Nga 1500 vrasje në Kosovë, një numër i vogël është nga armët me leje

Aktuale September 18, 2016 - 08:13

Nga rreth 1500 vrasje të cilat kanë ndodhur në Kosovë në 16 vitet e fundit, shumë pak prej tyre kanë ndodhur nga armët me leje.

Kjo statistikë është treguesi më i mirë se janë armët pa leje dhe njohuritë e pakta të qytetarëve në përdorimin e tyre jo rrallë herë kanë përfunduar me pasoja fatale.

Për këtë arsye në Kosovë tash e disa vite kanë nisur të hapen institucione të specializuara për pajisen e qytetarëve me njohuritë mbi armë.
Një prej tyre është qendra “Katana” në Obiliq, e emëruar në bazë të emrit të heroit të kombit, Agim Ramadani.

Atje një staf i specializuar e shoqëron qytetarin nëpër të gjitha procedurat e nevojshme të trajnimit për ta kualifikuar që ai të pajiset me leje dhe jo vetëm. Eliminimi i aksidenteve me armë, duke u njoftuar me to nënkupton edhe shpëtim i jetëve të qytetarëve.

Vetë ekspertët e kësaj qendre thonë se mendimi i qytetarit rreth armëve të zjarrit nga momenti që ai hyn në këtë qendër deri në përfundimin e trajnimit ndryshon tërësisht.

“Ata vijnë pa ndonjë informacion profesional. Sipas statistikave që kemi ne më shumë se 90 për qind e kandidatëve tanë pasi që janë njohur me armën dhe rrezikun që shkakton ajo, asnjëherë më nuk kanë përdorur atë në vende të ndalueshme me ligj por vetëm në poligone për rekreacion”, ka thënë për “Zërin” Osman Hajrizi, instruktor në qendrën “Katana”.

Përdorimi jo i drejtë i armëve të zjarrit dhe jo në mënyrë të sigurt në Kosovë ka ditur që shumë herë të marrë jetë njerëzisht edhe në mes familjesh. Kjo është një arsye shtesë pse ekspertët u sugjerojnë qytetarëve njoftimin dhe mësimin më të madh rreth përdorimit të armëve.

“Nëse armët mësohen që të përdoren në mënyrë të sigurt, atëherë normalisht që edhe siguria e qytetarëve do të jetë në një nivel shumë më të lartë sesa që është aktualisht”, ka shtuar instruktori Hajrizi, i cili na dërgon më pas nëpër të gjitha hapat që ata i kalojnë kandidatët e tyre për t’u pajisur me njohuritë bazë rreth armëve.

“Ligji për armët e zjarrit në Kosovë është i harmonizuar me ligjet tjera ndërkombëtare. Nga ky ligj janë të nxjerra edhe kriteret që udhëzojnë çdo qytetar që është i interesuar për t’u pajisur me armë zjarri. Këto udhëzime kanë të bëjnë drejtpërdrejt me trajnime profesionale për përdorim të armëve të zjarrit të cilat kanë edhe kriteret e qarta që shkojnë në favor të sigurisë personale të qytetarëve”, rrëfen Hajrizi.

Duke folur me pasion, por edhe dëshirën që fjalët e tij të depërtojnë sa më thellë në ndërgjegjen e qytetarëve, Hajrizi më pas na tregon edhe katër kriteret kryesore të cilat duhen për t’u pajisur me armë zjarri.

“Kandidati apo qytetari duhet të ketë dosje të pastër dhe të kaluar të pastër kriminale. Të ketë zotësi të plotë për të vepruar, të ketë aftësi mendore dhe fizike si dhe të marrë certifikatë nga Gjykata që nuk është i përndjekur apo nën hetime”, shpjegon instruktori Hajrizi.

18 poligone të licencuara

Në Kosovë aktualisht funksionojnë 1 poligone të licencuara nga Ministria e Punëve të Brendshme të cilat bëjnë trajnimin e qytetarëve të interesuar për pajisje me armë.

E qendra “Katana”, në programin e saj intensiv dyditor, i njofton qytetarët me njohuritë bazë rreth armëve.

“Ne kemi pjesën teorike dhe praktike të nxjerrë nga Ligji për Armët. Brenda dy ditëve e kalojmë kandidatin nëpër katër faza të njohjes së përgjithshme me armët. E njohim me Ligjin për Armën e zjarrit, ndihmën e parë, pjesën e njohurive teorike për armën e zjarrit dhe pjesën praktike që zhvillohet në poligonin e qitjes e cila më pas ka specifikat e veta si mbërthimi, zbërthimi, 4 rregullat e sigurisë etj.”, shpjegon instruktori Osman Hajrizi.

Vetëdijesimi në ngritje

Instruktori Hajrizi thotë se veçanërisht vitin e fundit ka pasur më shumë të interesuar për t’u njohur me armët dhe për të mësuar që t’i përdorin ato në mënyrë të sigurt. Madje, ai thotë se të shumtë kanë qenë edhe mërgimtarët.

“Sa i përket pjesëmarrjes realisht po ndikon pak gjendja ekonomike, mirëpo prej iniciativës tonë që të heqim anëtarësinë gjendja ka ndryshuar. Këtë vit ka pasur një vetëdijesim të dalluar të qytetarëve. Kemi pasur familje të tëra që kanë ardhur së bashku të njihen me njohuritë dhe sigurinë e armëve të zjarrit. Numri po shkon në rritje. Qytetarët po vetëdijesohen dhe po i japin respektin që meriton arma”, ka thënë Hajrizi.

Si të merret një leje për armë?

Procesi i pajisjes me një leje për armë të shkurtë, apo të gjatë nuk është edhe shumë i komplikuar. Gjithçka që duhet të bëjë kandidati është që të ndjekë kursin dyditor parapërgatitor në një nga qendrat e specializuara para se të dalë para komisionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në komisionin e Ministrisë ai duhet që të kalojë testin teorik mbi njohuritë e Ligjit për Armët dhe atë teorik të përdorimit në mënyrë të sigurt të saj. Pasi të kalohet ky hap, ai certifikohet nga Ministria dhe me atë rikthehet në qendrën e licencuar nga Ministria ku ka marrë hapat e parë.

Së bashku me këtë certifikatë ai më pas duhet të bashkëngjit dosjen për të kaluar të pastër kriminale, certifikatën e gjyqit që nuk është nën hetime, vërtetim se ka zotësi të plotë të veprimit dhe certifikatën shëndetësore. Me ato dokumente kandidati aplikon në stacionin më të afërt policor.

Nëse gjatë procedurës nuk gjendet ndonjë pengesë tjetër, atëherë ai merr pëlqimin për t’u pajisur me armë. Me atë pëlqim ai gëzon të drejtën që të blejë një armë në një nga shitoret e licencuara nga Ministria.

Pas blerjes së armës, bëhet raporti i shitjes së armës, dhe i njëjti dërgohet në stacionin e policor ku ka aplikuar dhe aty pajiset me kartelë apo leje për t’u pajisur me armë.

Gashi: Armët po blihen për gjueti dhe koleksion

Fahri Gashi, punëtor në shitoren e shitjes së armëve në qendrën “Katana”, na ka njoftuar më për së afërmi me llojet e armëve që ata kanë aty. Nga armët e prodhimit kroat deri te ato amerikane janë të gjitha të pranishme.

“Kemi armë të llojeve të ndryshme, kroat, turk, amerikan, armë me renome botërore. Kemi edhe armë të gjata, turke, ceke, amerikane”, tregon Gashi.

Ai thotë se blerësi duhet të plotësojë disa kushte para se të lejohet që të blejë një armë.

“Blerësi fillimisht duhet të ketë pëlqimin nga organi kompetent apo MPB-ja. Kur vjen këtu ai varet prej kategorisë që ka, për armë të gjata apo të shkurta. Nëse e ka të revoles, ai na tregon fillimisht që është posedues i pëlqimit, e zgjedh armën që i pëlqen, bëhet blerja, vijnë të dhënat e personit, të armës, bëhet raporti i shitjes, bëhen dy palë dokumente ku një palë shkon për polici dhe një palë i mban në shtëpinë e tij si dëshmi”, shpjegon ai.

Sipas tij, interesimi i qytetarëve për t’u pajisur me armë është shumë i madh.

“Interesimi është shumë i madh. Ka njerëz që janë koleksionues. Ka njerëz që e duan si sport. Edhe ka njerëz që e përdorin për gjueti”, thotë Gashi.

Çmimi i armëve prej 450-4000 euro

Por për t’u pajisur me një armë të re cilësore do të thotë që të shpenzosh edhe një shumë të konsiderueshme parash.

“Armët e shkurtra variojnë prej 450 deri në 4 mijë euro. Ndërkohë armët e gjata nga 700 deri në 1300 euro”, rrëfen ai.

Megjithatë së bashku me armët ai thotë se qytetarëve u propozohen edhe elementet tjera mbrojtëse.

“Kemi dryna të ndryshëm të cilët vihen te këmbëza e armës që kur nuk është pronari në shtëpi askush të mos mund ta përdorë. Po ashtu kasaforta ndryshme. Por edhe fotrolla, çanta dhe veshmbathje adekuate për gjueti”, tregon Fahri Gashi.

4 rregullat e sigurisë

Ukë Gërguri është një tjetër instruktor i qitjes në qendrën “Katana”.

Ai është i pari që i njofton kandidatët me armët, mënyrën e mbërthimit dhe të zbërthimit të saj. Pozicionin qitës dhe të gjitha elementet e tjera të sigurisë.

Mirëpo, për të gjithë që nuk kanë njohuri ai porosit që të respektohen katër rregulla.

“Para se të përdoret arma të gjithë duhet të kenë parasysh katër rregullat e sigurisë. 1. Të konsiderojë se të gjitha armët e zjarrit mund të jenë të gjitha të mbushura. Duhet të konstatohet a është arma e mbushur apo jo. Rregulla e dytë thotë: Kurrë mos e drejto armën ndaj dikujt që nuk dëshiron ta shkatërrosh. Armën mbaje në drejtim të sigurt. 3. Mbaje gishtin jashtë këmbëzës. 4. Të jesh i sigurt në cak dhe jashtë cakut”, tregon Gërguri.