Rreth 400 zyrtarë me 'alltia në shokë'

Aktuale September 20, 2016 - 08:03

Në Kosovë aktualisht janë rreth 400 leje të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme për armëmbajtje (revole) nga personat fizikë. Në këtë numër hyjnë edhe politikanë, deputetë, kryetarë komunash, e shumë fytyra publike të cilët bartin armë me vete. Vetë deputetë nuk e shohin problem nëse politikanët bartin armë, derisa njohës të sigurisë e shohin të panevojshëm  

Bartja dhe posedimi i armëve në Kosovë është bërë shqetësim, duke parë numrin e madh të vrasjeve. Përveç numrit të madh të armëve pa leje që gjenden te qytetarët, një numër i madh është edhe i armëve me leje.

Por, shqetësues është edhe bartja e alltisë në shokë nga personat publikë, siç janë politikanët. Njohës të çështjeve të sigurisë e shohin të panevojshëm që numër i madh i zyrtarëve publikë të bartin armë, përveç ndonjë rasti specifik, por jo të abuzohet me to.

Ndërsa, vetë deputetët aktualë nuk e shohin problem që politikanët dhe personat tjerë publikë të mbajnë armë me leje.

Aktualisht janë 400 leje për armëmbajtje   

Aktualisht në Kosovë janë lëshuar rreth 400 leje për armëmbajtje, e në këtë numër hyjnë edhe personat publikë që bartin armë.

Në një përgjigje për gazetën “Zëri”, zyra për media e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka thënë se numri i lejeve ndryshon varësisht sipas nevojës.

“Numri i lejeve për armëmbajtje ndryshon sipas nevojave dhe rekomandimeve dhe nuk ka të bëjë vetëm me personat që mbajnë poste publike. Aktualisht numri i përgjithshëm i lejeve për të mbajtur armë është rreth 400”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Sipas MPB-së, leja për armë lëshohet vetëm nëse paraqitësi i kërkesës i plotëson kriteret sipas rregullores 04/2012 për armëmbajtje në Kosovë.

Kriteret për përfitimin e lejes për armëmbajtje

Rregullorja nr. 04/2012, për Armëmbajtje në Republikën e Kosovës, neni 1, thotë se qëllimi i kësaj rregulloreje është përcaktimi i procedurave për leje për armëmbajtje për personat fizikë në Republikën e Kosovës, të bazuar në arsye të justifikueshme dhe legjitime, me qëllim për të forcuar rendin publik dhe sigurinë personale.

Ndërsa, po sipas kësaj rregulloreje, nenit 4, paragrafi 1, thotë se personi fizik mund të aplikojë për leje të armëmbajtjes vetëm nëse i plotëson këto arsyet të justifikueshme dhe legjitime.

“1.1 Një person i rrezikuar, i cili është vlerësuar nga Komiteti për Vlerësim të Rrezikut (Policia e Kosovës), si subjekt që i nënshtrohet rrezikut dhe se nuk i është ofruar mbrojtja në asnjë mënyrë tjetër; apo që dëshmon me shkrim një vlerësim të tillë nga ndonjë institucion tjetër të cilit i është dhënë mandati ligjor për një vlerësim të tillë; 1.2. zyrtarë të Sigurimit që janë punonjës të personave me rëndësi të veçantë për institucionet shtetërore; zyrave, agjencive apo misioneve diplomatike në Republikën e Kosovës, 1.3. kur armëmbajtja është e nevojshme për ruajtjen dhe ngritjen e rendit dhe sigurisë publike dhe në veçanti që lidhet me sigurinë e aeroportit, mbrojtjen e parqeve kombëtare dhe pyjet nacionale”, thuhet në rregulloren për lëshimin e lejeve për armëmbajtje.

Kjo rregullore parasheh edhe revokimin e lejeve. Sipas nenit 11 të kësaj rregulloreje, leja mund të revokohet nga organi kompetent, nëse kushtet të cilat ishin në fuqi për dhënien e lejes nuk janë më të zbatueshme.

Nuk është problem pse personat publikë mbajnë armë

Por, për deputetin e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, i cili është anëtar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, nuk është problem pse personat publikë mbajnë armë.

Sipas tij, mjafton që ata t’i kenë plotësuar kriteret për armëmbajtje apo posedim të tyre.

“Nuk ka ndonjë të keqe që edhe personat publikë të jenë të pajisur me leje për posedim ose armëmbajtje. Mjafton që ata t'i kenë plotësuar kriteret në përputhje me ligjin. Unë jam që kushdo që i plotëson ato kritere të pajiset me leje. Sa më shumë armë me leje aq më të kontrolluara do të jenë ato. Edhe politikanët le të kenë armë. S'prish punë, mjafton t’i kenë plotësuar kriteret e parapara me ligj”, ka theksuar Selimi për “Zërin”, për të cilin problem janë armët pa leje sesa ato me leje.

“Kosova nuk ka problem me armët me leje, por me armët pa leje. Ne duhet të tregohemi fleksibil sa i përket menaxhimit me këtë situatë. Kur dihet se ka shumë armë ilegale në Kosovë, një plan multidisiplinar do të ishte gjëja më e duhur”, është shprehur ai.

Deputeti Selimi thekson se Kosova ka ligjin me të mirë në rajon për armët dhe mjafton zbatimi i tij, që sipas tij, nuk ka ndodhur si duhet.

“Unë e kam udhëhequr grupin punues për Ligjin për Armët që është miratuar në Kuvend dhe padyshim ai është ligji më i avancuar në rajon. Mjafton të zbatohet ai ligj dhe të nxirren aktet nënligjore nga Qeveria, gjë që nuk ka ndodhur si duhet deri më tash”, ka theksuar Selimi.

E paarsyeshme, mbajtja e armëve nga shumë zyrtarë publikë

Mirëpo, për njohësin e çështjeve të sigurisë dhe ish-deputetin, Burim Ramadani, bartja e armëve nga personat publikë dhe politikanët është e panevojshme.

“Mendoj se tashmë Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme që të ofrojë mbrojtje për zyrtarët publikë që mund të jenë nën rrezikshmëri të sigurisë. Prandaj, nuk e shoh të arsyeshme bartjen e armëve nga një numër i madh i zyrtarëve publikë”, ka thënë Ramadani për “Zërin”, i cili shton se mund të ketë ndonjë rast të veçantë, por jo të abuzohet me to.

“Sigurisht se mund të ketë rrethana ku, për shkak të detyrës së tyre, mund të vlerësohet se siguria e tyre është e rrezikuar. Por, nuk besoj se kjo duhet të abuzohet, kështu siç po abuzohet”, është shprehur ish-deputeti Ramadani.