Demarkacionin nuk e përcaktoi Ahtisaari

Aktuale September 15, 2016 - 08:08

Pakoja e Ahtisaarit nuk parashikon që Kosova t’i japë mijëra hektarë tokë Malit të Zi, por kufirin e sheh si çështje normale ndërmjet dy vendeve. Kështu deklaron në intervistën dhënë “Zërit” ish-presidenti i parë i Kosovës Fatmir Sejdiu, i cili e konsideron gabim trashanik që fati i kufirit t’i lihet në duar Podgoricës. Ai shpreh skepticizëm se LDK-ja mund të dalë si partia e tretë në zgjedhjet e ardhshme

Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Malit të Zi për Shënjimin e Kufirit nuk ka qenë derivat i Pakos së Ahtisaarit. Pakoja e Ahtisaarit e ka shumë të qartë Kushtetutën e 74-s dhe gjendjen në Kosovë deri më 1988. Kështu ka thënë në një intervistë ekskluzive presidenti i parë i Republikës së Kosovës Fatmir Sejdiu.

Duke folur rreth Marrëveshjes së Demarkacionit, Sejdiu ka thënë se është normale që të kesh, të ruash dhe të zhvillosh marrëdhënie të mira me fqinjët, por kjo nuk do të thotë se duhet të dhurosh parcela të tëra të tokës. Në këtë drejtim ai ka thënë se ka qenë tërësisht e papranueshme që drafti i marrëveshjes i është lënë të hartohet nga Mali i Zi.

Madje presidenti Sejdiu ka zbuluar se edhe në takimet që ka pasur me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç së fundmi, asnjëherë nuk ka qenë temë demarkacioni pasi që është konsideruar si një çështje normale.

Sejdiu ndërkohë ka folur edhe për cenimin e marrëdhënieve me Malin e Zi, dërgimin e Demarkacionit në Arbitrazh, gjendjes në LDK dhe pse ai thotë se frikësohet se kjo parti mund të dalë si e treta në vend, si dhe ka shpjeguar anashkalimin që i është bërë në shenjtërimin e Nënës Terezë në Vatikan, më 4 shtator.

Zëri: Zotëri President, më 4 shtator ishit në shenjtërimin e Nënës Terezë në Vatikan, si kaluat atje?

Sejdiu: Është një ngjarje nga më të rëndësishmet që kanë të bëjnë me identitetin tonë si komb, si popull dhe që shënohet në mënyrë të paharruar në analet e historisë. Për ne si gjeneratë është një fat i madh që e kemi përjetuar këtë moment, shenjtërimin e Nënës Terezë. Një grua që në përmbajtjen e saj me gjithë cilësitë që ajo ka pasur, jo vetëm që do të jetë e shënuar se është e origjinës shqiptare, me babë dhe nënë nga Kosova, por të njëjtën kohë me shërbimin që i ka bërë njerëzimit. Një humaniste e pakapërcyeshme dhe kjo na bënë krenarë që të gjithëve.

Zëri: Ne pamë ish-presidentin Pacolli në mesin e zyrtarëve shtetërorë, mirëpo nuk ju pamë edhe ju? Çfarë ndodhi, pse nuk ishit në atë pjesë?

Sejdiu: Nuk e di. Unë them se ka shumëçka për t’u folur rreth çështjes së protokollit, që nga hartimi i listës së njerëzve, të cilët do të merrnin pjesë. Nuk e di kush është organizuesi kryesor, a është Qeveria apo Presidenca, apo njerëzit e Kuvendit. Dhe e dyta, mënyra se si ato janë realizuar. Nuk është mirë dhe nuk bie hije e mirë për Kosovën mënyra se si njerëzit janë selektuar. Ju mbase e dini më mirë për njerëzit që kanë qenë në procesin e selektimit, njerëz që në asnjë rrethanë nuk do të duhej ta kishin vendin aty. Nuk flas për personalitete që megjithatë i lidh funksioni. Nga aspekti zyrtar i respektimit të protokollit të shtetit, e shoh që ai protokoll nuk është zbatuar fare. Nëse me protokoll parashihet qoftë me ligjin themelor, qoftë me ndryshimet e mëvonshme, se personi i pestë që shteti duhet të respektojë, pas presidentit të vendit, pas kryetarit të Parlamentit, kryetarit të Qeverisë dhe kryetarit të Gjykatës Kushtetuese do të jenë ish-presidentët e shtetit, nuk e di se kush e ka bërë atë seleksion. Nuk e kam pse Pacolli ka marrë pjesë, por them se nuk mund dhe nuk guxon të bëhet seleksionim në këtë mënyrë. Unë kam qenë atje. Fatmirësisht kam qenë me ftesë të Ipeshkvit Imzot Dodë Gjergji dhe ftesa e tij ka qenë për shkaqe të shumta.

Zëri: Pse nuk ka pasur ftesë nga shteti?

Sejdiu: Nuk e di. Mbase mund t’i pyetni ata. Por mund të pyetni pjesën tjetër pse unë nuk jam rirreshtuar në pjesën e delegacioneve që kanë qenë në vendin e respektueshëm zyrtar. Sepse aty kanë qenë njerëzit me këshilltarë, me zëvendësministra, me deputetë, deputetët kanë qenë poshtë, deputetët kanë qenë lart. Është absolutisht e papranueshme ndarja e tyre në mënyrën se si është bërë dhe njerëz, të cilët praktikisht lidhje pas lidhje kanë depërtuar atje. Më duket shumë bizare mënyra se si njerëzit janë katrrithur për të hipur në binë. Atë nuk e kam dashur, por nuk ka pasur ndonjë adresim zyrtar që për mua do të ishte një respekt paralel për institucionet e vendit që të jenë aty. Jam ulur me njerëz të zakonshëm siç e keni parë edhe vetë.

Megjithatë, ka pasur njerëz që fare-fare nuk kanë pasur të bëjnë me karakterin apo elementin zyrtar siç duhet të ishin. Ata e dinë, fotografitë mund t’i shihni.

Zëri: A mund të ketë diçka tendencioze në këtë mes?

Sejdiu: Shikoni tani, është e pahijshme ajo sjellje. Madje është edhe e padinjitetshme. Nuk lidhem pse unë nuk kam qenë aty. Mirëpo nëse thirret një president i vendit, pavarësisht asaj që ju e thatë më herët pse ish-presidenti tjetër nuk është, aq më tepër kur dihet se në radhën e ish-presidentëve se cili është vendi i Fatmir Sejdiut e pastaj i tjetrit, etj.

Zëri: Kushtetuta e vendit thotë se tre krerët e shtetit (presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit) nuk duhet ta lënë vendin në të njëjtën kohë, kjo pikërisht ndodhi atë ditë?

Sejdiu: Unë e kam parë atë shkrim dhe atë vërejtje që është bërë dhe vërejtja është e qëndrueshme.

Zëri: Ju jeni “Kryetar Nderi i LDK-së”, si po ju duket funksionimi i kësaj partie aktualisht?

Sejdiu: Unë kam dhënë mendimet e mia shpesh. Fatkeqësisht ato që kam prognozuar janë aty. Janë brenda pasqyrës së reflektimit të saj dhe fatkeqësisht them paralel se LDK-ja është transformuar. Nuk është ajo LDK që unë e kam njohur nga dita e themelimit të saj sepse jam në struktura i vetmi njeri që kam marrë pjesë në themelimin e LDK-së. Janë bërë lëvizje të çuditshme. Unë nuk jam kundër asaj që të ofrohen njerëz të rinj dhe të zgjerohet rrjeti i anëtarësisë së saj, por të mos përjashtohen ata që janë me rezultate të mira. Kjo i bie dhe këtë e them pa hezitim një klientelë e kryetarit të partisë, i cili ka ardhur në rrugën se si ka ardhur dhe një demonstrim jo i natyrshëm, të themi i ecjeve të LDK-së jashtë rrugës së mirëfilltë demokratike.

Keni parë Kuvendin e fundit zgjedhor se si është bërë. Ka qenë një kuvend që ka përjashtuar mundësinë e debatit të lirë, por edhe të zgjedhjes së lirë me votën e fshehtë. Kjo le t’u jetë për nder atyre që kanë konceptuar dhe ata që mbështesin këtë politikë. Unë nuk e pajtoj këtë. Kam dhënë qëndrimet e mia dhe do të them edhe më vonë. E keqja e madhe është se njerëzit ndiqen sepse mund të jenë të mendimit tjetër dhe këto janë të argumentuara me shumëçka. U jepet shansi njerëzve që nuk kanë lidhje me LDK-në. Bile edhe e kanë luftuar LDK-në dhe konceptin rugovian. Sot ata flasin dhe befasohem ndoshta edhe këndshëm ndonjëherë se si i ka mësuar Rugova ata njerëz që të bëhen dhe të veprojnë, të cilët realisht kanë qenë kundërshtarë të tij.

Zëri: LDK-ja është partia e dytë aktualisht në vend, a frikoheni se mund të bjerë si partia e tretë?

Sejdiu: Unë i frikohem, nuk dua të flas me numra, mirëpo i frikohem mbështetjes nga  qytetarët e Kosovës. Kam argumente të shumta dhe këto argumente ia kam prezantuar edhe më herët. U kam thënë me bindje të plotë për shembull para zgjedhjeve komunale të vitit 2013 se zgjedhjet në këtë mënyrë dhe këtë ia kam thënë kryetarit të partisë se për mënyrën se si je duke menaxhuar partinë dhe si po sillesh me qytetarët do ta humbasësh Prishtinën. Prishtina ishte humbja e parë e sprovës. Fundja, njerëzit i kanë dhënë shansin një partie tjetër për të mos i dhënë shansin njërit që të udhëheqë me qytetin. Kjo është një përgjigje që është dhënë nga elektorati i shumë të pakënaqurve me mënyrën se si është komunikuar me ta. Ndodhi pastaj me humbjet e zgjedhjeve në nivel nacional. Erdhi ajo metamorfoza e çuditshme e mashtrimit të elektoratit, edhe të atyre që kanë thënë se nuk do të ketë kurrë një koalicion me PDK-në.

Zëri: Si e keni parë koalicionin me PDK-në?

Sejdiu: Unë e kam dhënë mendimin tim gjithmonë për këtë. Është diçka e habitshme dhe është imorale. Nuk them a janë të mirë apo a janë të këqij, mirëpo është një imoralitet politik që ka ndodhur në mënyrën se si është bërë sepse mjafton të vësh para vetes dhe para qytetarëve dhe para atyre që kanë bërë koalicionin tablotë e deklarimeve të tyre të mëhershme. Latinët e kanë një shprehje interesante “Para argumenteve edhe zotat heshtin”. Prandaj ka ndodhur kjo, kjo, kjo.

Zëri: Po punën e kryetarit të LDK-së në pozitën e kreut të Qeverisë, veçanërisht qasjen e tij ndaj problemeve të shumta me të cilat është ballafaquar?

Sejdiu: Unë dua ta shoh këtë me syrin e njeriut të zakonshëm dhe besoj se kam fakte edhe më shumë që të shoh edhe shumëçka tjetër. Për këto dy-tri temat e mëdha, që janë në opinion dhe janë jashtëzakonisht shtrënguese, kam dhënë mendimin tim edhe në forumet e partisë dhe këshillit të përgjithshëm. Një kohë madje i pata thënë se duhet që t’u japësh njerëzve rastin që të bisedojnë për temat e mëdha. Ai asnjëherë nuk e ka bërë këtë punë. Ka hyrë kokë më vete në procese.

Për Asociacionin Gjykata Kushtetuese ka dhënë mendimin e vet dhe në këtë fazën e mëvonshëm për demarkacion çështjet nuk janë të thjeshta. Ne kemi para vetes dy-tri gjëra që njerëzit duhet t’i shikojnë me ndjesinë e madhe. Është një ndjesi që të kesh, të ruash dhe të zhvillosh marrëdhënie të mira me fqinjët. Absolutisht është përgjegjësi paralele. Por kjo nuk do të thotë se duhet të dhurosh parcelat tona të tokës, qoftë edhe një pëllëmbë.

Zëri: A ka dhënë Kosova tokë me këtë marrëveshje?

Sejdiu: Faktet flasin ndryshe. Dhe ajo që është thënë me gjuhën e gazetave, nga ajo që dihet nga dokumentet e hershme. Nga Kushtetuta e 74-s dhe gjithë ajo që ka qenë e konceptuar është pak më ndryshe. Prandaj unë kam apeluar që të bisedohet me njerëz. Të shihet e vërteta reale. Nuk e përbëjnë si qasje logjike territorin dhe hapësirën e vendit të Kosovës vetëm parcelat kadastrale të individëve e të familjeve. Atë e përbën edhe struktura e përgjithshme e pasurive tokësore, malore e ujore që ka një shtet. Prandaj është dashur të shikohen kësisoj mirë dhe fort e pastaj të dilet, por jo të nxitohet kaq dhe paralelisht të jetë një trysni kaq e rëndë dhe e panevojshme në deputetët që nëse nuk bëhet kjo ne do të humbim liberalizimin.

Liberalizimi është një proces krejt diçka tjetër. Dhe do të thosha paralelisht të vlerësohet sa të ketë fuqi të ndërtimit të mekanizmave të funksionimit të shteti demokratik. Jo sa ke fuqinë e imponimit të një momenti të kapërcyeshëm, sepse nuk do të ndodhë kësisoj. Ne kemi pasur, kam udhëhequr procesin e bisedimeve ju kujtohet në dy vjet. Ka pasur presione të mëdha për Projektin e Ahtisaarit edhe përtej atyre që jemi pajtuar, por kemi arritur në një pikë të pajtimit të përbashkët se kjo është një qasje gjeneroze për vendin, për pavarësinë e vendit. Por kjo nuk të thotë që ajo qasje gjeneroze pastaj të shkatërrohet dhe të merret me elemente të tjera, të cilat praktikisht do ta cenojnë esencën e saj. Një gjë e them dhe e kam thënë qëndrimin tim në një status, që ju po e quani rrjet social, është se Ahtisaari nuk ka kërkuar asnjëherë harta nga Kosova që ta trajtojë çështjen e kufirit me Malin e Zi.

Është dhënë ajo dispozitë që është dhënë dhe askush nuk mund katrrithet edhe me bindje të plotë nëpër të se kjo është vendosur asisoj. Jo. Ai kufi nuk është konsideruar i kontestueshëm. Dhe e them një fakt për juve që është një shans, është një moment, unë kam pasur dy-tre takime me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç, takime të cilat i kemi pasur në Vlorë, në Ohër dhe asnjëherë nuk është hapur kjo temë. Asnjëherë. Sepse kemi konsideruar që janë çështje normale. Ai ka hapur dy tema, të cilat duhet t’i prezantoj tash, pse jo. Çështjen e një grupi të romëve, të etnisë së romëve që janë në Mal të Zi dhe të kthehen në Kosovë dhe unë kam thënë të bëjmë proces të natyrshëm pse jo. Njerëzit që eventualisht mund të jenë pjesëmarrës në proceset e këqija në gjykata për secilin. Dhe e dyta, është çështja e strukturës së elementit malazez në Kosovë për një trajtim normal të mirë dhe unë që atë kohë kam marrë vendim, jo me bisedën që këta kanë pasur, por edhe më herët që një përfaqësues malazez i Kosovës të jetë në Këshillin Konsultativ të Presidencës.

Zëri: Pra ju po thoni se marrëveshja aktuale me Malin e Zi për kufirin nuk është përcaktuar nga Pakoja e Ahtisaarit, siç thotë Qeveria?

Sejdiu: Jo, jo. Pakoja e Ahtisaarit nuk është marrë me kufirin e Malit të Zi. Pakoja e Ahtisaarit e ka shumë të qartë Kushtetutën e ’74-s dhe gjendjen në Kosovë deri më 1988. Thirrja ime ka qenë dhe është edhe sot, urdhëroni dhe shikoni cilët janë kufijtë e Kosovës saktë. As nuk them se është kështu dhe as ashtu, urdhëroni analizoni mirë çka parasheh ’74-ta e deri tek gjendja e viteve ’88, pra para ’89-s, para marsit kur është bërë ajo që është bërë nga Millosheviqi dhe aleatët e tij në formën më të egër të mundshme ndaj Kosovës e deri ku jemi sot.

Zëri: Në një intervistë të fundit të kryeministrit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka thënë se Mali i Zi nuk dëshiron asnjë metër katror të Kosovës?!

Sejdiu: Prandaj duhet të analizohet. Madje, analiza të thella dhe jo nxitim.

Zëri: A po cenohen marrëdhëniet me Malin e Zi me këtë lloj situate të tensionuar?

Sejdiu: Jo, jo më falni. Marrëdhëniet me Malin e Zi do të mundë t’i cenonte ndonjë marrëveshje, e cila nuk do të ishte e drejtë. Unë mendoj që as Mali i Zi nuk është i interesuar që të hyjë në raporte të tilla. Është shumë me rëndësi që të analizohet mirë, thellë, qartë dhe të vendosim prapë.

Zëri: A mund të jetë Arbitrazhi një zgjidhje?

Sejdiu: Ajo është një shkallë krejt tjetër. Ajo është një shkallë e mëvonshme. Është me rëndësi gjithmonë që guri të flejë në vend të vet. Puna e pleqërisë është e çuditshme. Është me rëndësi që shtetet kanë dokumentacion. Unë besoj që edhe Mali i Zi ka dokumentacion. Edhe Kosova ka dokumentacion. Urdhëroni dhe shikoni.

Zëri: A po thoni se është duke munguar vullneti politik për ta rregulluar këtë marrëveshje?

Sejdiu: Jo, unë them se është një mungesë e përgatitjes dhe e qasjes serioze për të pasur një proces të mbarë. Kjo është formula ime.

Zëri: Si i shihni ju kushtëzimet që po i kemi vazhdimisht, për shembull, kushtëzimi i liberalizimit me ratifikimin e Demarkacionit?

Sejdiu: Unë kam punuar me ndërkombëtarët dhe e di qasjen, edhe dashamirësinë e përgjithshme që kanë disa prej tyre dhe këtu nuk ka dilemë. Dilema e vetme është se sa je serioz ti në ecjen tënde. Nuk mund të nxitohet, bëj procese se nuk mund ta kesh këtë tjetrën. S’mund të jetë një Kosovë e gatshme nesër që për të pasur liberalizimin dhe proces të nxituar drejt integrimeve nëse nuk e zgjedh problemin parësor dhe kaq madhor, që është edhe e kësaj natyre.

Fundja ne po shkojmë në ato procese, mirëpo procesi është i gjatë. Kemi shumë shembuj. Cili është raporti në mes të Sllovenisë dhe Kroacisë? Është korrekt. Kanë çështje të pazgjidhura dhe do t’i zgjidhin. Ka edhe shumë e shumë raste tjera që mund t’i gjejmë në raportet mes shtetesh. Nuk ka luftë mes tyre, ka çështje të pazgjidhura. Por unë kam një shqetësim se pas kësaj ka diçka tjetër.

Zëri: Çfarë mund të ketë?

Sejdiu: Po, nëse njerëzit kanë hyrë në një raport të tillë ata atëherë duhet të japin përgjigjen pse. Unë nuk dua të zbërthej tani më shumë. Mendoj se mund t’i merrni me mend.

Zëri: Pse nuk kemi ushtri ende?

Sejdiu: Janë procese të ndërlidhura. Unë mendoj se mund të jenë edhe çështje që pak a shumë lidhen edhe me hapa jo të bollshëm për të lëvizur, por mund të jenë edhe të elementeve të tjera jashtë nesh. Kjo e dy të tretave nuk e di nëse është faktori kryesor. E di një, diçka që më është thënë në faza të mëhershme dhe këtë po e them për herë të parë, se më është thënë nga shumë miq, në veçanti nga ata që kanë qenë pjesëmarrës në procese të rëndësishme të transformimit të TMK-së, të cilët kanë thënë se është më mirë të punohet më shumë sesa të flitet. Pra, porosia dhe thirrja e tyre ka qenë që të punohet më shumë sesa të flitet më shumë.

Zëri: Si e keni parë qasjen e Listës Serbe në Kuvend? Opozita thotë se Beogradi po i dërgon përpara agjendat e veta në Kosovë përmes kësaj Liste?

Sejdiu: Jo, unë mendoj se ky është një mashtrim që u bëhet edhe qytetarëve serbë. Pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm. Tjetër është çështja e zhvillimit dhe shtetndërtimit të Kosovës si një demokraci e re dhe shtet i së drejtës apo shtet ligjor dhe proceset nxitëse të nevojshme për integrimin. Kjo varet shumë prej nesh sepse pavarësia bëhet përditë dhe forcohet përditë. Por që është proces i pakthyeshëm, është i pakthyeshëm. Ajo ëndërr ka përfunduar. Unë isha javën që shkoi në Britani në një konferencë dhe në Parlamentin britanik kisha një adresim dhe pasi kreva fjalën vjen njëri aty që ishte ftuar nga Serbia dhe thotë “Kosova është Serbi”. I thashë “Faleminderit për marren që po e tregon”. Ata ende e mbajnë vendin e tyre në një iluzion. Nuk e lënë që t’i kthehet jetës normale. Nuk i lënë që të shohin realitetin. Nuk e kanë parasysh se për të gjitha këto tema që ne biseduam njësitë e KFOR-it garantojnë kufijtë e Kosovës. Serbët duhet ta shohin se e ardhmja e tyre është këtu. Me këta qytetarë. Me të mirat dhe të këqijat.