Demarkacioni, mision 'i pamundur' për Qeverinë

Aktuale September 24, 2016 - 08:06

Koalicioni qeverisës PDK – LDK, i njohur ndryshe si “Koalicioni i elefantëve”, me 85 deputetë nuk po arrin që t’i sigurojë 80 votat e nevojshme për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi.

Burime të “Zërit” kanë bërë të ditur se janë mbi 10 deputetë të koalicionit qeverisës, të cilët po vazhdojnë ta kundërshtojnë këtë marrëveshje. Prandaj, sipas këtij burimi, drejtuesit e koalicionit po mundohen të gjejnë një zgjidhje të përbashkët më subjektet opozitare në mënyrë që t’i sigurojnë votat e nevojshme për këtë marrëveshje, e cila konsiderohet kusht për liberalizim vizash.

Përfaqësuesit e koalicionit tash e një kohë janë duke thënë se është e nevojshme arritja e një konsensusi ndërmjet subjekteve politike, por subjektet opozitare thonë se nuk mund të ketë konsensus për ta ratifikuar këtë marrëveshje. Sipas tyre, konsensusi i vetëm mund të bëhet për ta rifilluar procesin e demarkacionit nga zeroja.

Pajaziti: Konsensusi, i mundshëm

Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, ka thënë për “Zërin” se nuk ka asgjë të re sa i përket çështjes së ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi. Megjithatë ai shprehet optimist se mund të arrihet një konsensus ndërmjet subjekteve politike në vend. “Nuk është vështirë të gjendet konsensusi, por duhet të ketë vullnet për të dialoguar, duhet të lihen agjendat partiake anash dhe të kuptohet nga të gjithë se kjo është agjendë shtetërore. Unë shpresoj shumë që do të ketë vullnet nga të gjithë, pasi kemi humbur shumë kohë. Edhe opozita duhet të reflektojë dhe të ulemi bashkërisht që ta arrijmë konsensusin dhe të ecim bashkë”, ka deklaruar Pajaziti.

Në anën tjetër anëtari i Kryesisë së Lëvizjes “Vetëvendosje”, Zgjim Hyseni, ka thënë se marrëveshja e 26 gushtit është e vdekur falë rezistencës së opozitës, qytetarëve dhe disa deputetëve të koalicionit qeverisës.

“Koalicioni qeverisës qysh në qershor pati thënë se brenda dhjetë ditësh do të ndodhte ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacion. Më pas deklaronin me bindje te plotë se më 1 shtator kjo është punë e kryer. Nuk ndodhi ashtu falë rezistencës sonë, të opozitës e qytetarëve dhe një numri të deputetëve të mazhorancës që janë të përgjegjshëm ndaj vendit dhe votuesve. Ne nuk mund t'i dimë arsyet, por jemi të bindur që demarkacioni tashmë ka vdekur e jemi të vendosur ta ndalojmë nëse Qeveria vazhdon me arrogancën e saj”, ka theksuar Hyseni.

Opozita: Nuk ka konsensus për versionin aktual

Më tej ai ka thënë se në këtë kohë nuk mund të pritet që të ketë konsensus ndërmjet koalicionit qeverisës dhe opozitës. Hyseni ka thënë se nuk ka nevojë për konsensus apo kompromis.

“Në rrethanat kur është vërtetuar që Qeveria e ka plotësisht gabim për çështjen e demarkacionit, nuk do të duhej të flitej për konsensus, por për tërheqjen e Qeverisë nga qëndrimi i tyre e besa edhe për dorëheqjen e tyre sepse po bëhen muaj e vite që kjo Qeveri e ka gënjyer e maltretuar popullin e Kosovës me këtë temë. Opozita, përkatësisht Lëvizja ‘Vetëvendosje’ e kërkon kthimin e demarkacionit në pikën zero dhe për këtë themi që s'ka nevojë as për konsensus e as për ndonjë kompromis”, ka përfunduar ai.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se me insistimin dhe vendosmërinë e qytetarëve, opozitës dhe shoqërisë civile (ekspertëve), si dhe të disa deputetëve të koalicionit qeverisës është nxjerrë e vërteta për Marrëveshjen e Vjenës. Prandaj, sipas tij, kryeministri nuk duhet të tentojë të bëjë kompromise. Lekaj thotë se ky proces duhet të kthehet nga fillimi.

“Kryeministri nuk duhet të tentojë në kompromise për veten, por duhet t’i thërrasim të gjithë për të vërtetën që shpëton Kosovën e ajo është, ose kthimi në pikën zero i demarkacionit nga vetë Qeveria, ose atë ta bëjë Kuvendi duke ia dhënë votën kundër. Nëse Qeveria na dëshiron në diskutimet që i ka proklamuar, duhet ta dijë që në ato çka i ka thënë deri më tani për demarkacionin ka shumë të pavërteta e ne nuk do ta tolerojmë t'i materializojë ato”, është shprehur Lekaj.

Ai gjithashtu ka thënë se çdo tendencë për ta riproceduar këtë marrëveshje në versionin aktual, është mosrespekt për zërin kundërshtues të qytetarëve dhe të opozitës që të pezullohet marrëveshja deri në kthimin në vija të sakta të kufirit.

 Koalicioni nuk i ka votat

Kurse deputeti i “Nismës për Kosovën”, Zafir Berisha, ka thënë se koalicioni qeverisës nuk i ka votat. Sipas tij, deklarimet e pushtetarëve për të gjetur konsensus të përbashkët me opozitën janë joserioze.

“Përveç faktit që më 1 shtator kanë provuar, por nuk e kanë kaluar marrëveshjen, pra pasi e kanë tërhequr nga votimi për shkak se nuk i kanë pasur votat për ta kaluar. Dhe as tani nuk i kanë votat. Thirrjet momentale i llogarisim si joserioze edhe ato se do të takohemi me opozitën, edhe këto për gjetjen e konsensusit. Është përpjekje e kotë nëse tentohet të arrihet konsensus për ta kaluar këtë version”, ka potencuar Berisha pasi, sipas tij, konsensusi mund bëhet vetëm që kjo marrëveshje të kthehet në pikën zero dhe që të rifillojë procesi i demarkimit.

Ndërkohë profesori universitar, Blerim Burjani, ka thënë se është humbur shumë kohë me çështjen e demarkacionit dhe se edhe më tutje skena politike kosovare po tregohet e papërgjegjshme duke e neglizhuar këtë çështje.

Sipas Burjanit, kushtëzimi i liberalizimit të vizave me ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi është gjëja më e keqe që ka mundur t’i ndodhë Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave. Burjani ka thënë se koalicioni qeverisës është duke i bërë kalkulimet për çështjen e votave.
“Po t’i kishin votat këta do ta procedonin si koalicion. Megjithatë, koalicioni nuk ka hequr dorë fare, pra ideja është që sërish të dërgohet marrëveshja për ratifikim në Kuvend, por aktualisht koalicioni sigurisht se është duke i bërë kalkulimet për çështjen e votave”, ka vlerësuar Burjani.