Në 'Luginën e diellit' vendosen serbë të Kralevës
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar në Kralevë se në vendbanimin “Lugina e diellit”, e cila është duke u ndërtuar në komunën e Zveçanit, fare pranë lagjes “Kroi i Vitakut” në veri të Mitrovicës, do të vendosen serbë që aktualisht jetojnë në Kralevë. Sipas një komunikate të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, të cilën e përcjellin mediet serbe në veri të Mitrovicës, Gjuriq ka thënë se në Kralevë aktualisht jetojnë më shumë se 20 mijë refugjatë nga Kosova, të cilët presin të kthehen në Kosovë.
“Jemi marrë vesh që drejtuesit e Kralevës të kyçen në procesin e regjistrimit të familjeve të interesuara të kthehen në Kosovë dhe të jetojnë në lagjen ‘Sunca Dolina’, popullimi i së cilës do të fillojë pas përfundimit të ndërtimit të këtij vendbanimi, pas dy vjetësh. ‘Suncana Dolina’ do të përfundojë në vitin 2018. Do të thotë se në mesin e vitit 2017 ne duhet që njerëzve t’ua paraqesim se ku saktësisht dëshirojnë të kthehen, se si duken ato shtëpi, në të cilat secili prej nesh do të dëshironte të jetonte, sepse nuk bëhet fjalë për ndërtesa sociale, por objekte kualitative”, ka thënë Gjuriq në takimin me kryetarin e Kralevës, Predrag Terziq. Sipas tij, vendbanimi “Lugina e diellit” (Suncana Dolina) ndodhet në vend të sigurt, në një hark serb, me gjithë infrastrukturën e nevojshme të objekteve dhe shkollave, “si dhe familjet që do të vendosen në këtë vendbanim do të ndihmohen për punësimin e nga një anëtari të familjes”.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë Serbe dhe njëkohësisht shef i ekipit serb në dialog me ekipin kosovar në Bruksel, Marko Gjuriq, ka thënë se drejtuesit e Kralevës do të kyçen në identifikimin e familjeve të interesuara për t’u kthyer në vendbanimin “Lugina e diellit”. Ai ka shtuar se disa organizata ndërkombëtare kanë imponuar si zgjidhje integrimin e serbëve në vendet ku janë zhvendosur e jo kthimin në Kosovë, gjë që, sipas tij, “ishte gabim i rëndë”. “Disa organizata ndërkombëtare sikur kanë dëshiruar që ata njerëz të mbesin përgjithmonë jashtë Kosovës e Metohisë, duke ndihmuar vetëm ato projekte që kanë të bëjnë me mbetjen atje”, ka thënë mes tjerash Gjuriq në Kralevë.
Ndryshe, shqiptarët e veriut të Mitrovicës, subjektet e ndryshme politike dhe shoqëria civile kanë vlerësuar se me ndërtimin e vendbanimit “Lugina e diellit”, për të cilin Serbia do të investojë mbi 2 milionë euro, në fakt fillon rikolonizimi i veriut dhe i Kosovës me serbë nga Serbia.