Vizat e “përjetshme”

Aktuale September 30, 2016 - 07:28

As këtë vit kosovarët nuk do të mundë të lëvizin pa viza në BE. Kjo e fundit kërkon që të miratohet demarkacioni me Malin e Zi dhe të luftohet korrupsioni, përderisa liderët vendorë heqjen e tyre e premtojnë që nga viti 2010

Data e liberalizimit të vizave për Kosovën mbetet mister, ndërsa kosovarët vazhdojnë të mbeten qytetarët e vetëm të izoluar në Evropë. Përkundër faktit që para 6 vjetësh kishte filluar të diskutohej rreth këtij procesi, liberalizimi deri më sot ka mbetur vetëm premtim i qeveritarëve.

Premtimet për liberalizim kishin nisur qysh në vitin 2010 ku atë kohë ish-lideri i PDK-së Hashim Thaçi, kishte dhënë fjalën se kosovarët do të lëvizin pa viza në 15 muajt e parë pas formimit të Qeverisë. E premtimet vazhduan përgjatë viteve, sa që më 2013, ish-kryeministri Thaçi fajësoi Bashkimin Evropian për mosliberalizim të vizave.
“Ngecjet për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk janë teknike, janë kryekëput politike. Këto pengesa janë në Bruksel dhe ndërlidhen drejtpërdrejt me mosunitetin e vendeve të Bashkimit Evropian”, pati deklaruar ai.

Nga ana tjetër, Thaçi nuk qe i vetmi që mbajti gjallë shpresat për vizat.

Ndihmës të tij në këtë proces, qenë edhe zyrtarë të tjerë të lartë, përfshirë këtu edhe kryeministrin Isa Mustafa dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj. Kryeministri Mustafa para dy vitesh, ishte shprehur i sigurt se më 2015 do të përfundonte procesi i vizave.

“Unë jam shumë i bindur se në vitin e ardhshëm do ta kryejmë këtë punë”, pati thënë ai. Një gjë të tillë tash së fundi, e ripërsëriti sërish presidenti Thaçi, me ç’rast tha se liberalizimi është vetëm çështje orësh. Mirëpo, përkundër këtyre, përfaqësues të Ministrisë së Integrimit Evropian, vlerësojnë se data e liberalizimit nuk varet nga institucionet e Kosovës.

Përkundrazi, sipas tyre, për një gjë të tillë vendosin shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Kurse, njohësit e integrimeve evropiane thonë se as kancelarja Merkel nuk mund ta dijë saktë se kur do të merret një vendim për vizat, e aq më pak zyrtarët shtetërorë. Përderisa analistët politikë në vend, premtimet për heqje të vizave i kanë cilësuar si tallje me qytetarët, partitë opozitare kanë vlerësuar se liberalizimi nuk mund të vijë, gjersa Qeveria e tanishme të jetë në pushtet.

 Vendimi për vizat varet nga BE-ja

Zëvendësministri i Ministrisë së Integrimit Evropian, Ramadan Ilazi, duke mos dhënë ndonjë datë të mundshme, ka thënë për “Zërin” se vendimi për heqjen e vizave nuk varet kryekëput prej tyre, por prej institucioneve të BE-së.

“Procesi i vendimmarrjes sa i përket liberalizimit të vizave por edhe data se kur qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza vendoset nga institucionet e Bashkimit Evropian, në përputhje me procedurat e tyre të brendshme”, ka deklaruar ai. Megjithëkëtë, sipas tij, me dhënien e rekomandimit për liberalizim, Kosovës tanimë i është hapur rruga.

“Me dhënien e rekomandimit për liberalizimin e vizave në maj të këtij viti, rruga është hapur për Kosovën dhe ne kemi qenë optimistë që sivjet do ta kemi liberalizimin e vizave, mirëpo situata që është krijuar në Kosovë karshi ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, ka pezulluar edhe procesin që të lëvizë tutje”, ka vazhduar ai.
Ashtu si Ilazi ka thënë, mundësia për një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave sivjet mbetet ende reale, nëse lidershipi politik reagon me kohë dhe ka një zgjidhje të qëndrueshme. Zëvendësministri tutje ka thënë se Ministria e Integrimit është vazhdimisht në kontakt me Komisionin Evropian. “Kemi dërguar informacion të plotësuar për arritjet më të fundit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, por nuk kemi qenë në gjendje të raportojmë për progres në përmbushjen e kushtit të ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit”, ka deklaruar Ilazi.

Mazreku: Nuk mund të dihet data, as muaji i liberalizimit

Njohësi i Integrimeve Evropiane, Avni Mazreku, ka thënë se as edhe një person i vetëm nuk mund ta dijë se kur mund të udhëtohet pa viza. “Asnjë zyrtar i Bashkimit Evropian, e as kancelarja Merkel, që është figura më e fuqishme politike, nuk mund ta dijë me orë, me muaj, as me javë, se kur merret ky vendim”, ka thënë ai në një prononcim për “Zërin”. Përkundrazi, sipas tij, përgjigjja finale varet kryekëput nga vendet anëtare të BE-së. “Ky vendim varet nga 28 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe këto 28 shtete të Bashkimit Evropian i kanë qëndrimet e tyre që i manifestojnë në KBE”, ka deklaruar Mazreku. Ai gjatë bisedës ka thënë se njëri prej problemeve kyçe lidhur me liberalizimin, ka të bëjë me mosnjohjen e Kosovës nga 5 shtetet anëtare të BE-së. Ndërkaq, sa i takon votimit, ai ka thënë se edhe nëse kalon përqindjen nga ana e Parlamentit Evropian, duhet që shumica e shteteve anëtare të votojnë në favor të Kosovës.

Sipas Mazrekut, e tërë kjo nuk do të thotë se do të ketë përgjigje negative ndaj Kosovës, porse një e tillë gjëje ende nuk mund të dihet.

“Kjo nuk do të thotë që nuk është e mundur, por vendimi është i paparashikueshëm sepse ne nuk i dimë qëndrimet e shteteve”, ka theksuar ai.

Kurse, sa i përket premtimeve të zyrtarëve të lartë shtetërorë se liberalizimi do të ndodhë në fund të 2016-s ose në fillim të 2017-s, Mazreku ka thënë se assesi nuk mund të dihet një gjë e tillë. “Jo, absolutisht nuk dihet”, ka përfunduar ai.

Nga ana tjetër, Afrim Hoti, profesor i së drejtës ndërkombëtare, ka thënë se liberalizimi i vizave nuk varet nga institucionet e Kosovës. Sipas tij, premtimet e tilla kanë të bëjnë vetëm me fushata. “Procesi dhe premtimet mund të shpjegohen vetëm në dritën e premtimeve dhe fushatave elektorale sepse çështja e vizave nuk është çështje e vendosjes nga institucionet apo partitë tona”, ka thënë ai.

Ashtu si Hoti ka deklaruar, qytetarët e Kosovës do ta kenë regjimin e lirë të vizave, në momentin kur institucionet tona t’i kenë kryer obligimet ndaj BE-së.

Analistët: Pushtetarët tallën dhe mashtruan qytetarët

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Artan Murati, ka vlerësuar se premtimet e qeveritarëve për heqje të vizave mund të cilësohen si lloj talljeje me qytetarët e Kosovës.

“Lirisht mund të konkludohet që politikanët kosovarë janë tallur me qytetarët kur premtonin liberalizim vizash pas 15 muajsh në atë kohë. Siç dihet, Kosova ka pranuar udhërrëfyesin për liberalizim të vizave më 2010, dhe asnjë shtet nuk ka arritur t’i përmbushë obligimet që dalin nga ai aq shpejt”, ka thënë ai.

Ndërkaq, përkundër të tjerëve, Murati ka vlerësuar se brenda vitit 2017 mund të arrihet liberalizimi i vizave. “Besoj që deri në fund të vitit 2017 Kosova do të marrë liberalizimin e vizave, por deri atëherë duhet të ndryshohet komplet qasja e skenës politike kosovare, duhet të punohet njëmend në këtë drejtim dhe të përmbushen kushtet e mbetura për liberalizim”, ka deklaruar ai, duke thënë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë këtë vit.

Sipas tij, qytetarët vazhdimisht janë duke u mbajtur peng nga çështja e liberalizimit. Megjithëkëtë, ai ka vlerësuar se Kosova ka shënuar progres në këtë drejtim.

Përkundër tij, njohësi i rrethanave politike në vend, Krenar Shala, ka thënë se janë disa arsye të cilat e bëjnë jo të mundur finalizimin e liberalizimit të vizave.

“Duke e pasur parasysh çështjen e emigrantëve dhe duke e pasur parasysh që në sytë e BE-së institucionet e Kosovës nuk po tregohen të afta që ta luftojnë korrupsionin, që mungon konsensusi politik, mendoj që janë këto arsye të cilat e bëjnë liberalizimin e vizave të pamundur”, është shprehur ai.

Shala në vazhdim ka thënë se BE-ja pret nga shoqëria kosovare që pushtetarët aktualë t’i dërgojë në pension, në mënyrë që të hapet rruga për liberalizim të vizave. E derisa kjo nuk ndodh, sipas tij, qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të jenë subjekt i mashtrimit nga ana e Qeverisë.

Opozita: Nuk ka liberalizim me këtë Qeveri

Për dallim prej të tjerëve, Zgjim Hyseni, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes “Vetëvendosje”, ka vlerësuar se vizat nuk mund të hiqen me qeverisjen e tanishme. “Me një Qeveri kriminale si kjo, e cila e ka shndërruar Kosovën në vendin më të korruptuar në rajon e Evropë, nuk mund të ketë liberalizim të vizave”, ka thënë ai. Sipas Hysenit, Marrëveshja e Demarkacionit nuk duhet të paraqesë kusht për liberalizimin e vizave.

“Demarkacioni nuk mund të jetë kusht e as pengesë për procesin e liberalizimit të vizave, e aq më pak kushti kryesor. Po të ishte apo të jetë kështu, është e padrejtë dhe absurde. Një gjë e tillë nuk iu kërkua Malit të Zi. Vendit tonë fqinj ia liberalizuan vizat pa e ratifikuar Marrëveshjen e Demarkacionit me ne”, ka deklaruar Hyseni.

Sipas tij, po të ishte Kosova shtet ku nuk do të lulëzonte krimi i organizuar e korrupsioni, liberalizimi i vizave do të ishte punë e kryer.

Ndërkaq, ka vlerësuar se Evropa nuk do të duhej t’iu hakmerrej qytetarëve, shkaku i disa politikanëve. “Evropa nuk do të duhej ta penalizonte gjithë popullin nga një e drejtë që iu takon, për shkak të një klike kriminale”, ka përfunduar ai.