Nitaj: Kthimi në Kuvend tashmë ka kuptim
Dy partitë opozitare, AAK-ja e “Nisma”, kanë vendosur t’i kthehen punës në Kuvend, ndonëse para rreth 7 muajsh patën marrë vendim t’i bojkotonin seancat.
Arsyeja e kthimit sipas përfaqësuesve të këtyre partive ka të bëjë kryekëput me Marrëveshjen e Demarkacionit. Sipas tyre, vendimi për t’u kthyer ka ardhur pas procedimit të kësaj marrëveshjeje në Kuvend, pasi që kanë vlerësuar se pikërisht tani është momenti që t’i kthehen jetës institucionale.
Si rrjedhojë, partitë opozitare janë shprehur të bindura që kjo marrëveshje nuk do të kalojë as në seancën kur pritet të rivihet në votim. Ndërkohë, as dy partitë në pushtet (PDK e LDK) akoma nuk e dinë se a i kanë votat për ta ratifikuar marrëveshjen në fjalë. Deputetë nga këto subjekte kanë thënë për gazetën “Zëri” se ende nuk kanë ndonjë informacion rreth kësaj çështjeje.
Megjithëkëtë përfaqësues nga Qeveria, duke mos saktësuar, kanë thënë se Marrëveshja për Demarkacionin do të procedohet shumë shpejt në Kuvend. Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve politike në Kosovë kanë vlerësuar se AAK-ja dhe “Nisma” nuk do të duhej të largoheshin nga Kuvendi. Disa prej tyre kanë thënë se kalueshmëria e Marrëveshjes së Demarkacionit varet prej votave të koalicionit qeverisës e disa të tjerë e kanë cilësuar si “punë të kryer” çështjen e demarkacionit.
Opozita: Demarkacioni nuk do të kalojë
Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë se partia e tij kishte vendosur të largohej nga Kuvendi atëherë kur diskutimi rreth dy marrëveshjeve të Brukselit ishte bërë i pamundur. “AAK-ja kishte vendosur ta braktiste Kuvendin në momentin kur ai ishte mbyllur për të debatuar për çështjet e kompetencës së vet, siç ishte Demarkacioni dhe Asociacioni”, ka deklaruar ai. Sipas zëdhënësit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, AAK-ja vendosi të kthehej pasi që vlerësoi se pas dështimit të ratifikimit të kësaj marrëveshjeje në seancën e 1 shtatorit, Kuvendi kishte marrë një rol të posaçëm.
“Pas seancës së fundit ku Qeveria e solli Projektligjin për Demarkacion në Kuvend dhe pastaj e tërhoqi, sikur Kuvendi ka marrë rol të rëndësishëm në këtë proces. Prandaj, AAK-ja ka vlerësuar se tashmë ka kuptim kthimi në të”, është shprehur ai.
Nitaj më tutje ka thënë se nuk janë vetëm partitë opozitare që e kundërshtojnë këtë marrëveshje. Përkundrazi, sipas tij, janë edhe shumë deputetë të koalicionit qeverisës.
Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të “Nismës”, Valdete Dushica-Bajrami, është shprehur e bindur se Marrëveshja për Demarkacionin nuk do të kalojë.
“Kjo marrëveshje nuk do të kalojë dhe në momentin që kjo të ndodhë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, ka theksuar ajo.
Kurse sa i përket kthimit të “Nismës” në Kuvend ajo ka thënë se kjo parti kishte vendosur të kthehej pikërisht kur pritej të votohej Demarkacioni.
“Besoj se ka qenë e ditur që nga momenti kur e kemi marrë vendimin për bojkot. Kjo, pasi që ne vazhdimisht kemi deklaruar se Grupi Parlamentar i ‘Nismës për Kosovën’ do të kthehet në Kuvend në momentin që Demarkacioni do të jetë në rend dite dhe ashtu kemi vepruar”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.
Dushica-Bajrami është shprehur e bindur se numri i deputetëve të pozitës, të cilët e kundërshtojnë këtë marrëveshje, do të vijë duke u rritur.
AAK-ja e “Nisma” nuk do të duhej ta braktisnin Kuvendin
Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike Imer Mushkolaj ka vlerësuar se dy partitë opozitare, AAK-ja dhe “Nisma”, nuk është dashur fare ta braktisnin Kuvendin. “AAK-ja dhe ‘Nisma’ nuk është dashur fare ta braktisnin Kuvendin. Tash, duke e parë që më të dobishme mund të jenë në Kuvend sesa jashtë tij, këto parti vendosën të kthehen. AAK-ja dhe ‘Nisma’ e kanë kundërshtuar në të gjitha format Marrëveshjen për Demarkacionin dhe vota e tyre kundër është reale”, ka deklaruar Mushkolaj. Megjithatë, sipas tij, kalimi ose moskalimi i kësaj marrëveshjeje nuk varet nga votat e partive opozitare, por nga ato të koalicionit qeverisës. “Nëse disa deputetë të partive në pushtet e mbajnë fjalën dhe nuk e përkrahin marrëveshjen, ajo nuk mund të kalojë”, ka theksuar Mushkolaj.
Pavarësisht kësaj, analisti politik Krenar Shala është shprehur i vendosur se Demarkacioni do të kalojë. “Konsideroj që miratimi i Demarkacionit është punë e kryer. Njëjtë mendoj për Asociacionin, po ashtu”, ka deklaruar ai në një prononcim për gazetën “Zëri”. Shala ka vlerësuar se mosuniteti i opozitës do t’i kushtojë mjaft shumë Kosovës. “Mendoj që për shkak të korrupsionit Qeveria do të arrijë t’i bindë me forma të ndryshme korruptive deputetët e pozitës për ta votuar Demarkacionin”, ka përfunduar Shala. Por ndryshe prej tij mendon deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu. Sipas saj, Demarkacioni nuk mund të kthehet më fare në Kuvend. Madje ajo ka vlerësuar se kryeministri Isa Mustafa do të duhej të jepte dorëheqje qysh tani. “Tërheqja e Demarkacionit në seancën e 1 shtatorit nënkupton vdekje të demarkacionit dhe kjo çështje nuk është as temë më dhe nuk guxon të rikthehet në rend dite. Isa Mustafa do të duhej që menjëherë të dorëhiqet nga pozicioni që mban”, ka theksuar ajo. Sipas Haxhiut, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe për një gjë të tillë do të angazhohet edhe LVV-ja.
Pavarësisht kësaj, zëdhënësi i Qeverisë Faton Abdullahu duke mos saktësuar ka thënë se Marrëveshja e Demarkacionit do të riprocedohet shumë shpejt në Kuvend.
“Në këtë fazë të zhvillimeve nuk mund ta themi me saktësi, por ajo që mund të themi është se për shumë arsye riprocedimi i Demarkacionit nuk do të vonohet. Kjo do të ndodhë pa prolongime të pajustifikueshme, për shumë arsye tashmë të njohura e një nga më të rëndësishmet është shënjimi i vijës kufitare ndërmjet shtetit tonë dhe Malit të Zi”, ka thënë ai për “Zërin”. Sipas Abdullahut, periudhën kohore prej tërheqjes së projektligjit deri te procedimi i serishëm në Kuvend Qeveria do ta shfrytëzojë për të vazhduar me argumente të tjera, për t’ua mundësuar kështu të gjitha partive e deputetëve të informohen drejt e gjithanshëm.