Kuvendi pret Qeverinë ta riprocedojë Demarkacionin

Aktuale September 27, 2016 - 08:12

Kuvendi i Kosovës as në seancën e së enjtes (29 shtator 2016) nuk do ta ketë në rend dite Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Legjislativi është duke pritur ekzekutivin që ta riprocedojë këtë Marrëveshje për të dytën herë, pasi më 1 shtator e tërhoqi nga rendi i ditës, kur Lista Serbe nuk mori pjesë në seancë dhe sipas kryeministrit Isa Mustafa, nuk ishin krijuar kushtet për votimin e tij. Mirëpo, ende nuk dihet se kur do ta riprocedojë këtë Projektligj Qeveria, ani pse, sipas tyre, kjo gjë nuk do të vonohet pajustifikueshëm.

Veseli: Demarkacioni duhet të kalojë

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pas mbledhjes së kryesisë të hënën (dje), në të cilën u caktua seanca e radhës, theksoi se demarkacioni do të kalojë, pasi është në interes të vendit. Kreu i legjislativit ka thënë se kryesia do ta procedojë për në seancë plenare këtë Projektligj, posa Qeveria e Kosovës të marrë vendim për riprocedimin e tij në Kuvendin e Kosovës.

“Ka një vit që jemi duke humbur kohë, në çështje të cilat do të duhej të përfundojnë. Janë interes strategjik i Republikës së Kosovës. Demarkacioni duhet të kalojë, sepse është interes strategjik i qytetarëve të Kosovës. Nuk duhet të dëmtohet perspektiva e të ardhmes euroatlantike të Kosovës. Çdo veprim i cili destabilizon apo cenon faktorët e paqes siç është partneriteti ynë me fqinjë, siç është republika e Malit të Zi, është cenim i sovranitetit dhe sigurisë së vendit tonë”, ka thënë Veseli.

Qeveria s’do ta vonojë riprocedimin e demarkacionit

Por, derisa Kuvendi po e pret Qeverinë që ta riprocedojë këtë Projektligj, ekzekutivi ende nuk ka një datë të caktuar se kur do ta bëjë një gjë të tillë. Megjithatë, Faton Abdullahu, këshilltar politik për media i kryeministrit Isa Mustafa, thotë për gazetën “Zëri” se kjo nuk do të vonohet pajustifikueshëm. “Kërkesa për kthim në pikën zero është zero kontribut për demarkacionin. Qeveria nuk do ta vonojë pajustifikueshëm për ta riproceduar këtë Projektligj. Qasja e Qeverisë vazhdon të jetë konstruktive sa i përket përpjekjes për ta çuar përpara procesin e demarkacionit me qëllimin e vetëm se ne konsiderojmë se kjo është në të mirë të shtetndërtimit si proces, integrimeve evropiane, liberalizimit të vizave, dhe jo vetëm kaq”, ka thënë Abdullahu për “Zërin”.

Kërkesat për të pasur një qasje tjetër ndaj propozimeve të ndryshme rreth demarkacionit, Abdullahu i quan të padobishme dhe jokonstruktive. “Nuk është as konstruktive as e dobishme që të kërkohet nga Qeveria të ketë në një mënyrë, qasje neutrale apo të kërkohet nga ajo në një tjetër mënyrë të jetë fleksibile ndaj propozimeve të ndryshme në kohën kur ne kemi sjellë fakte të parrëzueshme, argumente të shumta dhe qasje konstruktive e profesionale rreth demarkacionit”, shprehet ai, duke shtuar se ata duan të nënvizojnë se këto gjetje në aspektin kohor janë determinues i një pune disavjeçare, derisa, në aspektin e qasjes, janë profesionale dhe në përgjithësi konstruktive dhe të dobishme për interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj.

 Opozita e quan të vdekur Marrëveshjen

Mirëpo, opozita vazhdon të kundërshtojë riprocedimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin, duke e quajtur ”të vdekur” atë pas tërheqjes nga rendi i ditës në seancën e 1 shtatorit. Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, e ka vlerësuar të rëndësishëm mosfutjen në rend dite të demarkacionit. Madje, ka shprehur besimin e tij se tashmë Qeveria ka hequr dorë nga versioni aktual. “Ajo që është me rëndësi dhe për t’u çliruar Kosova nga një ankth, është se nuk është në rend dite demarkacioni. Dhe mendoj që ndoshta Qeveria ka hequr dorë nga ky version dhe mu për këtë nuk po e shihni në rend dite”, ka thënë Lekaj, pas mbledhjes së Kryesisë, derisa është shprehur kritik edhe për mospërmbushjen e kërkesave të qytetarëve, pavarësisht fillimit të funksionimit të Kuvendit në mënyrë normale.

“Sepse edhe pse tani ka filluar funksionimi i Kuvendit me pozitë dhe opozitë, nuk janë vënë në rend dite çështjet që janë jetike për qytetarët. Nëse e shihni rendin e ditës nuk ka ndonjë çështje që mund të përfitojnë qytetarët, por janë çështje me rëndësi të strukturave politike, koalicionit qeverisës që për interesa të ngushta kanë një nguti”, është shprehur ai.

Kryeministri në interpelancë

Megjithatë, në seancën e së enjtes, kryeministri Isa Mustafa do të përballet në dy interpelanca me deputetët. Me kërkesë të kryetari të “Vetëvendosjes”, Visar Ymeri, i mbështetur edhe nga 7 deputetë nënshkrues, kryeministri do të jetë në interpelancë në lidhje me kodin telefonik shtetëror të Republikës së Kosovës, derisa interpelanca tjetër do të jetë rreth situatës aktuale politike në pjesën veriore, sipas kërkesës së deputetit po ashtu të LVV-së, Ismajl Kurteshi, i mbështetur edhe nga 10 deputetë nënshkrues.

Për këtë, shefja e grupit parlamentar të “Nismës për Kosovën”, Valdete Bajrami-Dushica, e ka vlerësuar seancën e së enjtes pak më të tensionuar, në rast se kryeministri do të jetë në interpelancë për t’u ballafaquar me dështimet e Qeverisë. “Besojmë që kjo seancë do të jetë pak më e tensionime. Përderisa shpresoj që kryeministri të mos u ikë përgjegjësive dhe të dalë në interpelancë, pasi që e kemi parë që në seancën e fundit i tërë kabineti qeveritar ka munguar. Dhe kjo tregon një joseriozitet të tyre të përballen me deputetë”, ka thënë ajo.