Zvogëlimi i Qeverisë, i pashmangshëm

Aktuale September 21, 2016 - 07:38

Kryeministri Isa Mustafa, së bashku me partnerët e koalicionit (PDK), pritet të bëjë riformatim të Qeverisë, me ç’rast do ta zvogëlojë edhe numrin e ministrive. Ndonëse nuk kanë saktësuar se kur pritet të nisë një gjë e tillë, përfaqësues të ekzekutivit kanë thënë se riformatimi patjetër do të ndodhë, madje një nxitëse në këtë drejtim do të jetë edhe posti vakant i ministrit të Integrimit.

Ndonëse njohësit e çështjeve politike në Kosovë kanë rekomanduar që Ministria e Integrimit Evropian të shkrihej në një dikaster të Ministrisë së Jashtme, kjo Ministri do të vazhdojë të funksionojë si e pavarur edhe më tutje.

 PDK-ja e LDK-ja, të gatshme për riformatim

Për riformatimin e Qeverisë dhe strukturimin e saj janë pajtuar të dy partitë e mëdha të koalicionit, PDK-ja dhe LDK-ja.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, ka thënë për “Zërin” se Qeveria do ta realizojë riformatimin, mirëpo nuk ka dhënë hollësi rreth Ministrisë së Integrimit Evropian, sado që ajo është pa ministër qe disa ditë. “Riformatimi si synim nuk është përcaktuar se do të bëhet detyrimisht brenda një kohe të caktuar, por është pajtim i partnerëve të koalicionit se do të bëhet gjithsesi. Kjo edhe do të ndodhë”, ka deklaruar ai, duke mos saktësuar se kur pritet të ndërmerret një vendim i tillë.

Ndërkaq, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se nuk ka ndonjë informacion rreth riformatimit të Qeverisë. Megjithatë, ai ka pranuar se PDK-ja është e gatshme për një gjë të tillë. “Unë nuk kam informacion, s’mund të flas për një gjë që nuk ka ndodhur ende. PDK-ja është e gatshme në një mënyrë ose tjetrën”, ka deklaruar Haliti.

Pavarësisht kësaj, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se kjo nismë është marrë nga i pari i Qeverisë, Isa Mustafa. Kjo me qëllim që, siç Haziri është shprehur, të zvogëlohet numri i ministrive. “Riformatimi i Qeverisë është iniciativë e kryeministrit Isa Mustafa, i cili me këtë veprim dëshiron ta racionalizojë punën e kabinetit qeveritar, me tendencë që të zvogëlohen sektorët dhe numri i ministrive”, është shprehur kryetari i Komunës së Gjilanit.

ME-ja të shkrihet në një dikaster tjetër

Ndonëse po flitet për shkrirjen e Ministrisë së Integrimit në një ministri tjetër, Haziri ka thënë se riformatimi nuk lidhet kryekëput me këtë Ministri.

Pavarësisht këtyre, njohësi i çështjeve politike Haki Abazi ka vlerësuar se nuk është e lehtë të bëhet një riformatim siç thotë Qeveria. Kjo pasi, sipas tij, me anë të punësimeve në këta sektorë koalicioni i mban peng votuesit. “Është e pamundur që të zvogëlohen numrat, meqë kalkulimi i vetëm është se si duhet mbajtur elektoratin të varur nga vendi i tyre i punës”, ka deklaruar ai.

Megjithëkëtë, Abazi ka thënë se riformatimi duhet të ndodhë dhe Ministria e Integrimit Evropian duhet t’i bashkohet asaj të Punëve të Jashtme qysh tash.

“Ministria e Integrimit Evropian duhet patjetër të integrohet në Ministrinë e Punëve të Jashtme”, ka thënë ai për “Zërin”.

Nga ana tjetër, analisti politik Krenar Gashi ka vlerësuar se shkrirja e një ministrie në një tjetër është e ngjashme me hapjen e po këtyre ministrive.

“Mbyllja apo shkrirja e një ministrie apo një tjetre për të cilën po flitet tash është një veprim ad hoc, pra krejtësisht i njëjtë në qasje sikur veprimet për hapje të ministrive të ndryshme vite më parë”, ka deklaruar ai. Sipas Gashit, ky veprim nuk paraqet ndonjë ndryshim në qasje të qeverisjes, përkundrazi, siç ai e ka cilësuar, mund të jetë vetëm veprim “kozmetik”.

Kosova, me qeveri “gllomaze”

Kurse Dren Ajeti, hulumtues pranë Grupit për Studime Juridike dhe Politike, ka vlerësuar se Ministria e Integrimit Evropian nuk do të duhej të ekzistonte si e veçantë, por në kuadër të Zyrës së shefit të ekzekutivit. “Integrimet Evropiane duhet të vendosen në kuadër të Zyrës së kryeministrit, ngase kështu çdo kryeministër do të dëshmonte përkushtim në integrime në vend se t’ia besonte dikujt tjetër”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, nuk është vetëm kjo Ministri që duhet të shuhet. Ai gjatë bisedës ka vlerësuar se numri i ministrive në Kosovë është relativisht i madh, andaj riformatimi në Qeveri duhet të ndodhë patjetër. “Në një vend aq të vogël sa është Kosova, 19 ministri janë të tepërta dhe të panevojshme. Riformatimi qeveritar është më se i nevojshëm”, ka thënë ai.

Dren Ajeti më tutje ka thënë se Kosova është vendi i parë në rajon dhe në Evropë që ka më së shumti zëvendësministra, duke kapur kështu shifrën 57.

Ndërkaq, ashtu si ai ka deklaruar, në kohën kur koalicioni po ballafaqohet me çështjen e Demarkacionit dhe të Asociacionit këto parti nuk mund t’ia hapin vetes çështjen e riformatimit të Qeverisë, pasi kjo do të kërkonte konsensusin mes partnerëve të koalicionit.