Përfaqësues të “Eurochambers” takohen me kreun shtetëror të Kosovës

Aktuale September 28, 2016 - 22:47

Në drejtim të rritjes së bashkëpunimit rajonal, kryetarët e odave ekonomike të Maqedonisë, Serbisë dhe Odës Evropiane (EUROCHAMBERS), sot në Prishtinë kanë realizuar takime të ndara me kreun shtetëror të Republikës së Kosovës, me presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe me kryeministrin Ia Mustafa, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Siç njoftojnë nga Oda ekonomike e Maqedonisë, në takimin me presidentin Thaçi është biseduar për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal e cila padyshim mund të intensifikohet përmes ekonomive. Presidenti Thaçi e ka mbështetur iniciativën për rritje të bashkëpunimit rajonal përmes odave ekonomike, e cila do të duhej të mundësojë mirëqenie më të madhe në këto hapësira.

“Qëllimi ynë është të krijojmë një botë më të mirë me më tepër mundësi, ndërsa për këtë e shfrytëzojmë instrumentin që e njohim më së miri, e kjo është ekonomia” ka theksuar mes tjerash Arnaldo Abruzzini, kryetari i Eurochambers.

Kryetari i Odës ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski ka theksuar që qarkullimi i mallrave midis Kosovës dhe Maqedonisë zhvillohet pa probleme më të mëdha, por ka potencuar se për rritjen e këmbimit tregtar me rëndësi të madhe është modernizimi i hekurudhës dhe autostradave nga të dyja anët e kufirit.

Në takimet me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe me kryeministrin Isa Mustafa, në theks të bisedave ka qenë ekonomia rajonale dhe mënyrat për rritjen e saj.

Në fund të vizitës zyrtare të Prishtinës, delegacionet e odave ekonomike kanë marrë pjesë në hapjen solemne të Panairit ndërkombëtar për prodhime bujqësore dhe ushqimore, organizuar nga Oda ekonomike e Kosovës.