Qytetarët kërkojnë që kisha të kthehet në muze

Aktuale September 25, 2016 - 08:13

Objekti ortodoks serb i ndërtuar në kampusin e Universitetit të Prishtinës ka ngjallur reagime gjithandej opinionit politik e publik kosovar e rajonal. Shumica mendojnë se objekti është i imponuar dhe si i tillë duhet të rrënohet, mirëpo liderët institucionalë kosovarë, përfshirë edhe pakicën serbe, kërkojnë që objekti të rivitalizohet dhe të shërbejë si faltore serbe.

Gazeta “Zëri” ka intervistuar disa nga qytetarët e Prishtinës, duke marrë mendimin e tyre rreth kësaj kishe.

Disa thanë se kisha ortodokse që gjendet brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës është objekt i imponuar dhe është ndërtuar nën masat e dhunshme nga regjimi serb, por ka të tillë që kërkojnë që ky objekt të shndërrohet në muze si një fakt i pamohueshëm i represionit serb në Kosovë.

Kurse Drejtoria për Kulturë e cila është në kuadër të Komunës së Prishtinës ka thënë që, gjithsesi që do të shikohej mundësia e realizimit të idesë që qytetit t’i shtohet një muze apo qendër e kulturës, sikur ky objekt të ishte në pronësi të Komunës.

Sipas drejtorit për Kulturë, Rini dhe Sport, Besart Vllahinja, Komuna e Prishtinës i referohet aspektit ligjor dhe planit urbanistik sa i përket objekteve që ndodhen në kryeqytet.

”Komuna e Prishtinës riafirmon faktin që ligjvënësi ka miratuar ligjet përkatëse për ndërtim, për planifikim dhe legalizim. Çdo subjekt, fizik apo juridik, me rastin e planifikimit për ndërtim duhet të marrë leje prej Komunës së Prishtinës.E përsërisim po ashtu që ne jemi të kujdesshëm në temat ku drejtpërdrejt apo tërthorazi preken ndjenjat identitare të komuniteteve kulturore, sociale, politike, fetare dhe të gjitha komuniteteve tjera”, ka thënë Vllahinja.

Komuna e Prishtinës, sipas tij, ka mandatin ligjor vetëm për ato objekte të cilat janë në pronësi të Komunës së Prishtinës.

“Drejtoria e Kulturës e Komunës së Prishtinës ka mandate ligjor për propozim të ridestinimit të objekteve kulturore vetëm për institucionet kulturore të cilat janë në pronësi të Komunës së Prishtinës”, ka deklaruar Vllahinja.

Kurse sipas profesorit të Universitetit të Prishtinës, Bekim Lumi, ky objekt është i paligjshëm dhe i ndërtuar dhunshëm në vitet e okupimit të Kosovës nga Serbia, gjithashtu ky objekt nuk është me karakter fetar, por vetëm një “kishë” politike.

”Objekti i ashtuquajtur ‘Kishë e Krishtit Shpëtimtar’ është një objekt i paligjshëm i ndërtuar dhunshëm në vitet e aparteidit e të okupimit të Kosovës nga Serbia. Si i tillë, ky objekt nuk është objekt me karakter fetar apo sakral, por vetëm një ‘kishë’ politike, e cila, për shkak të kohës, të qëllimeve, të hapësirës e të mënyrës në të cilën është ndërtuar, përfaqëson simbolin e krimit, të dhunës e të terrorit”, thotë ai.

Tutje, Lumi ka thënë që për këtë gjë duhet të organizohet një debat i hapur publik, me pjesëmarrje masive të mësimdhënësve dhe studentëve.

Kurse sipas qytetarit Mark Biblekaj, kjo kishë nuk duhet të rrënohet po të bëhet muze që të jetë tregues i historisë së dhimbshme që kemi kaluar si popull.

Ndërsa Xhevat Meha mendon se ky objekt nuk duhet të quhet kishë, sepse është simbol i politikës më diskriminuese ndaj shqiptarëve.

“Së pari ajo nuk është kishë, ai është një objekt i cili është bërë me qëllim të bëhet kishë, por ajo është simbol i politikës më diskriminuese ndaj shqiptarëve dhe në atë kishë me sa jam i informuar, janë kryer edhe dhunime ndaj femrave shqiptare, si në një objekt ku kryhen dhunime, ai as s’mund të shërbejë si objekt për shërbime fetare, por as s’mund të shërbejë për shërbime kulturore”, ka thënë ai.