Paguan deri në 5 mijë euro për status të veteranit
Listat e veteranëve, të invalidëve dhe të dëshmorëve të luftës së UÇK-së në Drenicë u “frynë” për më shumë se 4 mijë “luftëtarë”. Shumë prej tyre thonë se e blenë me para statusin e veteranit deri në 5 mijë euro, prandaj veteranët e vërtetë janë “rebeluar” duke kërkuar që ata të tërhiqen dhe t’ua lëshojnë vendin përfituesve. Para fillimit të verifikimit Skenderaj i kishte 208 dëshmorë (tani 220), 222 invalidë (tani 700) dhe rreth 3 mijë veteranë (tani gati 7000)
Vendi ku shpërtheu lufta e UÇK-së e ku populli krenohej dhe mburrej me luftën e atyre që derdhën gjak, me ata që lanë pjesë të trupit në zonat e luftës, si dhe me ata që me pushkë luftuan okupatorin deri në shporrjen e tij nga Kosova, tani është bërë vend i shumë pakënaqësive, kundërshtimeve dhe akuzave në adresë të atyre që kontribuuan për fryrjen enorme të listave të veteranëve, të dëshmorëve dhe të invalidëve.
Çka është edhe më me rëndësi, pakënaqësitë e tyre i manifestojnë pikërisht ata ish-luftëtarë, të cilët ishin pjesë e luftës së UÇK-së që prej themelimit e të cilët nuk duan të jenë në një kategori me ata që luftën e UÇK-së e kanë përcjellë nga televizori, me ata të cilët gjatë luftës “bënin sefa” në shtetet e Perëndimit dhe “vajtonin” nga atje për krimet që bënte ushtria, policia dhe paramilitarët serbë në Kosovë dhe me ata që luftën e kanë kaluar tek miqtë e dashamirët pa u prekur fare nga dhuna serbe.
Paguan statusin e veteranit të UÇK-së
Mllefi i tyre, por edhe i qytetarëve, është shumë i madh pasi që tani pas verifikimit të listave të veteranëve, dëshmorëve dhe invalidëve, këta të fundit kanë dalë të jenë në një thes me ata që ranë heroikisht në luftën ballë për ballë me armikun, me ata që lanë gjymtyrët e trupit në zona të luftës dhe me ata që iu përgjigjen kushtrimit të ikonës së luftës së UÇK-së, Adem Jashari, dhe me ata të cilët që nga fillimi sakrifikuan gjithçka që kishin dhe me pushkë i dolën përballë armikut.
Ata flasin me mllef edhe për faktin se shpërndarja e certifikatave për statusin e veteranit dhe të invalidit po vazhdon edhe tani.
Sipas tyre, shumë prej përfituesve të statusit të veteranit apo të invalidit të luftës janë të njohshëm të atyre që kanë pasur në dorë verifikimin, por shumë prej tyre edhe paguan para të majme për statusin e veteranit.
Pohohet se fillimisht “të interesuarit” për t’u bërë veteranë kanë paguar nga 2 mijë euro, por më vonë shuma që kanë paguar ka shkuar edhe deri në 4000 e 5000 euro.
Në Skenderaj thonë se puna ka qenë aq e sigurt, saqë ai që ka paguar paratë në mëngjes, pasdite është pajisur me certifikatë.
“Ma mirë mu bo veteran se me ble veturë”
E një qytetar, i cili konsideronte se i ishte bërë e padrejtë dhe për këtë kishte shkuar për t’u ankuar në njërën prej tri shoqatave të luftës, i kishin thënë se “më mirë do të ishte për të që të paguaj për statusin e veteranit sesa të blejë kerr (veturë)”.
“Kush të ka faj që ke ble kerr, ma mirë u kanë me i dhanë për veteran”, i kishin thënë atij.
Por statusin e veteranit, por edhe të invalidit, e kanë fituar edhe ata të cilët UÇK-ja i vlerësonte bashkëpunëtorë të Serbisë, por edhe ata të cilët gjatë luftës kanë dezertuar.
Ragip Jashari, ish-luftëtar nga Prekazi, i cili në mëngjesin e 5 marsit të vitit 1998, kur Ushtria dhe Policia e Serbisë sulmuan kullën e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, dhe lagjen “Jasharaj”, ishte përkrah tij, thotë se nuk dëshiron që të jetë në një thes me ata që nuk luftuan kurrë dhe të cilët gjatë luftës nuk ishin fare në Kosovë.
Ai duke parë emrat e atyre që kushedi se në çfarë mënyre kanë marrë statusin e veteranit dhe të invalidit ka thënë hapur se do ta dorëzojë certifikatën me të cilën dëshmohet statusi i veteranit të luftës.
“Është fyese të jem me një thes, me ata që s’luftuan kurrë”
“Nuk dua të jem me ata që kurrë nuk kanë luftuar e të cilët kanë përfituar nga situata që është krijuar me fillimin e verifikimit të statusit të veteranit. Është fyese që unë të jem në një listë me atë që s’e kanë parë luftën fare, madje edhe me të tillë të cilët e kanë kundërshtuar hapur luftën e UÇK-së”, ka thënë Jashari, i cili ka treguar se në mëngjesin e hershëm të 5 marsit ai ishte brenda në kullën e Adem Jasharit dhe bashkë me të rezistoi deri në fund.
“Unë, Bilalli (Jashari), Shefiku edhe Bashkimi (Jashari) kemi arritur që të dalim, atëherë kur të gjithë anëtarët e familjes së komandantit u vranë, kur edhe ai, Hamza e Murati ranë heroikisht. Komandanti u la vetëm, nuk kishte rezistencë nga jashtë rrethi”, thotë mes tjerash Ragip Jashari, ish-luftëtar i orëve të para të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai nuk dëshiron të thotë se në çfarë mënyrash fituan statusin e veteranit dhe të invalidit shumë njerëz që s’e dinë çfarë ishte lufta, por siguron se nëse këto lista mbesin në fuqi, ai do të heqë dorë nga statusi i veteranit.
Mesazh Çekut: Hiqi veteranët e vërtetë dhe futi përfituesit
E ndërkaq një invalid i luftës ka një propozim shumë interesant për Komisionin dhe për vetë Agim Çekun.
“Unë kam një propozim për Komisionin që ka verifikuar listat e veteranëve, të invalidëve dhe të dëshmorëve dhe për vetë Agim Çekun, që neve që kemi qenë në lista deri me fillimin e verifikimit të na largojnë krejt dhe në lista t’i lënë ata që kanë përfituar më vonë. Kështu edhe do të zvogëlohej numri i veteranëve dhe invalidëve dhe në këtë mënyrë Qeveria do ta ketë shumë më lehtë që t’i paguajë pensionet e tyre. Është marre çka kanë bërë me listat e invalidëve dhe të veteranëve”, thotë me ironi Bajram Haradinaj, invalid i luftës së UÇK-së, i cili shton se për të qenë realë verifikimi gjithsesi duhet të kthehet në fillim.
E me kthimin në pikën zero më së shumti do të dëmtohen ata që kanë dhënë e kanë marrë para, ata që në lista i futën gratë e tyre, vëllezërit e motrat, miqtë e dashamirët.
Në Skenderaj pas luftës ishin 2900, tani janë 6900 veteranë
Sikurse Haradinaj thotë edhe një tjetër invalid i luftës së UÇK-së Mehmet Zabeli. Sipas tij, fryrja enorme e listave të veteranëve dhe invalidëve fyen luftën e UÇK-së.
“Duhet të fillohet prej Agim Çekut, se ai e di shumë mirë sa ushtarë ka pasur UÇK-ja, ai i ka pasur emrat e luftëtarëve të të gjitha zonave. Edhe organizatat e huaja kanë regjistruar luftëtarët e vërtetë që kanë qenë në të gjitha zonat. Ky numër kaq i madh i veteranëve dhe i invalidëve zor që mund të zvogëlohet, pasi që njerëzit i kanë marrë certifikatat dhe tani mburren që kanë luftuar për Kosovën. Çeku duhet të reflektojë, përndryshe kjo situatë mund të bëhet edhe më e rëndë dhe mund të shpërthejë sepse revolta është e madhe në popull”, ka thënë mes tjerash Zabeli.
Ndryshe, deri me fillimin e verifikimit të listave të veteranëve, invalidëve dhe të dëshmorëve, në evidencat e shoqatave të dala nga lufta (Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, Shoqata e Invalidëve të Luftës dhe Organizata e Veteranëve të Luftës), Skenderaj kishte 208 dëshmorë, 222 invalidë dhe 2900 veteranë.
Ndërkaq, tani pas verifikimit të listave Skenderajt ka 12 dëshmorë më shumë (220), 480 invalidë më shumë (700) dhe 4000 veteranë më shumë (6900).