Armë si në kohë lufte!
Vlerësohet se numri i armëve pa leje në duart e kosovarëve është mbi 300 mijë. Ndërsa si pasojë e kësaj, edhe numri i incidenteve dhe vrasjeve është shqetësues. Njohësit e fushës së sigurisë kërkojnë nga institucionet përgjegjëse ta zbatojnë ligjin ndaj armëmbajtësve pa leje. Gjithashtu, kërkohet që të shpallet një amnisti për dorëzimin e armëve
Nga janari deri në korrik të këtij viti janë vrarë 15 persona në Kosovë, ndërsa numri i incidenteve për shkak të armëve pa leje kanë shënuar rritje kohët e fundit.
Madje vetëm këtë javë kanë ndodhë disa gjuajtje me armë në qendër të kryeqytetit, në mesin e të cilave edhe ajo ndërmjet këngëtarëve Ylber Abdullahu i njohur si Cozman dhe Rigels Rajku- Noizy.
Vlerësohet se numri i armëve pa leje që ende janë në duart e qytetarëve të Kosovës është mbi 300 mijë.
Njohësit e fushës së sigurisë thonë se Policia dhe organet e drejtësisë duhet të zbatojnë Ligjin për Armët dhe ligjet tjera respektive që kanë të bëjnë me armëmbajtësit pa leje.
Ata gjithashtu theksojnë nevojën që të shpallet amnisti për dorëzimin e armëve pa leje. Ndërkohë Policia e Kosovës thotë se është duke e kryer punën e saj.
Sipas të dhënave të Policisë, që nga janari i vitit 2014 deri në fund të muajit korrik të këtij viti janë sekuestruar 3180 armë të ndryshme që kanë qenë pa leje. Gjithashtu në këtë periudhë është sekuestruar edhe një numër i madh i municionit. Madje numri i municionit të sekuestruar është rreth 72 mijë.
Policia: Angazhohemi për sigurinë e qytetarëve
Zyra për Informim e Policisë së Kosovës ka thënë se Policia vazhdimisht ka punuar në luftimin e dukurive negative, dhe krijimin e një sigurie të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e vendit, qoftë përmes planeve operacionale policore apo edhe përmes fushatave të ndryshme vetëdijesimi, e në këtë kontekst edhe reduktimin, zvogëlimin e armëve ilegale që mund të jenë si një rrezik potencial për rendin dhe sigurinë e përgjithshme.
Kështu, sipas kësaj zyre, çdo rast kur Policia identifikon persona apo individë që posedojnë armë ilegale i trajton ata në bazë të rregullave dhe procedurave ligjore, siç janë paraparë me ligjet e aplikueshme në vend.
“Konkretisht, kur kemi të bëjmë me raste që personat janë në posedim të paligjshëm të armëve apo municioneve ato trajtohen nga njësitet patrulluese policore në nivel stacioni, iniciohet rasti (për t’i kaluar njësitit të hetuesisë së stacionit), ndërsa kur kemi të bëjmë me raste të grupeve kriminale të organizuara që merren me kontrabandimin e armëve këto raste hetohen nga njësitet e specializuara të hetimeve në kuadër të Departamentit të hetimeve në nivel të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim.
Gjithashtu bëhet e ditur se ka pasur raste kur Policia kufitare ka arrestuar persona të cilët kanë qenë duke kontrabanduar armë. Policia e Kosovës ka sqaruar se rastet e armëmbajtjeve pa leje kryesisht hetohen me kryes të njohur dhe në çdo rast pas kompletimit të lëndës materializohet me fakte dhe dëshmi në konsultim me prokurorin.
Sipas Policisë, në raste të caktuara armët të cilat dyshohen se janë përdorur në ndonjë vepër penale ato dërgohen për ekzaminim balistik dhe vazhdohet me procedura tjera deri në procesin përfundimtar kur merret vendimi për shkatërrimin e tyre në mënyrë të kontrolluar siç parashihet me procedura ligjore.
“Sa i përket procesit të shkatërrimit të armëve ilegale të konfiskuara kryesish realizohet në mënyrë të kontrolluar, konform procedurave ligjore të përcjella prej vendimeve gjyqësore dhe atë duke u bazuar edhe në strategjinë e Kosovës për kontrollin e armëve dhe planit të veprimit”, thuhet më tej në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës.
Por sipas kësaj Zyre, në aspektin e parandalimit përveç Policisë duhet luajtur rolin e tyre edhe akterët tjerë, të cilët kanë obligime institucionale dhe shoqërore në funksion të vetëdijesimit apo sensibilizimit të shoqërisë lidhur me pasojat që mund të vijnë nga veprimet e kundërligjshme në përgjithësi.
Policia e Kosovës ka shprehur shqetësimin lidhur me numrin e vrasjeve që kanë ndodhur kohët e fundit. Kurse ka bërë të ditur se ka arritur të zbulojë mbi 75 % të vrasjeve.
“Nëse iu referohemi statistikave lidhur me zbulueshmërinë e rasteve të vrasjeve nëpër vite Policia e Kosovës ka arritur nivelin e zbulueshmërisë së rasteve të tilla mbi 75%. Disa raste të vrasjeve janë me kryes të njohur kurse disa nga rastet janë në proces hetimor dhe Policia në bashkëpunim me Prokurorinë i trajton me një seriozitet të madh”, përfundohet në përgjigjen e Policisë.
Ibishi: Gjyqësori dhe Policia ta zbatojnë ligjin
Anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, Nuredin Ibishi, ka thënë për “Zërin” se numri i madh i incidenteve me armë është shqetësues Ai më tej ka thënë se Ligji për Armët është miratuar dhe se tani vetëm duhet të ketë zbatim më të mirë të këtij ligji si nga ana e Policisë ashtu edhe nga ana e gjyqësorit.
“Ligjin e kemi miratuar dhe tani masat vetëm duhet të zbatohen nga gjyqësori dhe natyrisht nga Policia në procedim që të hiqen nga duart e qytetarëve armët ilegale... Ligji është i mirë dhe duhet të jetë i zbatueshëm. Policia po e kryen punën e vet, por mbajtësit e armëve pa leje nuk po penalizohen”, është shprehur Ibishi.
Sipas tij, Shqipëria mund të merret si shembull i mirë për largimin e armëve ilegale nga duart e qytetarëve.
“Një shembull i mirë është Shqipëria, e cila përkundër krejt asaj që ka ndodhur në vitin 1997, ka arrit që të zbatojë me përpikëri ligjin dhe në mënyrë shumë rigoroze ta ngrejë çështjen e penalizmit të personave që bartin armë pa leje dhe kjo është çështje që ne realisht kemi ngecje në sistemin tonë”, ka shtuar Ibishi.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës gjithashtu ka thënë se duhet të bëhet legalizimi i armëve pa leje dhe se duhet të ketë kontrolle më të shpeshta të Policisë.
“Gjithashtu duhet të bëhet legalizimi i armëve që aktualisht mbahen ilegalisht nga qytetarët. Dhe normal Policia duhet të jetë shumë më proaktive, në kuptimin e kontrollit edhe të personave edhe të automjeteve dhe të lokaleve, me qëllim që të mos ndodhë që në qendër të qytetit të kemi persona të armatosur”, ka thënë më tej Ibishi.
Të bëhet amnisti për dorëzimin e armëve
Deputeti Ibishi ka thënë se duhet të shpallet një amnisti për dorëzimin e armëve. “Edhe Ministria e Punëve të Brendshme duhet të shpallë amnistinë, por edhe legalizimin e armëve me qëllim të futjes nën kontroll të këtyre armëve që aktualisht mbahen ilegalisht”, ka theksuar Ibishi.
Sipas tij, kjo është e nevojshme pasi, sipas tij, edhe më tutje në vend mund të jenë mbi 300 mijë armë ilegale.
“Raportet e Policisë tregojnë se po bëhen konfiskime, por duke e pasur parasysh konstatimin e vitit 2006 të UNDP-së se në Kosovë janë mbi 340000 armë ilegale, tani në bazë të statistikave të konfiskimit të armëve mund të konkludohet se në Kosovë edhe më tutje janë mbi 300000 armë”, ka përfunduar Ibishi.
Edhe anëtari tjetër i Komisionit parlamentar për Punë të Brendshme, Zafir Berisha, ka thënë se duhet të shpallet amnisti 60-ditore për dorëzimin e armëve.
“Institucionet duhet më seriozisht të merren me këtë çështje, pasi dihet se mbi 300 mijë armë ilegale gjende në duart e qytetarëve, armë këto që kanë mbetur nga lufta e fundit. Duhet të bëhet një amnisti 60 ditore për dorëzimin vullnetar të armëve dhe duhet të ashpërsohen masat ndaj atyre që u kapen armë pa leje”, është shprehur Berisha, duke thënë se pas përfundimit të luftës ka qenë një amnisti, por ai thotë se qytetarët nuk kanë pasur besim tek ato institucione dhe kështu ajo amnisti nuk ka qenë shumë e suksesshme.
Sipas Berishës, rritja e numrit të mosmarrëveshjeve dhe e përdorimit të armëve nga qytetarët është rezultat i krizës socio-ekonomike, që sipas Berishës ka kaluar në krizë të thellë morale në shoqëri e që është produkt i mosefikasitetit të institucioneve.
Qytetarët ndihen të pasigurt
Profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami, ka thënë se pozita gjeopolitike e Kosovës në raport me vendet fqinje bën që qytetari i Kosovës të mos ndihet i sigurt pa armë. Madje, sipas tij, kur kësaj i bashkëngjitet edhe mosformimi i ushtrisë së Kosovës kjo rezulton me një mosgatishmëri për t’i dorëzuar armët.
“Të gjithë duhet të punojnë në këtë drejtim dhe sa më shpejt të formohet ushtria e Kosovës, të rritet besueshmëria nga qytetarët se ka kush t’i mbrojë nga agresori i mundshëm dhe kështu do të fillonte edhe dorëzimi i armëve të zjarrit, të cilat për fat të keq po keqpërdoren dhe po marrin jetë njerëzish”, ka potencuar Islami.
Përndryshe, sipas Islami, numri i madh i armëve ilegale në duart e qytetarëve edhe 17 vjet pas përfundimit të luftës është shqetësues.