Ish-këshilltari i Thaçit “shpërblehet” me 82 mijë euro

Aktuale September 27, 2016 - 08:04

Fiks 82 mijë euro para të Ministrisë së Kulturës, kanë përfunduar në llogari të Fadil Hysajt, ish-këshilltar për kulturë i ish-kryeministrit, Hashim Thaçi, tani presidenti i Republikës së Kosovës.

Hysaj, 12 mijë euro i kishte përfituar në vitin 2010 si subvencion nga Ministria e Kulturës për shfaqjen “Hyjnesha në Fron”, derisa siç ka konfirmuar gazeta “Zëri”, 70 mijë euro të tjera është subvencionuar për gjashtë vjet festivali “Etno Fest” që Fadil Hysaj e organizon në pronën e tij në fshatin Kukaj.

Gjithë këto përfitime në llogari të Hysajt kanë shkuar pak vite pasi ai ishte zgjedhur këshilltar i ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Nuk kishte as dy vjet të plota qëkur Hysaj ishte zgjedhur këshilltar për kulturë, ai kishte hapur në fshatin Kukaj teatrin etnik. Në një prononcim për media të publikuar në maj të vitit 2010, Fadil Hysaj në cilësi të këshilltarit të kryeministrit ishte shprehur se me mjete vetjake ia ka dalë në krye ta themelojë këtë institucion.

Hysaj më 2010: Nuk e kam ndërmend të kërkoj ndihmë nga institucionet e vendit

Ai po ashtu kishte deklaruar se për ta mbajtur gjallë këtë skenë nuk e ka ndërmend të kërkojë ndihmë nga institucionet e vendit.

 “Objekti është privat. E kam rinovuar një shtëpi të vjetër, e kam adaptuar si skenë me mjete vetjake. Në të ardhmen nuk pretendoj të përfitoj, por kurdo që u duhet regjisorëve, etnografëve mund ta kenë në dispozicion”, ishte shprehur Hysaj në vitin 2010.

Por, ishte pikërisht ky vit, kur siç konfirmon Ndue Ukaj, këshilltar i ministrit të Kulturës, në konton e Hysajt kishin kaluar 12 mijë euro.

“Në vitin 2010, një shfaqje e titulluar “Hyjnesha në Fron” e OJQ-së “Sythi” e Fadil Hysajt e mbajtur në “Parkun Arkeologjik” afër Muzeut Kombëtar ka marrë donacion në vlerë prej 12,000 eurosh nga Departamenti i Kulturës”, ka thënë Ukaj.

Por, këto mjete nuk ndërlidhen me teatrin e Kukajve, “Etno-Fest”, për të cilin Hysaj ishte zotuar se nuk do të kërkonte ndihmë nga shteti.

Për këtë festival që Fadil Hysaj, ish-këshilltar i Hashim Thaçit e themeloi në vitin 2011, sa për fillim kishte përfituar shumën prej 10 mijë eurosh.

Kjo shumë po ashtu është konfirmuar nga Ministria e Kulturës, përkatësisht nga Ndue Ukaj, këshilltari i ministrit të Kulturës.

Mbështetja për “Etno-Fest”-in, ka vazhduar të rritet. “Në vitin 2012, po i njëjti festival ka marrë mjetet në shumë prej 15,000 eurosh”, ka thënë Ukaj. Po aq mjete, sipas tij, për këtë festival janë ndarë edhe në vitin 2013. Ish-këshilltari i ish-kryeministrit edhe në vitin 2014 nuk ka kaluar keq me subvencione. “Më 2014 i janë alokuar mjete në shumë prej 15.000 eurosh”, konfirmon Ukaj.

Por, kur pas marrëveshjes për koalicion mes PDK-së dhe LDK-së pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014, Ministria e Kulturës filloi të udhëhiqej nga Lidhja Demokratike e Kosovës, mbështetja për ish-këshilltarin e Hashim Thaçit ka rënë dukshëm.

Në vitin 2015, sipas Ministrisë së Kulturës, në emër të festivalit “Etno-Fest”, Fadil Hysajt i është ndarë në formë subvencioni shuma prej 7000 eurosh. 

Ndërkohë që në vitin 2016, nga konkursi i Departamentit të Kulturës, Fadil Hysajt i janë ndarë 8000 euro.

“Por për shkak të mosmbylljes së avansit nga viti 2015 këto mjete nuk janë proceduar ende”, ka thënë Ukaj.

Paratë nuk u dhanë përmes tenderit, por si subvencione

Ky i fundit duke arsyetuar ndarjen e mjeteve, ka thënë se përfituesit e këtyre projekteve janë të detyruar që të dëshmojnë para Ministrisë së Kulturës shpenzimet me faturat origjinale, sipas rregullores së subvencioneve. Po ashtu, ka thënë ai, organizatorët obligohen të dorëzojnë në Ministri të Kulturës edhe raportin narrativ dhe atë financiar për projektin që përfitojnë.

“Procedurat e dhënies së mjeteve financiare janë konform Rregullores së Subvencioneve që i parashtrohen konkursit të rregullt të shpallur nga Departamenti i Kulturës e jo përmes  tenderit”, ka thënë Ukaj.

Mirëpo edhe në vitin 2010, kur Hysaj kishte themeluar etno-teatrin ishte treguar i “ndrydhur” të tregojë për mjetet që ka shpenzuar për të.

“Nuk më ka kushtuar shumë shtrenjtë. Ma merr mendja se është një freski për ambientin kulturor të Kosovës”, ishte shprehur ai.

Madje, para gjashtë vitesh kishte thënë se fakti që ai është edhe këshilltar i kryeministrit të Kosovës, nuk është problem që do të mundë të nxiste dyshimet apo reagimet e kolegëve të tij.

Por, gjashtë vjet më vonë, Hysaj ka preferuar të heshtë. Për dy ditë radhazi, ndonëse është kontaktuar nga gazeta “Zëri” përmes telefonit, por edhe përmes e-mailit, Hysaj nuk ka kthyer asnjë përgjigje për përfitimet që ka pasur nga Ministria e Kulturës.