritën e gjelbër për liberalizim të vizave, një liberalizim i tillë do të jetë i kushtëzuar me luftimin e korrupsionit dhe kthimin e azilkërkuesve shqiptarë në Evropë”, ka thënë Ajeti.
Kurse ka vlerësuar se miratimi i Demarkacionit më shumë varet nga partitë në pushtet sesa nga partitë opozitare. “Lidhur me Demarkacionin, koalicioni qeverisës po has në kundërshtim të ashpër nga radhët e veta. Shumica e deputetëve kundërshtues votat e tyre i kanë pikërisht nga rajoni i Dukagjinit, ku kjo formë e demarkacionit po kundërshtohet ashpër”, ka theksuar ai. Sipas Ajetit, edhe në të kaluarën është dëshmuar se kur pozita kosovare i ka votat e mjaftueshme, opozita mund ta vonojë pak miratimin në Kuvend, por jo më shumë.
Ndryshe nga kjo analisti politik, Haki Abazi, ka vlerësuar se Demarkacioni nuk mund të kalohet pa trazira. “Në anën tjetër nuk ka kalim të Marrëveshjes së Demarkacionit pa përplasje politike dhe sigurisht edhe të tjera që mund të shkaktojnë trazira”, ka thënë ai. Ashtu si ai ka vlerësuar, Demarkacioni nuk paraqet kushtin e vetëm për heqjen e vizave. Mirëpo këto vonesa, sipas tij, kanë krijuar një situatë “embargoje” për Kosovën. “Vonesat e shkaktuara në rastin e Gjykatës Speciale dhe mospërmbushja e obligimeve të marra kanë krijuar situatë embargoje ndaj Kosovës nga ana e EU-së”, ka thënë ai.