Spitalet rrezikojnë të mbesin pa ushqim

Aktuale September 26, 2016 - 08:10

Spitalet e Kosovës rrezikojnë të mos arrijnë të paguajnë shërbimet e pastrimit dhe të ushqimit, si rezultat i shkurtimeve buxhetore të bëra nga ana e Qeverisë. Kjo është konfirmuar nga zyrtarë të financave të SHSKUK-së

Zvogëlimi i buxhetit për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) rrezikon të lërë pa ushqim dhe higjienë pacientët.

Kjo pasi zyrtarë shëndetësorë thonë se në fund të vitit kanë rrezik me sigurimin e buxhetit për të paguar ushqimin dhe shërbimin e higjienës për pacientët e SHSKUK-së që kuadrin e saj ka të gjitha spitalet e Kosovës.

Kjo pas krizës së rëndë financiare që po përjetojnë spitalet si rezultat i shkurtimeve buxhetore që i janë bërë nga Qeveria.

Sherif Bytyqi, zyrtar i financave në SHSKUK, ka thënë për “Zërin” se me shkurtimet e bëra janë prekur shumë dikastere.

Por, në fund të vitit, ai ka thënë se ekziston rreziku potencial që të mos arrijnë të kryejnë obligimet financiare në lidhje me kompanitë që po kryejnë aktualisht pastrimin e hapësirave të brendshme, por edhe për ushqimin që u servohet pacientëve.

SHSKUK nuk pret asnjë ndihmë nga Ministria e Shëndetësisë

Curr Gjocaj, drejtor i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, ka thënë për “Zërin” se gjitha këto kategori, përfshirë ushqimin, sigurimin, pastrimin, materialin jashtë listës esenciale, hyjnë në kuadër të kategorisë së mallrave dhe shërbimeve.

“Kjo kategori ka mungesa të mëdha dhe po mundohemi me i plotësu”, ka thënë Gjocaj.

Ai është shprehur se në tremujorin e fundit të vitit do të shohin më saktë se si janë alokimet.

“Ky nuk ka qenë një vit kushedi sa i kënaqshëm. Ta shohim si po i mbyllim”, ka thënë Gjocaj.

Ai është shprehur se janë disa kategori që nuk mund të barten mjetet për destinacione tjera.

I pyetur nëse MSh-ja ka mundësi t’i ndihmojë në këtë fazë, ai ka thënë se në kuptim të buxhetit janë organizata të pavarura.

“Ata menaxhojnë me një pjesë të buxhetit tonë, përfshirë Listën esenciale dhe investimet kapitale, pjesën më të madhe që kanë marrë dhe vitin e kaluar ata na kanë ndihmuar me kategorinë e barnave”, ka thënë Gjocaj.

Por, ai tha se këtë vit nuk beson se do të mundë të ndihmohen. “Do të shohim tash të gjitha mundësitë e organizatës sepse SHSKUK-ja ka disa institucione brenda organizatës së saj”, ka thënë Gjocaj.

Problemore, ndërkaq, përveç ushqimit dhe pastrimit mbetet rregullimi i disa aparaturave bazë të domosdoshme për pacientët.

Të rrezikuara edhe gratë që mund të preken nga kanceri i gjirit

Për shkak të shkurtimeve buxhetore SHSKUK-ja e ka të pamundur të rregullojë aparatin e mamografisë mobile, që bën detektimin e kancerit të gjirit te gratë.

Ajnishahe Halimi, e mbijetuar nga kanceri i gjirit dhe aktiviste për vetëdijesimin e grave për këtë sëmundje, ka thënë për “Zërin” se për sigurimin e mamografit mobil është investuar shumë mund dhe sakrificë nga ana e të gjithë njerëzve që mendojnë mjaftueshëm për shëndetin e grave.

“Shkurtimi i linjave buxhetore nga ana e Qeverisë, për servisimin e aparaturës së mamografisë është edhe një vrasje për shëndetin e grave”, ka thënë Halimi.

“Mjafton të dëgjohet një lajm i tillë! Ministria e Shëndetësisë së Kosovës duhet të hulumtojë vetëm në shtetet e rajonit dhe të shohë se sa shumë investohet në infrastrukturën e pajisjeve të cilat parandalojnë sëmundjet dhe të cilat mundësojnë për një shëndet sa më të mirë të grave”, ka thënë Halimi.

Sipas të mbijetuarës nga kanceri, tash edhe aktiviste politike, derisa në shtetet e rajonit kanë edhe mjete më të sofistikuara për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, Qeveria e  shkurton buxhetin dhe nuk ka interesim për funksionimin e mamografit mobil.

“Kjo është e pajustifikueshme prandaj edhe rreziku është i parashikueshëm sepse këto veprime të Qeverisë ua vrasin me ose pa vetëdije shpresat grave”, ka thënë Halimi.