Veliaj: Nuk jam turbo-patriot

Aktuale September 16, 2016 - 08:10

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, gjatë një interviste për “Zërin” thotë se kur pyetet për “Shqipërinë e Madhe” mendon për “Shqipërinë e Mirë”. Sipas tij, nëse shqiptarët jetojnë mirë, janë edhe të mëdhenj. Ai sqaron se pse nuk është turbo-patriot

Nuk jam turbo-patriot, prandaj është mirë për të qenë praktik e jo për të folur si baballarë të kombit. Kur pyetem për “Shqipërinë e Madhe” mendoj për “Shqipërinë e Mirë”.
Nëse shqiptarët jetojnë mirë, atëherë ata janë edhe të mëdhenj. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” numri një i kryeqytetit të Shqipërisë, Erion Veliaj, duke shtuar se nëse shqiptarët kanë qytete të pastra, shkolla të mira, aftësi për treg të punës, ky është koncepti i tij se si Shqipëria bëhet më e mirë.
Veliaj tregon se kur kishte marrë drejtimin e Tiranës kishte nisur me rregullimin e Sahatit të Qytetit, si një gjest simbolik për të treguar se nga tani e tutje kryeqendrës së Shqipërisë nuk i ngecën koha. “Nuk duhet të perëndoj dielli në Tiranë nëse Bashkia nuk e ka bërë një punë konkrete atë ditë. Ajo punë mund të jetë mbjellja e 1000 pemëve, hapja e një kopshti të ri, mund të jenë themelet e një shkolle të re, çfarëdo tjetër, por duhet të kemi diçka konkrete para se të perëndojë dielli çdo ditë”, shprehet Veliaj. Gjatë intervistës për “Zërin” ai ka treguar si e sheh menaxhimin e Prishtinës nga udhëheqja komunale dhe çfarë potenciali sheh tek homologu i tij kosovar, Shpend Ahmeti, për projektet e përbashkëta me komunat që udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë në pesë vende të ndryshme të Ballkanit, për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Tiranë, etj.

Më mirë të jemi praktikë se të flasim si baballarë të kombit

Zëri: Cili ishte qëllimi i vizitës suaj në Kosovë?                 

Veliaj: Ishte vizitë zyrtare dhe është hera e parë si kryetar i Bashkisë që e vizitoj Kosovën. Kam qenë këtu më përpara si ministër, kemi marrë disa vendime të rëndësishme, të paktën ne në Shqipëri e kemi mbajtur fjalën e premtimeve, i kemi hequr lejet e punës dhe disa burokraci tjera në lidhje me atë kohë kur kam shërbyer. Tani është një specifikë tjetër, që ta çojmë në rrafsh praktik bashkëpunimin. Shumë mirë të dalësh në fotografi, shumë mirë t’i tundësh flamujt, shumë mirë të flasësh si baballarë të kombit, ama disa herë më mirë të jesh praktikë, të shohësh se çka ka funksionuar në një qytet e pastaj të funksionojë në një qytet tjetër. Shpeshherë kur pyetem për “Shqipërinë e Madhe”, unë mendoj për “Shqipërinë e Mirë”, nëse shqiptarët jetojnë mirë, janë edhe të mëdhenj. Nëse kanë qytete më të pastra, shkolla më të mira, aftësi për treg të punës, ky është koncepti im se si Shqipëria bëhet më e mirë. Atëherë kur je i mirë, je edhe i madh. Nëse je keq nuk i vyen askujt. Andaj propozimi që kam bërë është që në pesë komuna, Tiranë, Prishtinë, Tetovë, Preshevë dhe Ulqin, duke qenë se komunat kryesore kanë efekt imitues tek komunat e tjera, replikues të shembujve të mirë, nëse ne disa praktika të mira i fillojmë edhe i zbatojmë në këto komuna ku jetojnë një e treta e shqiptarëve, besoj se përcjell edhe në komunat tjera të Kosovës dhe të Shqipërisë. Kështu që kemi bërë një ftesë më 26 dhe 27 nëntor në Tiranë, ku lidhet edhe me ftesat, për të ftuar në Tiranë kolegët për të eksploruar atë që funksionon mirë, në një mentalitet që është shumë i ngjashëm.

S’jam turbo-patriot

Zëri: Meqenëse hapët temën e “Shqipërisë së Madhe”, çka mendoni për këtë diskurs?

Veliaj: Nuk jam turbo-patriot, ndoshta puna e kryetarit të Bashkisë ka prirje për të qenë praktik dhe konkret nëse njerëzit me këtë folklorizëm kanë më shumë ushqim ose u shtohen dijet apo kanë ajrin më të pastër, dakord, por nëse nuk është kështu mos po harxhojmë shumë kohë për të cilat në realitetin ku jetojmë sot i kemi të pamundura, ndoshta ia vlen të fokusohemi në gjëra të mundura.

Zëri: Janë populizma për kalkulime politike?

Veliaj: Secili merr vetë vendime, por ajo që kam gjykuar është se sot njerëzit janë praktikë dhe duan të shohin rezultate të prekshme. Një moto që e kemi në Bashkinë e Tiranës “Nuk duhet të perëndojë dielli në Tiranë nëse Bashkia nuk e ka bërë një punë konkrete atë ditë”. Ajo punë mund të jetë mbjellja e 1000 pemëve, hapja e një kopshti të ri, mund të jenë themelet e një shkolle të re, çfarëdo tjetër, por duhet të kemi diçka konkrete para se të perëndojë dielli çdo ditë.

Zëri: Për çfarë votohet kryetari i një komune?

Veliaj: Kryetari i komunës është një menaxher i një qyteti, ashtu si një kryetar familje që interesohet të sigurojë nëse ka ujë, rrymë, kanalizim, ka ngrohje, ka qasje në mikrostrukturë. Qyteti është një familje e madhe edhe kur dikush voton të kryesojë këtë familje do të thotë që ndonjëherë duhet të marrësh vendime në interes të familjes dhe jo në interes të disa individëve. Dhe në thelb e kam kuptuar rolin tim, si një menaxher i kësaj familjeje.

Zëri: Me të marrë Tiranën në duar, jeni marrë me qeverisjen e kaluar se çfarë kanë bërë ata apo keni vazhduar nga aty e tutje?

Veliaj: Jo, kam vetëm një gjest simbolik minutën e parë të punës, kur kam rregulluar Sahatin e Qytetit, për të dhënë një sinjal se nga tani e tutje Tiranës nuk i ngecën koha. Edhe nuk duhet të flasësh për orën ku kishte ngecur, por ku po shkon dhe prej atij momenti jemi të fokusuar çfarë do të bëjmë çdo ditë sesa çka nuk është bërë. Të hedhësh faj është gjëja më e lehtë, edhe aty ku ka faj. Por besoj kur trajtojmë publikun si budallenj, është fyese për votuesin. Njerëzit mund të mos kenë një doktoratë, por e kanë një intuitë dhe sensin për të kuptuar se çka është punë dhe çfarë janë llafe. Ne shqiptarët merremi me llafe shumë, kush ka bërë një status apo gjëra të tilla, një harxhim monumental i kohës, infrastruktura mund të rregullohet, por koha e humbur nuk kthehet më dhe kjo është ajo që na ka mbajtur të fokusuar në Tiranë.

Zëri: Cilat janë tri prioritetet tuaja?

Veliaj: Së pari prioritet kanë qenë fëmijët për disa arsye: Tirana është një qytet me rreth 1 milion banorë, por harrojmë se 200-300 mijë janë fëmijë dhe shumë njerëz më thonë se çka po merresh me fëmijët, ata nuk votojnë. Ndoshta duhet për të ardhur koha që nuk duhet të mendosh vetëm tek kalkulimet në zgjedhjet e ardhshme, por duhet të të vijë koha të mendosh për një kalkulim për një gjeneratë të ardhshme. Ndaj dhe fokusi ka qenë çerdhja, kopshti, shkolla. Kemi rregulluar 31 çerdhe moderne, 20 kopshte dhe po fillojmë ndërtimin nga zeroja i 20 shkollave të reja. Demografia është rritur, Tirana ishte 200 mijë tani është 1 milion, është pesëfishuar, por nuk është pesëfishuar infrastruktura sociale, shkolla, çerdhet, etj.

Tirana është metropol

Zëri: A mund t’i themi metropol Tiranës?

Veliaj: Sot, po. Me definimin e hapësirës që ka, me këtë shtrirje të re gjeografike është hera e parë që Tirana ka 1200 metra katrorë, ka qenë vetëm 42, 24 njësi vendore, ish-komuna të bashkuara në një të vetme dhe popullsia 1 milion banorë që e definon për metropol. Por 1 milion banorë janë 1 milion probleme, por janë edhe 1 milion mundësi, edhe duket se po e shijoj shumë këtë punë.

Zëri: Si e shihni Prishtinën sot?

Veliaj: Prishtina është e destinuar ta ketë një trajektore si Tirana, për disa arsye, dikush që jeton në një provincë të Shqipërisë apo të Kosovës, unë e them me shaka që i menaxhoj planet “B” të shqiptarëve. Dikush thotë po cili është plani “A”? Dikush në një provincë në Memalia apo në Has plani i parë është të dalë jashtë, plani “B” është të shkojë në Tiranë, vendi i dytë i mundësive pas Perëndimit. Edhe besoj që Prishtina është e tillë, mundësitë janë më të mëdha këtu, të rinjtë janë këtu, administrata e madhe këtu, biznesi është i fokusuar këtu, ndaj duhet të projektojmë që tani një Prishtinë, të paktën në 20-30 vjetët e ardhme vetëm do të zgjerohet dhe duhet për ta mbajtur ritmin e shtimit demografik me shtimin e infrastrukturës.

Prishtina ndryshoi me Shpendin

Zëri: E sheh potencial për qeverisje të Prishtinës Shpend Ahmetin?

Veliaj: Absolutisht që po. Shpendi ka gjithë kapacitetin intelektual, ka një skuadër të mirë, e cila me fokus mund të bëjë gjëra të mrekullueshme në Prishtinë. Disa ndryshime kanë ndodhur. Jam impresionuar me një koncept të ri shkolle që kam parë, “Shkolla Model”, jam impresionuar me kopshtin “Shkronjat”, një koncept origjinal i një kopshti në komunitet. Tash çelësi i suksesit është se si t’i marrim këta ishuj të ekselencës dhe t’i reflektojmë pasivisht në publik. 

Zëri: Mafia e ndërtimit sikurse në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë, si e menaxhoni këtë sfidë?

 Veliaj: Ka qenë sfidë në fillim, por besoj që ne i kemi bërë të qarta rregullat. Pra nuk kemi humbur kohë, por që ditën e parë kemi përfunduar planin urbanistik me një grup arkitektësh të huaj. Unë e di që disa njerëz kanë thënë po pse po i merrni arkitektët e huaj kur i kemi të vendit, por kemi dashur të jenë sa më të distancuar nga interesat lokale dhe këtë muaj do ta çojmë për votim në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Sot vërtet është dhjetëfishuar taksa në Tiranë, por nëse paraardhësi m’i jepte 100 leje për atë buxhet, unë vetëm me 10 leje e marrë atë buxhet. Dhe është një mënyrë për të dhënë sinjale nëse do të marrë përsipër diçka në qytet, duhet të jetë cilësore. Sot disa nga ndërtesat e reja në Tiranë janë jashtëzakonisht cilësore, por me taksim të lartë. Unë jam socialist dhe s’kam asnjë kompleks për këtë, ai që nuk ka asgjë nuk duhet të paguajë asgjë dhe duhet të ketë ndihmën e shtetit, ai që ka pak mund të paguajë shumë pak, por ai që ka shumë dhe përdor më shumë infrastrukturën, rrugët, aeroportet, ai duhet të paguajë më shumë.

Zëri: Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e Tiranës?

Veliaj: Avantazhet në Tiranë janë që njerëzit e përqafojnë lehtë ndryshimin, gjithmonë ka pak rezistencë, por ndryshimi vjen, njerëzit bëhen avokatë të ndryshimit. Është shumë e nevojshme që kur je kryetari i një bashkie inkurajimi prej publikut të vazhdojë, që gjithmonë të sjellë ndryshime dhe të krijojë një praktikë të mirë që besimin e njerëzve ta investojmë në një realitet që ndryshon. Disavantazhet janë infrastruktura e amortizuar. Ne sot ndërrojmë rrjete të ujit që janë bërë në kohën e Enver Hoxhës në vitet ’60-a apo ’70-a, një qytet që ishte konceptuar vetëm për 200 mijë banorë të përzgjedhur, me një shtet komunist kur partia vendoste ku jeton dhe çka bën, sa vjet rri në një qytet ose në një tjetër. Ndërkohë që sot nuk mund t’ua thuash njerëzve rri në mal, ku nuk ka një punë të garantuar. Kështu që, në këtë sens kjo nuk është diçka që është avantazh, por që duhet të trajtohet si një mundësi për të shërbyer.

Zëri: Cilat janë projektet e përbashkëta me Prishtinën, a keni ndonjë plan?

Veliaj: Kemi propozuar disa projekte që kemi filluar. Së pari ne kemi një platformë të mirë digjitale, ku qytetarët raportojnë çfarë i shqetëson. Mjafton të bëjnë një fotografi dhe të shkarkojnë në një sistem prej telefonit të tyre nëse nuk është mbledhur bërlloku, është djegur një llambë e rrugës, është hapur një gropë në asfalt, nëse dikush e ka okupuar një hapësirë. Pamundësia për të punësuar mijëra inspektorë e kthen gjithë qytetin në inspektorë të bashkisë falas. Që ka funksionuar si model dhe mund ta merrni dhe ta quani “Prishtina ime”. Por, në takimin e nëntorit do të dalim me një listë, ku secili do të mësojë diçka.

Zëri: Jeni shumë aktiv në rrjetet sociale, sidomos me komunitetet e margjinalizuara, ndërkohë që në Kosovë ka shumë të ardhur nga komuniteti romë nga Shqipëria, a duhet të punohet diçka mes dy shteteve në këtë drejtim apo qoftë edhe mes dy komunave?

Veliaj: Është një sfidë që e kemi hasur edhe gjatë kohës kur isha në Ministri. Para se të largohem nga Ministria kemi bërë një protokoll të bashkëpunimit mes dy ministrive të Punës, duke qenë se përfshin edhe probleme të trafikimit, edhe probleme ndërkufitare, që përfshin forcat e rendit, është diçka që është përtej komunave. Është e rëndësishme që qeveritë qendrore ta hartojnë një protokoll dhe pastaj bashkitë të jenë të gatshme të ndihmojnë. Fjala vjen, ne në Tiranë duhet ta pranojmë se kemi marrë disa vendime të vështira, në disa vende ku është okupuar një ambient publik, pyll, park, që i shërben një milion vetave, s’mundesh të krijosh një qendër të djegies së mbeturinave. Për secilin rast ne kemi bërë një ndjekje të çështjes. Dikush ka marrë një banesë sociale, kam shkuar ta shikoj me sytë e mi që e ka banesën sociale. Dikush tjetër e ka marrë një banesë me qira. Pra e ka zgjedhur banesën, kurse ne ia kemi paguar qiranë dhe dikush tjetër ka marrë një kredi të butë dhe ne i kemi mbuluar interesin se ka dashur shtëpi më të mirë. Pra, pyetja nuk është a duhet t’i marrim vendimet e vështira, patjetër se po, pra a ka edhe një sigurim social të impaktit të saj? 

Me xhaminë në Tiranë përfundon mozaiku i objekteve të kultit

Zëri: Në Tiranë është dhënë licenca për ndërtimin e xhamisë më të madhe në Ballkan, kur do të ndërtohet?

Veliaj: Është dhënë para besoj dy vjetësh, tani është afër përfundimit. Por me atë xhami mbaron mozaiku i objekteve të kultit në qendër të Tiranës. E kemi një katedrale katolike, një ortodokse, odeonin e bektashive dhe Xhamia e Namazxhas e përfundon debatin. Dhe pas këtij debati do të kemi më shumë fokusin më të madh te bashkëpunimi sesa te infrastruktura religjioze.