Sondazhet, sinjal i zgjedhjeve
Publikimi i sondazheve se cilat parti politike kanë përkrahje më të madhe nga qytetarët dhe cilët politikanë janë më të preferuar për kryeministër të vendit, gati dy vjet para zgjedhjeve të rregullta parlamentare, vlerësohet se janë sinjal për zgjedhje të parakohshme në Kosovë
Gati dy vjet para zgjedhjeve të rregullta parlamentare, kompani të ndryshme vendore kanë filluar të nxjerrin sondazhe se cilat subjekte politike mund të fitojnë zgjedhjet e parakohshme në Kosovë dhe cilët kandidatë partiakë kanë përkrahje më të madhe për kryeministër të vendit.
Ditë më parë është publikuar sondazhi i kompanisë vendore “Ubo Consulting”, sipas të cilës, nëse zgjedhjet do të mbaheshin këto ditë, 24.1 për qind e qytetarëve do ta votonin PDK-në, 23.3 për qind Lëvizjen “Vetëvendosje”, ndërsa përkrahja e qytetarëve për LDK-në e kryeministrit Isa Mustafa, sipas këtij sondazhi, do të bjerë nën 20 për qind.
Madje, sipas sondazhit të “Ubo Consulting”, Albin Kurti konsiderohet nga qytetarët si kandidati më i përshtatshëm për kryeministër të vendit.
Por, një sondazh i tillë ka nxehur “gjakrat” e bashkëpunëtorëve të kryeministrit Mustafa, duke e quajtur atë si të porositur.
Në anën tjetër, analistët politikë vlerësojnë se shfaqja e sondazheve të tilla mund të jetë një paralajmërim për zgjedhje të parakohshme në vend.
Lekaj: Qytetarët duan zgjedhje
Shefi i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, duke folur për gazetën “Zëri”, ka thënë se edhe në sondazhin e fundit u pa se qytetarët dëshirojnë ndryshime.
“Në këtë të fundit u pa qartë se qytetarët janë shumë të dëshpëruar nga mënyra se si është qeverisur e po qeveriset vendi. Prandaj me të drejtë që nga materializimi i koalicionit PDK-LDK, ata kanë shprehur mospajtimin deri edhe duke e lëshuar Kosovën”, ka thënë Lekaj.
Sipas tij, qytetarët e kanë ditur që ky koalicion nuk do të bëjë ndryshime pozitive në asnjë sektor, por vetëm ngecje si në zhvillimin ekonomik, shëndetësi, arsim etj.
“Kur ia shtojmë kësaj edhe dy marrëveshjet e dëmshme, Demarkacionin dhe Asociacionin, është krejt normale që vendit i duhet ndryshimi. Qytetarët e kanë shprehur këtë por jo gjithkush mund ta bëjë këtë ndryshim, Kosovën ta dërgojmë drejt një adrese të panjohur, që mund të jetë po aq e dëmshme sa kjo që kemi sot”, ka shtuar ai, duke përfunduar se partia e tij sot është e fokusuar për të shpjeguar te qytetarët se si do të duket Kosova kur të mos jetë kjo Qeveri në pushtet.
Në anën tjetër anëtari i kryesisë së Lëvizjes “Vetëvendosje”, Zgjim Hyseni, ka thënë se pushteti dhe shërbyesit e tij janë në siklet të madh nga këto sondazhe.
“Këto sondazhe flasin qartë për rritje të madhe të LVV-së, dhe mu kjo i shpjegon edhe sulmet, fushatën dhe terrorin kundër nesh që pushteti e ka filluar tash e sa kohë. Po qartësohet që këto sulme të Qeverisë dhe klanit pronto vetëm sa po e forcojnë dhe rrisin organizatën tonë”, ka thënë Hyseni.
Ai ka shtuar se qytetarët janë lodhur me këtë lloj qeverisje.
“Është e qartë se qytetarët duan zgjedhje sepse janë lodhur nga krimi i këtij pushteti, madje siç e thonë edhe sondazhet, qytetarët po e duan qeverisjen tonë. Dhe jemi të bindur se kështu do të ndodhë”, ka përfunduar ai.
Gaxherri: Sondazhe të porositura
Sondazhi i fundit i publikuar nuk ua ka mbushur syrin koalicionit PDK-LDK. Madje ata as që e pranojnë si të tillë.
Besa Gaxheri nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk ka kurrfarë rëndësie që të merren me një sondazh të tillë.
“Këtë sondazhe janë inekzistente por ju duhet të bëni hulumtime dhe të shikoni se a ka relevancë me u marr me një sondazh të tillë”, ka thënë Gaxherri duke shtuar: “Nëse një kompani nuk është e regjistruar dhe nuk dimë se kush është, çfarë licence ka. Edhe ne si subjekt politik mund të çohemi dhe të bëjmë një sondazh dhe përpunime dhe pastaj të bëhen publike. Kur e kam parë këtë sondazh dhe e kam hulumtuar me të vërtetë është për të ardhur keq”, ka përfunduar ajo.
Në anën tjetër Blerta Deliu-Kodra nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk mund të parashikohen zgjedhje të reja vetëm në bazë të publikimeve të një sondazhi.
“Ajo çka dua të them është se zgjedhjet caktohen me afate kohore të cilat i kanë institucionet e Republikës së Kosovës. Nuk mundemi ne me e përcaktua vullnetin që është dhënë në zgjedhjet e fundit. PDK-ja ka dalë e para prapë edhe në këto sondazhe”, ka thënë Deliu-Kodra duke bërë thirrje që të vërtetohet se nga po dalin sondazhet, sa janë të besueshme, natyrisht që duhet edhe të shikohet cilësia e të gjitha këto.
Matoshi: Zgjedhje, nëse nuk kalon Demarkacioni
Publicisti Halil Matoshi, duke folur për sondazhin e fundit, ka thënë se shfaqja e sondazheve të tilla mund të jetë një paralajmërim për zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Zgjedhjet e jashtëzakonshme mund të mbahen vetëm nëse Kuvendi nuk e voton Demarkacionin gjë që gjasat janë reale. Prandaj edhe ka nisur shfaqja në publik e sondazheve me origjinë partiake”, ka thënë Matoshi duke shtuar: “Në Kosovë sondazhet janë të porositura nga kuzhinat partiake dhe jo nga ndonjë institut kredibil, prandaj është kotësi të merresh me to”, ka shtuar ai.
Në anën tjetër, sociologu Fadil Maloku duke folur për “Zërin”, ka ngritur zërin rreth dyshimeve për këto sondazhe “joprofesionale”.
“Për t’i ikur politizimit të referimit të rezultateve nga hulumtimet e ndryshme empirike, rezultatet e hulumtimeve empirike do të duhej të interpretojnë vetë hulumtuesit, përkatësisht ekspertët e lëmive përkatëse, pra shkencëtarët, e jo njerëzit jokompetentë. Vetëm kështu rezultatet empirike mund të bëhen ngadalë bazë e sigurt për të prurë vendime të ndryshme politike, ku punëtorëve të ndryshëm shkencorë (sociologëve të rinj para së gjithash) u hapen mundësitë e kyçjes së tyre në ekipe të shkencëtarëve që punojnë sipas skemës sistemore nëpër shërbimet dhe agjencitë që udhëheqin proceset demokratike në shoqëritë e tranzicionit. Por, a u besojmë ne sondazheve? Dilemat mbesin edhe më tej, gjersa me këtë zanat merren amatorët e jo profesionistët!”, ka përfunduar Maloku.