BIK-u ther kurbanet në Hungari
Me paratë që i kanë dorëzuar kosovarët në Bashkësinë Islame të Kosovës janë therur mijëra kurbane. Por, BIK-u nuk ka therur kurbanet në Kosovë, por në Hungari. Kjo sipas zyrtarëve të Bashkësisë Islame ndërlidhet me sëmundjen gungore të kafshëve. Por, në AVUK thonë se Kosova ka mjaft thertore të licencuara që do ta kryenin këtë punë
Bashkësia Islame e Kosovës sivjet të gjitha paratë që i ka grumbulluar për therjen e kurbaneve i ka shpenzuar në shtetin e Hungarisë.
Kjo, pasi brenda BIK-ut është vendosur që therja e mijëra kurbaneve të bëhet në shtetin e Hungarisë, për shkak të pasigurisë për të bërë therjen e kurbaneve në Kosovë pas përhapjes në vend të sëmundjes gungore të lëkurës te gjedhet ose ndryshe e njohur si Lumpy Skin Disease (LSD).
Lajmi është bërë i ditur nga burime brenda BIK-ut, të cilat thonë se arsyeja e therjes së kurbaneve në Hungari ndërlidhet pikërisht me sëmundjen e kafshëve.
“Atje është gjetur një thertore e specializuar dhe aty është bërë therja e kurbaneve”, thotë burimi i gazetës pa dashur që emri t’i përmendet në gazetë.
Konfirmohet therja e kurbaneve jashtë shtetit
Në lidhje me këtë çështje gazeta ka kontaktuar me zyrtarë të shumtë të BIK-ut të dielën. Shumica nga ta nuk janë paraqitur në telefon, kurse ata që kanë marrë porosinë nuk kanë preferuar të flasin.
Myftiu i BIK-ut, Naim Tërnava, është shprehur se gjendet në Medinë, ndërkohë gazeta nuk ka arritur të kontaktojë gjatë të dielës as me sekretarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul Rexhepin, e as me udhëheqësin financiar në BIK, Kasim Gërgurin.
Të dy siç ka marrë vesh gazeta, janë anëtarë të Komisionit për therjen e kurbaneve dhe vazhdojnë të qëndrojnë në shtetin e Hungarisë. As zëdhënësi Bahri Simnica nuk është paraqitur në telefon pavarësisht edhe porosive të lëna.
Derisa Sabri Bajgora pa dashur të komentojë therjet e kurbaneve në Hungari ka thënë se kjo është bërë vetëm për shkak të sëmundjes së kafshëve e përhapur në Kosovë.
“Për këtë çështje janë anëtarët e komisionit të cilët janë në Hungari dhe ju lusim t’i kontaktoni ata”, ka thënë Bajgora përmes telefonit.
Ai ka thënë se çdo prononcim i tij në lidhje me këtë çështje është dalje nga kompetencat. Por gjithashtu është shprehur se nuk i di detajet. Por, megjithatë, Bajgora ka bërë me dije se mishi i kurbaneve të therur do të konservohet dhe do të sillet në Kosovë.
Gazeta ka kontaktuar me Lamir Thaçin, zëdhënës i Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit, për ta pyetur nëse i kanë dhënë ndonjë rekomandim BIK-ut që therjen e kurbaneve ta bëjë jashtë Kosovës, shkaku i sëmundjes gungore të lëkurës së kafshëve.
AVUK: Sëmundja nuk prek njerëzit
Por, Thaçi ka thënë se në Kosovë ka mjaftueshëm thertore të licencuara që merren me therjen e kafshëve.
Dhe se apeli i vetëm i Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit ka qenë që therja e kurbaneve të bëhet në thertoret e licencuara nga kjo Agjenci.
“Ndryshe të gjitha detajet rreth sëmundjes janë bërë publike edhe në ueb-faqen e Agjencisë”, ka thënë Thaçi.
Sëmundja gungore e lëkurës, sipas një njoftimi të AVUK-ut, është sëmundje virale e gjedhit me karakteristikë tipike të gungave në lëkurë. Pra, kjo sëmundje nuk prek kafshët e imëta, siç janë delet, që kryesisht bëhen kurban në Kosovë.
“Transmetues i kësaj sëmundjeje janë mizat pickuese që më aktive janë në periudhën e pranverës së vonshme, verës dhe vjeshtës së hershme, sëmundja nuk prek llojet e tjera të kafshëve shtëpiake përveç gjedhit (lopë, buallica)”, thuhet në njoftimin e AVUK-ut.
Po ashtu, AVUK-u ka njoftuar se kjo sëmundje nuk e prek njeriun dhe si e tillë nuk paraqet rrezik për shëndetin human.